“Drama” në zgjedhje, Istogu mbetet bastion i LDK-së

Politika

“Drama” në zgjedhje, Istogu mbetet bastion i LDK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 dhjetor 2017 Në ora: 07:59
Isa Mustafa dhe Haki Rugova

Gjersa vazhdon “drama”, analistët politikë thonë se Istogu ka qenë një ndër “betejat” më interesante zgjedhore.

Sipas tyre, Istogu ka qenë i rëndësishëm për LDK-në sepse e kishte bastion, kurse AAK-ja dëshironte fitore me çdo kusht.

Istogu ka qenë komuna më “problematike” në zgjedhjet e këtij viti, e kjo për shkak të garës së “fuqishme” në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Menjëherë pas publikimit të rezultateve të para të balotazhit të 19 nëntorit, fituese në Istog doli LDK-ja me kandidatin e saj, Haki Rugova, mirëpo votat me kusht dhe me postë kanë përmbysur rezultatin duke e bërë fitues AAK-në dhe kandidatin e saj, Gani Dreshajn.

Ky rezultat ka ndikuar në pakënaqësinë e LDK-së, duke bërë ankesa dhe kësisoj duke e dërguar në rivotim Istogun.

Në rivotimin e së dielës, fillimisht printe kandidati Gani Dreshaj, i cili edhe festoi duke shpallur fitoren e tij në Istog. Ndërsa, KQZ pranoi se bëri gabim, dhe se Haki Rugova ishte fitues ne 75 vota më shumë, ndërsa me numërimin e të gjitha votave, atyre me kusht dhe nga diaspora, Dreshaj grumbulloi më pak vota se kandidati i LDK-së dhe kryetari aktual i Istogut, Haki Rugova.

Rugova arriti të marrë 14 vota më shumë se Dreshaj, kësisoj duke u bërë edhe fitues.

Kundërshtime e pakënaqësi tani ka shprehur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por duke mos u marrë për bazë nga PZAP-ja.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e subjektit politik AAK me seli në Prishtinë dega në Istog kundër LDK për shkak të mungesës së votave, për rivotim të zgjedhjeve në komunën e Istogut.

“PZAP-i ka pranuar ankesën nga subjekti politik, Aleancs për Ardhmërinë e Kosovës me seli në Prishtinë dega në Istog, në të cilën pretendon se pas shpalljes së rezultatit preliminar nga ana e KQZ-së në ditën e votimit”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.

Mirëpo, këtë ankesë të AAK-së, PZAP e ka vlerësuar si të pa lejuar.

 “Paneli nuk është lëshuar fare në vlerësimin e pretendimeve ankimore, lidhur me shkeljet e pretenduara në ankesë përkitazi me parreguullësitë në Qendrat e Votimit QVnr. 0622C/01, për faktin se shkeljet që ndërlidhen me rezultatin e votimit, duhet të parashtrohen me rastin e shpalljes së rezultati përfundimtyar nga KQZ-ja, e jo në këtë fazë të procedurës”, thuhet me tutje në këtë vendim.

Gjersa vazhdon “drama”, analistët politikë thonë se Istogu ka qenë një ndër “betejat” më interesante zgjedhore.

Sipas tyre, Istogu ka qenë i rëndësishëm për LDK-në sepse e kishte bastion, kurse AAK-ja dëshironte fitore me çdo kusht.

Para rivotimit në Istog, kandidati i AAK-së Gani Dreshaj, kishte nënshkruar koalicion me PDK-në dhe Vetëvendosjen, e ky koalicion, ka bërë që LDK-ja të kërkonte më tepër fitore.

Image
Bajram Gecaj

Istogu, bastion i LDK-së

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, thotë se fitorja ishte e rëndësishme pasi që ata ishin kundër të gjithëve.

Sipas Gecajt, Istogu ka qenë bastion i përhershëm i LDK-së dhe kjo ka bërë që AAK-ja të interesohej për ta thyer atë basiton.

“Fitorja ishte tej masë e rëndësishme pasi që ishte LDK kundër të gjitheve, si partive në koalicionin PAN dhe AKR ashtu edhe LVV-së. Poashtu, Istogu ishe bastion i përhershëm i LDK-së dhe ndoshta këto edhe ishin arsyet pse edhe AAK dhe tjerët ishin të interesuar të na thyejnë aty ku jemi më  të fortit”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Përderisa, AAK-ja nuk është duke u “dorëzuar” në Istog, duke publikuar video e fotografi që sipas tyre, LDK-ja ka bërë manipulime në zgjedhje, kjo e fundit kërkon certifikimin e rezultateve në Istog.

Image
Dimal Basha

Beteja më interesante

E, sipas analistit politik Dimal Basha, duhet të bëhet certifikimi.

Sipas Bashës, Istogu ka qenë njëra ndër “betejat” më interesante.

“Istogu ka qenë njëra ndër ‘betejat’ më interesante zgjedhore dhe mendoj që nëse vërtetohet që nuk ka pasur manipulime, atëherë do të ishte në interes të qytetarëve të Istogut që të certifikohen rezultatet dhe të fillojë puna që ju është premtuar. Duke marrë parasysh ndasinë që ekziston, unë mendoj se pas certifikimit, është shumë me rëndësi që z. Rugova të bashkon qytetin duke përfaqësuar interesat e gjithë qytetarëve paanime politike”, ka pohuar Basha.

Organizimi i dobët nga KQZ

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi, ka vlerësuar se ripërsëritja e votimit në Istog është dëshmi që ka pasur manipulime nga të dyja palët.

Image
Faik Krasniqi

Sipas Krasniqit, humbja e Istogut nga ana e LDK-së do të ishte e madhe, ndërsa në anën tjetër AAK-ja kërkonte fitore në këtë komun me çdo kusht.

“Humbja e Istogut nga ana e LDK-së, do të ishte humbje e madhe për këtë  parti që është një bastion i fuqishëm i saj. Në anën tjetër AAK-ja poashtu me çdo kusht dëshiron ta fitojë këtë komunë. Ripërsëritja e zgjedhjeve dhe kontestimi nga të dyja taborret, është dëshmi e fortë se ka manipulime nga të dyja palët. Nëse në zgjedhjet paraprake që u ripërsëriten për shkak të dyshimeve për manipulime të votave nga ana e AAK-së, në zgjedhjet e 17 dhjetorit ka dyshime për manipulime të votave nga ana e LDK-së. KQZ-ja është  përgjegjëse për manipulimet e votave nga ana e partive, për shkak të organizimit të dobët të zgjedhjeve dhe hapësirave për vjedhje të votave nga të dyja partitë, prandaj ka ardhur edhe deri tek kjo luftë mes këtyre dy partive, që të dyjat pretendonin se kanë fituar këtë komunë. Sidoqoftë, do të ishte e teëert nëse do të shkohej edhe njëherë në rivotim, dhe kjo tregon se sa është e nevojshme reforma e thellë zgjedhore, në mënyrë që partive politike mos t'u lihet hapësirë për manipulime të votave”, ka theksuar  Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat