Kryeministri i rrenave dhe premtimeve të parealizuara

Politika

Kryeministri i rrenave dhe premtimeve të parealizuara

Nga: Valdrin Nuredini Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 19:21
Ramush Haradinaj

Kryeministri Haradinaj, gjatë fushatës elektorale kishte dhënë premtime të mëdha, të cilat u panë me skepticizëm të madh edhe në opinionin publik. Nuk do të ishte problem nëse Haradinaj do të theksonte se brenda mandatit do t’i zgjidhte ato probleme, por ai ka premtuar se një zgjidhje problemeve të cilat i ka evidentuar, do t’i jap zgjidhje qysh në 100 ditshin e tij të parë si kryeministër i vendit.

Sipas tij, çështja e demarkacionit, liberalizimit të vizave, ri funksionalizim i Trepçës, zgjidhje për pensionistët e minatorët, formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, do të jenë prioritetet e tij në 100 ditshin e parë. Por, ai ka dështuar së realizuari ato të cilat i ka premtuar. Sindroma e premtimeve të parealizueshme e kishte kapluar edhe të nominuarin nga PAN-i për të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinajn. 

Ramush Haradinaj ndoshta edhe i befasuar se si arriti që të jetë i nominuar nga Partia Demokratike e Kosovës, u kaplua nga ndjenjat e kurthit të PDK-së. Si një mandatar për kryeministër, ai shihej shumë i afërt me njerëzit të cilët deri dje i kishte akuzuar për dështimet e shtetit. Konkretisht afërsia e tij me  Kadri Veselin, spikati fushatën e tij elektorale. Sikur Haradinaj dëshironte të tregonte dashuri dhe respekt për Veselin, pasi që i kishte lëshuar vendin e mandatarit.

Tek e fundit, kjo ishte edhe motoja e Haradinajt. I gatshëm për të pranuar çdo kompromis, për të shkelur mbi çdo gjë, vetëm e vetëm të bëhej kryeministër.

Kryeministri Haradinaj, premtoi se çështja e liberalizimit të vizave do të zgjidhet brenda 3 muajve të qeverisjes së tij. Por, ai dështoi në këtë drejtim sepse puna e liberalizimit të vizave vetëm sa ka ngecur edhe më shumë sepse tashmë është krijuar një komision i ri, i cili në fakt nuk ka sjellë asgjë të re. Janë shpenzuar para të shumta nga buxheti i shtetit për të ardhur në një përfundim i cili veçse e ka vështirësuar edhe më shumë çështjen e demarkimit të kufirit.

“Jemi vetëm një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Në takimet e shumta anekënd Kosovës e kam thënë se brenda 3 muajsh Qeveria jonë do ta mundësoj Liberalizimin e Vizave. Edhe sot e përsëriti këtë Zotim: Me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri e krejt Evropoën. Ka ardhë #KohapërFillimineRi. Ka ardhë koha për rrugën evropiane të Kosovës! Pa Viza!”, kishte shkruar atherë Ramush Haradinaj në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, shkruan Mediat Shqiptare.

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, mbetet kushti më i rëndësishëm nga Bashkimi Evropian, për të filluar bisedimet për Liberalizimin e Vizave.  Haradinaj u zotua, se puna e demarkacionit do të jetë prioritet mbi prioritete, në mënyrë që t’i gjendet zgjidhje dhe qytetarët të udhëtojnë pa viza në Evropë. Por, ky proces ka ngecur, Kosova është kthyer disa hapa prapa në këtë drejtim. Përfaqësues të Bashkimit Evropian, në çdo takim bëjnë thirrje se çështja e demarkacionit të zgjidhet sa më shpejtë, pasi që sipas tyre versioni i proceduar në Kuvend, është ai i cili do të jetë çelësi i zgjidhjes së problemeve me vizat.

Përderisa, kjo temë ka mbetur peng e kryeneqësisë së këtij sistemi politik, qytetarët e Kosovës ende mbesin të izoluar dhe shpenzojnë para të shumta në Ambasadat e huaja në Kosovë. Vetëm gjatë viteve 2009-2016, qytetarët e Kosovës, kanë shpenzuar 30 milion euro, gjatë aplikimeve për të u pajisur me vizën “Schengen”. Shpenzime këto të panevojshme, të cilat kanë varfëruar edhe më shumë xhepin e qytetarit të Kosovës. Bëhet fjalë për shpenzime të pakthyeshme.

Kur procesi i demarkacionit po has në vështirësi, edhe bashkëpunëtorët e Haradinajt, sikur që është vëllai i tij, Daut Haradinaj, bëjnë të ditur se kushti nga Bashkimi Evropian sa i përket liberalizimit të vizave është i padrejtë. I padrejtë pasi që partia e tij dhe koalicioni nuk e kanë fuqinë që ta dërgojnë çështjen në fjalë deri në fund.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fushtës elektorale kishte premtuar se gjatë mandatit të tij 4 vjeçar, do të rriten pagat për 30% në sektorin publik. Në buxhetin e parashikuar për vitin 2018, rritja e pagave do të jetë 4%. Për të mbërritur numrin e premtuar prej 30%, rritja e pagave në proporcion me vitet e mandatit, duhej të ishte rreth 8%.

I nominuari për Kryeministër, kishte thënë se Kosova do të vendosë vetë për fatin e saj, pa qenë nevoja që të varemi prej Serbisë. Një shprehje, e cila ra në ujë akoma pa u bërë Kryeministër sepse për të ardhur në krye të Qeverisë, Haradinajt i’u deshën votat e Listës Serbe. Kjo ishte e kundërta e asaj se çka kishte thënë gjatë fushatës.

Haradinaj ka ardhur në krye të vendit me votat e Listës së dirigjuar nga Serbia. Pa ato vota ai nuk do bëhej kryeministër. Ekzistenca e tij në krye të ekzekutivit varet nga ato vota. Në momentet që shtetit të Serbisë, nuk i shkojnë përshtati politikat e Haradinajt, ai do të shkarkohet nga ajo pozitë, shkruan Mediat Shqiptare.

Një sfidë tjetër, sipas tij ishte edhe çështja e energjetikës, konkretisht problemi për sigurimin e thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës, për t’u siguruar qytetarëve energji elektrike të mjaftueshme. Ndonëse, ai premtoi zgjidhje të problemit, ajo gjë nuk u bë ende. Edhe këtu kemi vetëm përkeqësim të gjendjes.

Haradinaj, për shkak të paaftësisë, për të menaxhuar situatën dhe për t’i dhënë zgjidhje problematikës, ai vetëm sa e ka tensionuar situatën me banorët e fshatit Hade dhe Shipitullë. Këta të fundit kanë protestuar sërish, kundër shpronësimit të tokave të tyre. Kjo gjendje e krijuar ka prodhuar një situatë të pakëndshme.

Shteti i Kosovës, në pamundësi të nxjerrjes së thëngjillit për shkak të mosmarrveshjeve me banorët e Hadës dhe Shipitullës, do të detyrohet të importojë thëngjill nga jashtë. Dëmin e shkaktuar nga kjo situatë, si zakonisht do ta bartë qytetari i Kosovës, i cili do të detyrohet ta paguajë rrymën me çmim më të lartë. Mungesa e zgjidhjes së problematikës, do të rezultojë me ngritje të çmimit të energjisë, në vlerën prej 20%.

Ndër sfidat më të rëndësishme, me të cilat është ballafaquar vendi për vite të tëra ka qenë edhe nepotizmi në institucionet publike. Një kancer i heshtur, që ka shkatërruar organizmin e shtetit duke ndikuar negativisht në performancat e shtetit, ka qenë vetë nepotizmi. Haradinaj ishte shumë kundër kësaj dukurie.

Por, kjo nuk ka ndikuar që ai mos ta punësoj dhëndërrin e tij, Liridon Dervishajn në pozitën e drejtorit të menaxhimit të financave në Agjencinë për Menaxhimin e Shëndetësisë. Për ata të cilët nuk e dinë, Liridoni është burri i motrës së Ramush Haradinajt.

Ai këtë veprim e ka arsyetuar me atë se nuk ka qenë në dijeni për këtë gjë dhe se këtë e ka kuptuar prej medieve. Pak e çuditshme që një familjar i afërt të mos i tregojë se ka aplikuar për një pozitë kaq të rëndësishme.

Ramush Haradinaj, si një opozitar i zëshëm, më 16 dhjetor të vitit 2014 kishte shkruar se gjendja socio-ekonomike në të cilën ndodhet Kosova, nuk e lejon shtetin që të ketë më shumë se një zëvendësministër.

“Të nderuar qytetarë të vendit, me një gjendje socio-ekonomike siç po gjindet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një Zëvendësministër. Shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të Ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një Zëvendësminister për Ministri”, shkruante në profilin e tij në Facebook, Haradinaj,

Sipas tij kjo rritje ishte e pakuptimtë dhe se shpenzimet qeveritare po abuzoheshin nga pushteti për interesa të ngushta klienteliste.

Dikur, pra Haradinaj bënte thirrje për zvogëlim të kabinetit qeveritar, gjë e cila ishte e domosdoshme për shtetin pasi që këto veprime sipas tij po tregonin se Kosova po forcohet në Parti-Shtet, shkruan Mediat Shqiptare.

Por, ato thirrje dhe ato këshilla u harruan shumë shpejtë pasi që kur erdhi në pushtet Haradinaj, veproi në mënyrë kategorike kundër fjalëve të tij. Ajo se çka ai shprehu dhe se si veproi kur erdhi në pushtet, tregojnë një antagonizëm të paparë deri më tani.

Qeveria e tij, lëre që nuk e reduktoi stafin por e rriti atë deri në nivelin më të lartë që e ka pasur Kosova ndonjëherë. Në qeverinë Haradinaj, tashmë kemi afërsisht 70 zëvendësministra. Proporcionalisht i bie që nga 5 të jenë për çdo ministri.

Kryeministrit që dikur i pengonin më shumë se 1 zëvendësministër, tashmë nuk i pengon fakti që ministritë e tij i kanë nga 5 zëvendësministra. Krejt kjo shkon në dëm të buxhetit të Kosovës. Por disi duhet që t’i rehatojë ata të cilët i’a mundësuan ardhjen këtu ku është sot.

Kjo paraqet një hipokrizi të madhe në qeverisjen e këtij pushteti. Pasi që premtimet e dhëna në fushatën elektorale kanë rënë në ujë qysh në 3 mujorin e parë të funksionimit të kësaj Qeverie.

Kryeministri Haradinaj, ndoshta edhe kishte premtuar pak si shumë por ato premtime po shihet se në praktikë nuk kanë gjetur zbatim.  Një kryeministër  në cilindo shtet normal të vendeve më demokratike të botës, tashmë do të jepte dorëheqje pas mos aftësive të tij për të menaxhuar me vendin dhe më e keqja futjen e tij në një situatë edhe më të pafavorshme karshi proceseve me të cilat është duke u ballafaquar vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat