Historiku i bisedimeve me Serbinë, ku gaboi Kosova?

Politika

Historiku i bisedimeve me Serbinë, ku gaboi Kosova?

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 19 dhjetor 2017 Në ora: 10:01
Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiq

Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë, si dy shtete të cilat kishin dalë prej një lufte, e cila solli viktima të shumta në mesin e shqiptarëve të Kosovës, kishin shumë tema të cilat ende po mbeteshin të pazgjidhura për shkak të së kaluarës. Për të gjitha ato tema duhej që të bisedohej me një ndërmjetësues, i cili do të ishte përfaqësues i Bashkimit Evropian. 

Përfaqësuesi i cili do të ndërmjetësonte këto bisedime do të ishte nga BE-ja, për arsyen e vetme se marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve, do të ishin faktori kryesor në rrugën e tyre drejtë integrimeve në Bashkimin Evropian.

Por, për të biseduar për tema të rëndësishme të së kaluarës, fillimisht shteti serb duhej që të kërkonte falje për krimet e bëra gjatë luftës, për dokumentet kadastrale të vjedhura, për fondin pensional dhe për shumë krime të tjera të cilat ndodhën gjatë periudhës së luftës dhe okupimit serb. Dëmi i shkaktuar nga shteti serb ishte aq i madh saqë ishte absurde të mos kërkohej dëmshpërblim.

Mbi të gjitha, më një shtet i cili ka vrarë, dhunuar e masakruar shqiptarë të Kosovës, nuk mund të bisedohej pa kushte. Një dialog me Serbinë, nuk do të kishte kuptim duke e harruar të kaluarën, kinse nuk ka ndodhur asgjë. Krimet serbe nuk duhej dhe nuk duhet asnjëherë që të amnistohen. Andaj gabimi në nismë i këtyre bisedimeve ishte se shteti i Kosovës, pranoi që të i futej bisedimeve pa asnjë kusht të vetëm.

Fillimisht bisedimet e tilla ndërmjet dy shteteve, u planifikuan të jenë vetëm teknike kurrsesi politike. Bile akuzave të shumta të Vetëvendosjes, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, i përgjigjej me fjalët se bisedimet Kosovë-Serbi janë vetëm teknike dhe si të tilla do të mbeten. Kjo për faktin se sipas tij asnjëherë nuk do të diskutohet për çështjet të cilat cenojnë integritetin e shtetit të Kosovës.

Nuk u desh shumë kohë që ato bisedime të quajtura teknike, të shkrihen në politike, duke ndërruar edhe rolet e dy përfaqësuesve të shteteve. Orkestrimi i këtyre bisedimeve ka dalë të jetë se çdo herë ka qenë për bisedime politike.

Kjo mund të dëshmohet se vetëm pas disa kohëve, do të bisedohej për kufirin, për telekomin, për të drejtat e serbëve në Kosovë, për targat dhe mbi të gjitha do të bisedohej për një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

E gjithë kjo maratonë e bisedimeve të shumta teknike e më pas politike, filloi në marsin të vitit 2011, atëherë kur e zgjedhura nga shteti  i Kosovës, për ta përfaqësuar vendin në këto bisedime, ishte Edita Tahiri kurse palën serbe e përfaqësonte Borko Stefanoviq. Këto bisedime dhe ky dialog do të njihej si ai i Brukselit.

Këto takime në Bruksel prodhuan edhe disa marrëveshje të cilat u ndërmjetësuan nga David Cooper. Në kuadër të këtyre takimeve, u arritën marrëveshjet, prej tyre ajo edhe për Menaxhimin e Integruar të  Kufijve, e njohur si marrëveshja e IBM-it.

Pas kësaj marrëveshje, këto bisedime, të cilat deri atëherë u quajtën teknike, filluan të marrin ngjyrimet  politike. Pasi që temat për të cilat do të bisedohej kërkonin përfaqësim më të lartë, praktikisht në nivel kryeministrash.

Kjo bëri që drejtimet e anijeve mes palëve biseduese ti merrnin, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daciq. Negociatorët në fjalë u takuan, mbi 10 herë në atë kohë, të cilat edhe u quajtën raunde të bisedimeve. Këto 10 raunde të bisedimeve ndërmjet këtyre dy individëve, prodhuan një lloj marrëveshjeje.

Më 19 prill të vitit 2013 në Bruksel, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Marrëveshja u konsiderua historike për faktin sepse ishte e para e llojit të vet.

Kryeministri Thaçi kishte deklaruar se ai nënshkrim nga pala serbe ishte një njohje e shtetit të Kosovës nga Serbia, një fakt i cili mbeti vetëm në dëshirën e Thaçit pasi që sot e asaj dite, Serbia vazhdon ta mohojë kategorikisht ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Ajo marrëveshje ka ngecur në shumë pika të saj, të cilat edhe janë duke e ngadalësuar rrugën e Kosovës, drejtë antarësimeve në organizatat e huaja. Sipas të dhënave nga organizatat e huaja të cilat operojnë në Kosovë, kemi ngecje në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ka fituar vetëm një derë të vogël për Marrëveshjen e Stabilizim Asocim me Bashkimin Evropian kurse Serbisë u janë ofruar mundësitë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.  Kjo marrëveshje u përcoll me kundërshtime të mëdha në Kosovë, andaj u deshën të kalojnë më shumë se 2 muaj që ajo të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Pas disa muajsh në Kosovë dhe Serbi ndryshuan udhëheqësit e shtetit, pasi që në Kosovë në krye të shtetit erdhi Isa Mustafa kurse në atë të Serbisë, Aleksandër Vuciq, të cilët pas bisedave në Bruksel arritën edhe marrëveshjet të cilat u quajtën edhe “Brukseli 2”. Përveç Asociacionit, u arritën edhe marrëveshjet në lidhje me Telekomin, Urën e Ibrit dhe Energjetikën.
 
Prodhimi i atyre bisedimeve ishte edhe krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, i cili do të krijonte në Kosovë, një bashkësi komunash të cilat do të kishin disa kompetenca specifike, të cilat do të krijon një lloj autonomie brenda shtetit të Kosovës. Ky asociacion do të kishte një kryetar i cili do të kishte të drejtë të nënshkruante marrëveshje me shtete tjera, do ta kishte kuvendin, policinë dhe mbi te gjitha një buxhet special dedikuar këtij grupacioni etnik.

Tash të gjithë mund të pyesim se çka i mungon një grupacioni të jetë një lloj shteti brenda shtetit. Kur një institucion e ka kuvendin, policinë, kryetarin dhe buxhetin po del se kemi të bëjmë më një lloj shteti të pavarësuar sa i përket të drejtave elementare për të funksionuar si shtet.

Ky Asociacion nuk u ratifikua në Kuvend për shkak të kundërshtive dhe protestave të ashpra të cilat u zhvilluan. Tema e Asociacionit ende është aktuale për shkak të vështirësive të cilat kanë dalë në implementim dhe për më tepër votim në Kuvend.

Përderisa Serbia është ofruar edhe më shumë drejtë Bashkimit Evropian, Kosovës është duke i humbur pavarësia e saj shtetërore. Serbia ka dalë të jetë fituese e këtyre bisedimeve pasi që rruga për në BE tashmë është më e shkurtër dhe se Serbia në syrin e shteteve të BE-së, po del si një vend i cili e ka lënë pas të kaluarën dhe dëshiron paqe e stabilitet në rajon e Ballkan.

Kur ne po i analizojmë rezultatin e këtyre bisedimeve të cilat janë udhëhequr nga Edita Tahiri, Hashim Thaçi e nënshkruar nga Mustafa, një Kryeministër i ri i Kosovës ndodhet në Bruksel, i ftuar nga Mogherini në darkën e organizuar me kryeministrat e rajonit.

Ramush Haradinaj është duke shpresuar se nga Brukseli do të kthehet me lajme të mira në lidhje me liberalizimin e vizave, kusht ky që ishte ndër më të rëndësishmit në mes bisedimeve Kosovë-Serbi të zhvilluar për më shumë se 4 vite.

Por Kryeministri aktual i cili e ndihmoi rrëzimin e Qeverisë së kaluar, me arsyetimin se ata nuk kishin kredibilitet për të dërguar proceset përpara është duke u gjendur vet në një situatë kur nuk po mundet që ta kalojë Demarkacionin në Kuvend, si njërin ndër kushtet më të rëndësishëm për liberalizimin e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat