Rruga e vështirë e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO

Politika

Rruga e vështirë e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 dhjetor 2017 Në ora: 13:13
Ilustrim

Integrimi i Kosovës në NATO ka qenë synim edhe i qeverisjes së kaluar, por edhe kësaj aktuale.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtëm në Kosovë, Behgjet Pacolli, është duke marrë pjesë në takimin e në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut (A5), që po i zhvillon punimet në Maqedoni, nën kryesimin e kësaj të fundit.

Pacolli në këtë takim ka deklaruar se hyrjen e Kosovës në NATO nuk mund ta pengojë e as ta vonojë askush prej vendeve të rajonit.

Njohësit e sigurisë kanë thënë për “Bota sot” se kjo është deklaratë politike, pasi që Kosova nuk do të mund të integrohet në NATO as gjatë kësaj legjislature, apo edhe pas disa viteve tjera.

Kosovës i duhet kohë të anëtarësohet në NATO

Profesori i sigurisë, Avni Islami, ka pohuar se deklarata e Pacollit nuk është e bazuar në faktografi.

Image
Avni Islami

Sipas tij, Kosovës i nevojitet kohë që të integrohet në NATO.

Islami ka shtuar se Kosova duhet ta përmbyllë kapitullin që ka me Serbinë dhe pastaj t’i përfundojë disa detyrime ndaj të tjerëve.

“Deklarata e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtëm është deklaratë politike, sesa deklaratë e bazuar në faktografi, pra në fakte. Të gjithë e dijmë që duhet kohë se Kosova të jetë pjesë e NATO-së, jo vetëm në këtë mandat, por edhe në 10 vite të ardhshëm po të diskutohet Kosova nuk do të kishte sukses për shkak se Kosova ka ende probleme me shtetin serb. Kosova duhet një herë e mirë ta përmbyllë kapitullin që ka me Serbinë dhe pastaj t’i kryej disa detyrimet të saj ndaj të tjerëve, në këtë mandat nuk e besoj edhe pse  do të isha i lumtur që Kosova të jetë pjesë e NATO-së,  si mund të jetë kur ne ende nuk e kemi formuar ushtrinë, Kosova ka problem në transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, për shkak se ka problem me kushtetutën e Kosovës, është problem parësor dhe i pakapërcyeshëm, në këtë mandat nuk e besoj”, ka deklaruar Islami për “Bota sot”.

Procedurat që duhet të kalohen

Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka treguar procedura që nevojiten për anëtarësim në NATO.

“Plani i Veprimit për Anëtarësim (PVA). Është aprovuar në Samitin e Uashingtonit të vitit 1999 si një procedurë për vendet që aspirojnë anëtarësim në NATO. Pjesëmarrja e një vendi në PVA monitoron progresin e tij në pesë fusha të ndryshme : 1. Gatishmëri për zgjidhjen në mënyrë të paqshme të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, etnike ose territoriale, vendosmëri në rregullin e ligjit dhe të drejtat e njërit, dhe kontrolli demokratik i forcave të armatosura. 2. Aftësi për të kontribuar në mbrojtjen dhe misionet e organizatës. 3. Përkushtim i mjaftueshëm i burimesh për forcat e armatosura për të plotësuar angazhimet e anëtarësimit. 4. Siguri e informacioneve të ndjeshëm, dhe ruajtja e tij. 5. Përshtatshmëri e legjislacionit të shtetit me bashkëpunim të NATO-së. NATO jep mendime si dhe këshilla teknike për çdo vend dhe vlerëson progresin e tij në bazë individuale. Programi i Partneritetit Individual (IPP) është zhvilluar që të përkrahë programet kryesore që burojnë nga rishikimi i mbrojtjes. Ai përforcon vazhdimësinë e procesit të ristrukturimit duke synuar rritjen e aftësive operacionale të Ushtris të ati vendi që deshiron të antarsohet (Kosova me Forcat e Armatosuta të Republikës se Kosovës)”, ka pohuar Shala.

Image
Drizan Shala

Duke u bazuar në këto procedura, Shala është shprehur se në kushte politike që gjendet Kosova nuk ka mundësi të jetë anëtare e NATO-së.

“ Dhe nga kjo Kosova në kushte politike që gjindet nuk ka mundësi të jetë antare e NATO sepse nga pikat me lartë ne përpos që janë çështje politike si demarkimi i vijes kufitare me Malin e Zi me Serbin dhe për të hy në NATO duhesh të kesh Ushtri dhe FSK në mandatin që ka është vetem force emergjence për nevojat CIVILE dhe në ketë pike ne jemi peng e procesit poltike. Dhe po e ripotencoj para që të jesh antare e NATO-s duhesh të jesh pjese e : a. Programi i Partneritetit Individual (IPP), b. Plani i Veprimit për Antarësim (PVA”, ka nënvizuar Shala.

Anëtarësimi në NATO, jo me këtë Qeveri

Kurse, Fadil Kajtazi ekspert i sigurisë nuk e konsideron të thjeshtë çështjen e Kosovës për Kosovës për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, koha për anëtarësim varet nga kapacitetet intelektuale, demokratike dhe ekonomike.

“NATO është organizatë serioze dhe hyrja në të nuk është çështje e thjeshtë. Kjo ka procedurë e cila sipas një rrjedhë normale respektohet. Kjo procedurë kërkon plotësimin e një sërë kriteresh të cilat janë strikte dhe kërkojnë kohë të përmbushjes së tyre. Kjo kohë a është më e gjatë apo më e shkurtër varet nga kapacitetet intelektuale, demokratike dhe ekonomike që ka një vend. Këto kritere në radhë të parë kanë të bëjnë me nivelin e zhvillimit demokratik të një vendi, legjislacionin që regullon funksionimin dhe kontrollin e sistemit të sigurisë në tërsi dhe forcave të armatosura në veçanti, pastaj aspektet doktrinorë, të standardizimit etj. Këto kapacitete i kanë plotësuar me vështersi vendet të cilat pas ndrrimit të regjimeve të tyre shtetërore kanë aspiruar të jenë pjesë e NATO-së. Merreni vetëm Malin e Zi si shtetin e fundit që ka aderuar në NATO, i cili ka traditë qindravjeçare të ushtrisë, pas shkëputjes nga Serbia ka trashëguar ushtri funksionale si në aspektin organizativ, të kuadrove dhe teknik dhe pas 20 viteve ja arrinë mezi të anëtarësohet”, ka pohuar Kajtazi.

Image
Fadil Kajtazi

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk do të ndodh brenda mandatit të kësaj qeverie.

Kajtazi ka përmendur arsyet e tij, përse Kosova nuk do të anëtarësohet në NATO.

“Pavarësisht dëshirave tona si popull që të jemi pjesë e aleancës me të fuqishme ushtarake të botës, dhe pavarësisht dëshirës së ministrit Pacolli që ta merr "trofeun" e integrimit të Ushtrisë së Kosovës në NATO,  kjo nuk do të ndodh për disa arsye: Së pari mandati i kësaj qeverie do të jetë i shkurtër, së dyti NATO në gjirin e saj pranon vetëm organizata me statusin e ushtrisë, kurse FSK nuk e ka këtë, se treti transferimi i FSK-së në ushtri në përputhje me itenerarin e përcaktuar nga NATO e do një periudhë kohore, kjo lidhet me përmbylljen e sistemit komandues në të gjitha nivelet me nënoficer dhe oficer me shkollim adekuat në përputhje me standardet e pranuara nga NATO. Pavarësisht këtyre, kjo varet edhe nga vullneti i të gjitha shteteve anëtare të cilat anëtarësimin e çdo shteti e miratojnë në Këshillin e NATO-së Dihet se kjo do një koncenzus dhe për shkak se shtetet antare kanë të drejtën e vetos. Kur kihet parasysh qëndrimin e Spanjës, Greqisë, Sllovakisë dhe Rumanisë karshi Kosovës, gjasat për një afat të shkurtër kohor për aderim të Kosovës në NATO janë të voglë, pavarësisht dëshirës dhe kapitalit privat që ka ministri Pacolli. Paraprakish duhet të eliminohe barrierat që përmendëm me lart, pastaj po u eleminuan ato, faktori serbi nuk paraqet ndonjë problem që vlenë për t’u theksuar”, ka theksuar Kajtazi.

Kosova larg NATO-s

Edhe, njohësit e integrimeve evropiane janë të mendimit që Kosova është larg aspiratës për të qenë pjesë e NATO-së.

Image
Sami Blakaj

Sipas njohësit të integrimeve evropiane, Sami Blakaj, vendet e rajoni apo Serbia nuk mund të jetë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Blakaj është shprehur se Kosova duhet të tregojë gatishmëri që mund të inkuadrohet në NATO.

“Është e vërtetë se pengesë kryesore për anëtarësimin e Kosovës në NATO, nuk mund të jetë Serbia apo ndonjë vend tjetër, sikundër që është shumë e vërtetë se pengesë parësore për anëtarësimin e Kosovës në NATO, mund të jetë vetë Kosova! Me këtë dua të them se është pikërisht Republika e Kosovës, ajo nga e cila do varet hyrja ose mos hyrja e saj në NATO. Për të qenë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Republika e Kosovës, ndër të tjera duhet të tregojë gatishmëri për zgjidhjen në mënyrë të paqshme të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, etnike ose territoriale, të ketë vendosmëri në rregullin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, aftësi për të kontribuar në mbrojtjen dhe misionet e organizatës, të dëshmojë përkushtim të mjaftueshëm burimesh për forcat e armatosura, të garantojë siguri për informacionet e ndjeshme dhe ruajtjen e tyre, dhe mbi të gjitha të arrijë përshtatshmërinë e legjislacionit të Kosovës me organizatën ushtarake të NATO-së” ka deklaruar Blakaj.

Ai ka shtuar, se gjykuar me kriteret e përmendura vendi është larg aspiratës për të qenë pjesë e familjes së NATO-së.

“Gjykuar nga kriterët e lartëpërmendura, por marrë për bazë edhe nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit në Kosovë, mendoj se vendi ynë është akoma larg aspiratës për të qenë pjesë e familjes së NATO-s. Kosova dhe udhëheqësit e saj duhet ta kenë fare të qartë se vendi nuk anëtarësohet në NATO dhe as në ndonje mekanizëm tjetër ndërkombëtar vetëm duke premtuar, por duke qenë të gatshëm për të rrugëtuar. Rrugëtimi më i mirë që Kosova duhet të ndjekë është që ndër të tjera të ketë gjyqësor efikas dhe të pavarur, ligje kundër korrupsionit, qeverisje të mirë, si dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore” ka përfunduar Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat