Ramush Tahiri: Nëse nuk kalon projektbuxheti, Qeveria të japë dorëheqje

Politika

Ramush Tahiri: Nëse nuk kalon projektbuxheti, Qeveria të japë dorëheqje

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 dhjetor 2017 Në ora: 22:55
Ramush Tahiri

Në dy seanca radhazi të mbajtura dje dhe sot është diskutuar për projektligjin për buxhet, ku dhe sot është hedhur në votim. Por, ky projektligj shumë i rëndësishëm për qeverinë nuk ka kaluar, pasi nuk ka pasur kuorum. Në sallë kanë qenë vetëm 60 deputetë dhe prej tyre 58 kanë votuar pro, një abstenim dhe një kundër.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se do ta sjellë sërish në votim këtë projektligj.

Lidhur me mosmiratimin e këtij projektligji, politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se në qoftë se buxheti nuk kalon, qeveria duhet të dorëhiqet.

“Nëse nuk kalon buxheti atëherë Qeveria duhet të dorëhiqet. Kjo është shenjë e qartë se nuk e ka përkrahjen në Kuvend. Nëse buxheti nuk kalon me së largu deri në mars të vitit të ardhshëm atëherë bllokohet i gjithë sistemi dhe nuk mund të jepen as pagat. Tash jemi në fazën e procedurave se projektbuxheti është në lexim të parë dhe pengesat po bëhen edhe në mungesë kuorumi. Duhet parë në ditët në vijim edhe raportet ndërmjet partnerëve të koalicionit sidomos rolin e PDK-së si partia më e madhe e koalicionit qeverisës”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, aktualisht projektbuxheti është mollë sherri dhe se rol luan edhe PDK-ja, e cila duket se do të dalë nga qeveria dhe të mbetet në opozitë.

“Sa është e kënaqur me vazhdimin e koalicionit dhe cilat i sheh përfitimet si parti nëse mandati qohet deri në fund, aq më parë se janë shtuar pakënaqësitë brenda radhëve të anëtarësisë pas humbjeve në zgjedhjet komunale dhe po krijohet një platformë se PDK-ja duhet me vetëdëshirë të dalë në opozitë, duke dalë nga Qeveria. Tash për tash projektbuxheti nuk po shihet shumë si mollë sherri në këtë fazë por kundërshtitë do të rriten në ndërkohë”, është shprehur politologu Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat