Dështimi i BE-së përballë Rusisë, dhe përfshirja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Politika

Dështimi i BE-së përballë Rusisë, dhe përfshirja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 dhjetor 2017 Në ora: 20:02
Shqiptarët, SHBA

Ditë më parë në mediat ruse është shkruar se ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice do të jetë përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t`u bërë pjesë e dialogut të Kosovës me Serbinë, si dhe do të jetë e dërguara speciale për Ballkanin.

Por, ky raportim solli reagimin e ambasadës amerikane, ku sipas tyre deri më tani nuk ka informacion se ish sekretarja e shëtit amerikan do të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Por,  lidhur me këtë, politologu Gurakuç Kuçi ka thënë për “Bota sot”,  se mediat ruse janë të kontrolluara, duke shtuar se kjo mund të jetë një propagandë e fuqishme, por që nuk duhet injoruar kjo çështje.

Image
Gurakuç Kuçi

Dështimi i BE-së përballë Rusisë

“Së pari, duhet ta kemi parasysh se po flasim për një informacion nga mediat ruse dhe nga Rusia. Një vend autokrat me media të kontrolluara dhe me demokraci formale, me një propagandë të fuqishme. Andaj edhe lajmet që vijnë nga mediat ruse (dhe serbe) nuk janë që duhet marrë seriozisht, por kjo nuk d.m.th. që duhet injoruar”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Kuçi ka shtuar se pasi që BE-ja po dështon ta ndalë diplomacinë e Rusisë dhe ta bindë Serbinë të ndërrojë anë, SHBA -ja mund të dërgojë një diplomate të kalibrit të lartë si Rice.

“SHBA-ja sigurisht që tani vëmendjen e saj për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti është duke e kthyer fuqishëm, pasi BE-ja po dështon ta ndalë diplomacinë e Rusisë dhe ta bindë Serbinë të ndërroj anë. Dhe për çështje të tilla SHBA-ja sigurisht që dërgon diplomatë të kalibrit të lartë të cilët janë të pathyeshëm dhe me autoritet, si e apostrofuara Condoleeza Rice. Rice si një vajzë e edukuar në shkencat politike, fillimet në politikë i ka pasur si demokrate, për të kaluar pastaj në anën e republikanëve për shkak të mospajtimit me politikat e jashtme të Jimmy Carter-it, por edhe nga ndikimi i babait të saj i cili ishte republikan”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Kuçi ka shtuar se Rice ka treguar përkrahjen e saj për Kosovën dhe se do të fuqizonte pozitën e vendit përkrah BE-së dhe Serbisë.

“Rice është një realiste në politikën e jashtme por edhe një femër e cila ka aftësi dhe integritet tek të dyja taborët në SHBA. Ajo është treguar një përkrahëse e Kosovës, dhe sigurisht që një njeri i tillë vetëm do forconte pozitën inekzistente aktuale që ka Kosova karshi BE-së dhe Serbisë”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.

SHBA e kyçur në dialog

Kurse, analisti Nexhat Haziri ka thënë se SHBA-të e kanë mbështetur gjatë gjithë kohës dialogun që është zhvilluar në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Image
Nexhat Haziri

“Edhe pas kërkesës së kryeministrit Haradinaj për përfshirjen direkte të SHBA-ve në dialogun Kosovë -Serbi, përgjigjja amerikane ka qenë po e njëjta, se ata vazhdojnë të mbështesin këtë dialog, dhe një njëfarë forme ata edhe janë të kyçur në këtë proces”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket asaj se a do të emërojë SHBA-ja Rice për tu bërë përfaqësuese e saj në dialog, Haziri mendon se është spekulative deri sa nuk shohim ndonjë hap zyrtar të Uashingtonit në këtë drejtim.

“Ndërsa asaj që ju i referoheni se SHBA, do të emërojë Condoleezza Rice si të dërguar speciale për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për mua mbetet diçka spekulative deri sa nuk shohim ndonjë hap zyrtar të Uashingtonit në këtë drejtim.  Unë besoj se SHBA-të si edhe deri më tani do të vazhdojnë ta mbështesin dialogun Kosovë-Serbi dhe po ashtu ti japin gjithë përkrahjen e tyre BE-së, si ndërmjetësuese e këtij dialogu”, ka përfunduar Haziri.

T’i liberalizohen vizat Kosovës

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot” ka folur rreth dialogut mes  Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është i pakuptimtë vazhdimi i bisedimeve pa u qartësuar e ardhmja e vendit nga BE-ja.

Image
Faik Krasniqi

“Në këtë format është i pakuptimtë vazhdimi i dialogut pa u zbatuar ato marrëveshje të mëhershme, dhe mbi të gjitha BE-ja pa e qartësuar të ardhmen e Kosovës sa i përket integrimeve evropiane”, ka pohuar ai.

Sipas tij, hapi i parë është heqja e vizave për qytetarët dhe anëtarësimi në këtë organizatë.

“Hapi i parë drejt qartësimit do të ishte heqja e vizave për Kosovën, dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Në këtë mënyrë edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë do të kishte kuptim”, ka theksuar Krasniqi për “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket përfshirjes së SHBA-ve në bisedime përmes Condoleezza Rice, Krasniqi ka thënë se kjo jep shpresë për përparim të këtij dialogu dhe se anëtarësim të Kosovës në BE.

“Përfshirja e SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e posaçërisht emërimi i Condoleezza Rice si e dërguar speciale në këtë dialog, jep shpresë që do të ketë përparim në raportet mes të dyja vendeve. Njëkohësisht edhe shpresat për anëtarësim më të shpejtë të Kosovës në BE, do të ishin më të mëdha. Në të kundërtën, ky dialog nuk do të kishte fare kuptim që të vazhdojë”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat