Paniku i PDK-së nga Gjykata Speciale dhe sulmet ndaj Vetëvendosjes

Politika

Paniku i PDK-së nga Gjykata Speciale dhe sulmet ndaj Vetëvendosjes

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 nëntor 2017 Në ora: 15:47
Kryesia e PDK-së

Para pak ditësh, zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, sulmoi ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e akuzoi e madje e quajti edhe organizatë terroriste dhe klan i hajnave.

“Vetëvendosje u ka futur në palcë frikën atyre që nuk u rreshtuan nga pas. Zyrtarët e tyre dëshmuan se janë të përfshirë në lidhje mafioze, se janë terroristë. Ata po arrestohen e po lirohen sepse gjykatësit po ndjehen të frikësuar nga ta”, deklaroi ndër tjerash Stavileci.

 Kjo deklaratë ngjalli reagime të ndryshme te zyrtarë të Vetëvendosjes.

Image
Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi

Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se partia e tij nuk shqetësohet për deklaratat e pabaza. Sipas Kurteshit, këto deklarata vinë nga mllefi i PDK-së për arsye se ata humbën një qytet të rëndësishëm siç është Prizreni.

“Nga ata pritet gjithçka, siç duket ata me terrorizmin e kanë përfunduar, dhe ju ka dal duqi krejt dhe tash e kanë problemin te Prishtina dhe Prizreni realisht, nuk e kanë problemin te terrorizmi. Kjo deklaratë e tyre vjen për arsye se ata humbën një qytet si Prizreni”, theksoi deputeti i VV-së, Sami Kurteshi.

Ai shtoi se sulmet nga PDK-ja nuk do të ndalen prapë, por Lëvizja Vetëvendosje nuk do të shqetësohet për deklaratat e tyre.

“Ata do të sulmojnë vazhdimisht, do  të bëjnë  përpjekje  kundër Vetëvendosjes, por asnjëherë nuk do të na shqetësojnë, sepse e dimë se atyre ju ka djegur humbja në Prizren”, shtoi më tutje Kurteshi.

Image
Faton Mehmeti

Akuzë e rëndë e Stavilecit

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, e cilëson Blerand Stavilecin si shembull të keq për politikanët e rinj, pasi sipas tij ta quash dikë terrorist që nuk është shpallur i tillë, është akuzë e rëndë që duhet të ndëshkohet sipas ligjeve.

“Tashmë është e qartë se Blerandi është shembull i keq i një politikani të ri, që do të duhej të ishte shembull i një politikani me vizion dhe çasje pragmatike.Të quash dikë terrorist që nuk është shpallur i tillë, është akuzë e rëndë që duhet tëndëshkohet sipas ligjeve”, theksoi Mehmeti për “Bota sot”.

Mehmeti shtoi se Stavileci është bërë vegël e klanit “Pronto” dhe se këto deklarata mund të tensionojnë gjendjen e sigurisë në vend e të cilat edhe mund të prodhojnë dhunë.

“Blerandi është vegël e klanit " Pronto" në vend se të ishte refornator. Si duket afrimi i akuzave të para nga Gjykata Speciale ka shtuar akuzat e klanit " Pronto" dhe humbja e torruas ndaj të gjithë kundërshtarëve politikë. Kjo mund të tensionon gjendjen e sigurisë në vend, dhe rrjedhimisht të prodhoj dhunë. Blerandi, si vegël e Kadriut është fytyra e vërtetë e një PDK-je të ndërtuar mbi gënjeshtra, mashtrime dhe shantazhe”, u shpreh më tutje analisti Mehmeti.

Image
Leon Duhanaj

Arsyetimi për deklaratat e Vetëvendosjes

Kurse, analisti Leon Duhanaj, thotë se këto akuza nuk janë të mira për politiken në vend, mirëpo vendimi i fundit i Gjykatës për dënimin me burg të anëtarëve të Vetëvendosjes mund të jetë një arsyetim për deklaratat e PDK-së

“Natyrisht që këso akuzash, nuk janë të shëndetshme për harmoninë politike. Megjithatë, bazuar në vendimin e fundit të gjykatës mbi grupin që sulmojë Kuvendin, atëherë këso deklaratash mund edhe të arsyetojnë. Vepra si e tillë, ka karakter terrorist dhe nëse është dëshmuar pafajësia dhe LVV-je prap qëndron pas këtij grupi, atëherë mund të arsyetojnë deklaratat”, ka thënë Duhanaj.

Image
Hajrullah Tërnava

PDK-së i ka humbur kontrolli

Në anën tjetër, Hajrullah Tërnava, ekspert i çështjeve të sigurisë, theksoi se PDK-së i ka humbur kontrolli dhe nuk e dinë as vet se çfarë po flasin, ku sipas Tërnavës, kjo është për shkak të rënies së saj si parti e tretë apo edhe më poshtë.

"Akuzat e Stavilecit janë të pakontolluara dhe jo korrekte, për shkak se nga një qeverisje e gjatë e PDK-së si parti e parë në vend, tani ajo ka rënie dhe llogaritet si partie dorës së tretë apo edhe më poshtë", ka thënë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Tërnava ka shtuar se PDK-në e ka kapur paniku nga Gjykata Speciale, dhe kjo mund të jetë një tjetër arsye e këtyre akuzave.

"Kjo parti ka hyrë në fazën e panikut sepse Gjykata Speciale ua ka përkujtuar udhëheqësve të kësaj partie se shumë shpejt do të gjinden në Hagë. Ndoshta I gjithë qëllimi I kësaj sjellje nga këta përfaqësues të PDK-së ndaj VV-së, është që të destabilizohet situata në vend, si mënyre kërcënimi ndaj Speciales", ka përfunduar eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat