“Përmbysja e rezultatit në Istog, si fitoi Dreshaj me emra të vdekurish serbë, boshnjakë e malezez?!”

Politika

“Përmbysja e rezultatit në Istog, si fitoi Dreshaj me emra të vdekurish serbë, boshnjakë e malezez?!”

Nga: A.ZH Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 21:44
Fotografi nga varret e personave që “votuan” në Istog

Përmbysja e rezultatit për kryetar të Komunës së Istogut nga kandidati I AAK-së Gani Dreshaj, ndaj atij të LDK-së Haki Rugova, ka ngjallur reagime të shumta.

Kjo pasi në balotazhin e mbajtur më 19 nëntor, në këtë komunë , fitues kishte dalë Haki Rugova me 671 vota në epërsi ndaj Gani Dreshajt.

Mirëpo, numërimi i votave me kusht dhe me postë gjatë ditës së djeshme, e kanë nxjerr Dreshajn fitues të garës, duke marrë 1,475 vota ndaj 133 sa pati për Rugovën.

Pas publikimit të rezultateve, Haki Rugova, e ka kontestuar këtë rezultat, duke thënë se “kanë votuar persona të vdekur”.

Ai ka thënë se mbetet kryetar i Komunës dhe si i tillë do të vazhdojë të sillet.

“Totalisht janë të parregullta votat që vijnë me postë.  Kanë ardhur vota me postë në emër të njerëzve të vdekur. Ka parregullsi në qendra të Malit të Zi, Austrisë dhe Sllovenisë. Kjo është parë edhe atë ditë kur kanë ardhur. Ky proces është i manipuluar dhe unë mbetem kryetar i komunës, unë e kam marrë mandatin për kryetar dhe sillem si i tillë”, është shprehur Rugova.

Edhe sipas kryetarit të LDK-së Isa Mustafa,  fitorja në Istog kësaj partie, iu mor me emra të vdekurish që votuan nga Mali i Zi, Austria e Sllovenia.

 “Serbët, malazezët, boshnjakët. po u dashka të vendosin për Kryetar të Istogut, me kontigjente të eksportuara të votave në emër të tyre. Në qoftë se e lejojmë këtë rast, atëherë kjo bëhet dukuri dhe nuk kemi pse të mbajmë zgjedhje në Kosovë, sepse porositë e votave përmes serbëve, do ta deformojnë vullnetin qytetar”, ka shkruar ai sot në një postim në Facebook.

Ndërkohë, LDK ka paraqitur ankesë sot pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në të cilën pretendohet se përmes tri metodave të votimit, është manipuluar rezultati i zgjedhjeve në Komunën e Istogut.

Image
Fotografi nga varret e personave që “votuan” në Istog

LDK ka thënë se ka prova për “manipulimin e procesit të votimit me postë në Istog, pasi posedon fotografi nga varret e personave që kanë vdekur vite më parë, e që kanë “votuar” në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Istogut.

“Aktvdekjeje, madje edhe fotografi të varreve të personave të cilët kanë vdekur vite më parë e që në këtë proces del të kenë ‘votuar’ përmes postës për kryetar të Komunës së Istogut”, thuhet në ankesën që LDK e ka paraqitur në PZAP.

Ndërsa, publicisti dhe analisti politik Faik Krasniqi, duke komentuar rezultatin në këtë komunë, ka thënë se nëse LDK-ja ka argument për vota të manipuluara, ato duhet t’i paraqes në KQZ për t’i verifikuar.

Image
Faik Krasniqi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se votat e manipuluara duhet t’i hiqen kandidatit të AAK-së, Gani Dreshaj.

Mirëpo, sipas tij, nëse KQZ nuk verteton akuzat e LDK, kjo e fundit, duhet të pranojë vullnetin e qytetarëve të Istogut.

“Nëse LDK-ja ka argumente për vota të manipuluara, atëherë ato duhet t'i paraqes në KQZ për t'u verifikuar, dhe ato vota t'i hiqen kandidatit të AAK-së. Gjithashtu edhe e kundërta. Por nëse KQZ nuk konstaton një gjë të tillë, atëherë LDK-ja duhet ta pranojë vullnetin e sovranit”, është shprehur Faik Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat