Agim Bahtiri tregon arsyet që ia sollën fitoren në Mitrovicë, “thumbon” Kadri Veselin

Politika

Agim Bahtiri tregon arsyet që ia sollën fitoren në Mitrovicë, “thumbon” Kadri Veselin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 nëntor 2017 Në ora: 16:49
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri

Kandidati i Aleancës Kosova e Re Agim Bahtiri, ka fituar një mandat të dytë për të udhëhequr në Komunën e Mitrovicës. Ai në balotazhin e 22 tetorit, ka fituar 57,33%  ose 16.233 vota, duke lënë pas kandidaten e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi, që ka marrë 42,67% apo 12.084 vota.

Bahtiri, duke komentuar këtë rezultat, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shprehur falënderimin e tij ndaj qytetarët, të cilët i kanë besuar përmes votës së tyre.

Ai ka përmendur edhe arsyet, për të cilat mendon se ka fituar një mandat të dytë.

“Së pari, i falënderoj të gjithë qytetarët, të cilët me të vërtetë kanë treguar një kulturë të lartë të pjekurisë, por edhe një kulturë të lartë të demokracisë. Është e para herë që ka ndodhë që qytetarët kanë qenë të lirë, të bëjnë fushatë të lirë dhe në fund të japin aty votën ku ata kanë dëshiruar dhe kanë pasur besim. Mendoj se puna ime dhe e stafit tim, për katër vjet me radhë, që kemi punuar palodhshëm dhe me një kthim dhe ndryshim total të qytetit me të mirat e qytetarëve, ka bërë që qytetarët nuk kanë dashur të humbin këtë njeri, i cili ka vizion evropian dhe përgatitje menaxheriale ndërkombëtare, për të vazhduar punën edhe për katër vite të tjera”, ka deklaruar Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës ka treguar se gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ishte i pranishëm në Mitrovicë me partinë e tij.

Por, sipas Bahtirit, qytetarët e kanë kuptuar se qeverisja e PDK-së në Mitrovicë, ishte jashtëzakonisht e keqe, andaj siç ka theksuar ai, ata, përmes votës së tyre, kanë luftuar sërish të keqen në këtë komunë.

“Ndryshimi mes meje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ka qenë jashtëzakonisht i madh, për arsye se qytetarët e dinë se këta njerëz kanë qeverisur në të kaluarën dhe puna e tyre është cilësuar jashtëzakonisht e keqe dhe si e tillë, njerëzit kanë dashur të luftojnë të keqen përsëri në Mitrovicë dhe nuk i kanë dhënë më mundësi. Kjo ka qenë diferenca mes meje dhe Kadri Veselit, i cili ka qenë këtu i pranishëm me krejt shtetin e vet, por edhe me njerëz të tjerë jashtë Mitrovicës, Por, qytetarët e kanë kuptuar këtë, se e keqja nuk duhet të instalohet më asnjëherë në Mitrovicë dhe i kanë dhënë mbështetje të mirës dhe mendoj se e mira për qytetarët është në duar të tyre”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.

Ai është zotuar se edhe në të ardhmen, nuk do të marrë asnjë vendim pa qytetarët.

“Kryetari deri tani asnjëherë nuk ka marrë vendime pa qytetarët dhe çdo vendim do të merr përsëri me qytetarët, për arsye se çdo herë e kam ndier veten si shërbëtor i qytetarëve dhe do ta ndjej edhe në të ardhmen”, ka shtuar për “Bota sot”, Agim Bahtiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat