17 vjet padrejtësi për vrasjen e publicistit Xhemajl Mustafa

Politika

17 vjet padrejtësi për vrasjen e publicistit Xhemajl Mustafa

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 23 nëntor 2017 Në ora: 12:28
Pamje nga varrimi i Xhemajl Mustafës

Vrasja e publicistit Xhemajl Mustafa përbën një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura menjëherë pasluftës në Kosovë. Pavarësisht hetimeve të cilat janë bërë nga organet e drejtësisë, kjo vrasje vazhdon të mbetet enigmë.

Vite më parë, u tha se hetimet për këtë vrasje janë në fazën preliminare. Po ashtu, u tha se në këtë vrasje ka gisht një deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa asnjëherë nuk pati ndonjë hetim përfundimtar apo edhe ndonjë të vërtetë të këtyre akuzave. Ne kemi kërkuar përgjigje zyrtare nga Prokuroria e Shtetit dhe EULEX-i por që nga asnjëra nuk kemi marrë përgjigje.

Image
Vajza e Xhemail Mustafës, Beriana

Beriane Mustafa: Drejtësia është selektive

Vajza e Xhemail Mustafës, Beriana në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se në Kosovë drejtësia është selektive dhe komandohet nga ata të cilët kanë dorë në vrasjet politike ne vend.

“Thirrjet e mia për drejtësi janë shndërruar në klishe. Ne nuk kemi asnjë informatë të re rreth rastit. Në Kosovë drejtësia është selektive dhe komandohet nga ata të cilët kanë  dorë në vrasjet politike ne vend” ka thënë ajo.

Kurse, në pyetjen e parashtruar se A prisni diçka nga Gjykata Speciale, pasi qe shpesh është thënë se do ti hetoj edhe këto vrasje politike: Beriane Mustafa ka thenë “Nuk e di. Jam shume e rezervuar. Nuk kam shpresa” ka deklaruar Beriane.

Ajo ka shpjeguar se vetëm atëherë kur të trajtohen të gjitha vrasjet politike mund të ketë një rikthim shprese.

“Vetëm kur fillojnë të trajtohen vrasjet politike dhe krimet e luftës si duhet në ketë sistem të drejtësisë, që ata të marrin dënimin e duhur, atëherë mund të flasim për një rikthim shprese në sistemin e drejtësisë në Kosovë” ka përfunduar Vajza e Xhemail Mustafës, Beriana Mustafa.

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Vrasja e Xhemajl Mustafës është nga më tronditëset

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë për “Bota sot” vrasja e Xhemajl Mustafës është vrasja më makabre e pasluftës në Kosovë, sepse është këputur jeta e njërës nga figurat  më madhore kombëtare shqiptare të fillim shekullit 21, është shuar jeta e atdhetarit dhe intelektualit,mendimtarit e politikanit  më të mprehtë, të urtë dhe nga më të dobishmit për kauzën kombëtare dhe prosperitetin e shqiptarëve të Kosovës.

“Pikërisht këto vlera ishin arsyeja e pezmatimit të kundërshtarëve politikë të LDK-së, të cilët pikëpamjet e Xhemës i shihnin pengesë të marrjes së pushtetit, të vetëdijshëm se e kishin të pamundur t"u konkurroni demokratëve të profilit të Xhumajl Mustafës, që të vërtetën dhe drejtësinë e kishin vizion për forcimin e kombit dhe të atdheut. Prandaj, u qëllua Xhemajl Mustafa dhe shumë bashkëmendimtarë të tij,   veprimtarët e devotshëm si Enver Maloku, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, Shefki Popova, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj, Ismet Raci, Uke Bytyci, Sebahate Tolaj, Shaban Manaj, e shumë të tjerë që kishin guximin dhe kurajën ta thoshin të vërtetën dhe të punonin për të mirën e vendit. Vrasja e Xhemajl Mustafës është nga më tronditëset, sepse, ishte bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe zëdhënësi më besnik i idealeve rugoviane, prandaj, vrasja e Xhemajl Mustafës ka qenë e dyfishtë, sepse ia ka dobësuar krahun personalisht Presidentit Rugova” ka thënë Zogaj.

Sipas tij, e gjithë kjo tregon se, vrasësit e Xhemajl Mustafës i përkasin kupolës antidemokratike shqiptare të Kosovës, nëntokës kriminale politike të majtizmit ekstrem të Kosovës, që, në luftën për pushtet ka asgjësuar vlerat më të shenjta njerëzore të Kosovës.

“Këtë bindje e forcon propaganda dhe angazhimi intensiv i kuluareve të caktuara shtetërore, të cilat jo vetëm që nuk janë angazhuar për të zbardhur vrasjet politike, por në vazhdimësi kanë spekuluar në lidhje me vrasjen dhe vrasësit e mundshëm, me qëllim të fshehjes së krimeve. Kjo del e besueshme sepse, spekulimet janë të afërta me qarqet që supozohet se janë të inkriminuara. Kjo është gjame e rëndë, që institucionet shtetërore por edhe shoqëria civile, nuk guxojnë ta tolerojnë, sepse, pa zbulimin  dhe dënimin e vrasësve gjakatarë  nuk mund të ketë Kosovë stabile dhe zhvillim normal të vendit”, ka theksuar Skender Zogaj.

Për Zogajn, vrasësit nuk ka fije dyshimi se janë midis nesh, të strehuar dhe institucionet shtetërore duhet ta kuptojnë se, nuk është mirë të bëhen strehë e kriminelëve.

“Familja e Xhemajl Mustafës edhe pse e përvëluar nga humbja e madhe, ka qëndruar dhe vazhdon ta ruaj dinjitetin e saj, e heshtur duke pritur që të zbardhet e vërteta dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar” ka thënë njohësi i çështjeve politike në vend Skënder Zogaj.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Për vrasjen e Xhemajl Mustafës, kanë dëshmi ndërkombëtarët

Kurse sipas analisti politik Nexhat Haziri, vrasja e një prej personaliteteve më të njohura të kohës, të periudhës më të ndritur të historisë së shqiptarëve, të përpjekjeve biblike të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe demokraci, dhe në kohën kurë Kosova ia kishte arritur synimit për të qenë një vend i lirë, vrasja e Xhemajl Mustafës, ishte goditja me e pa besë që mund ti bëhej Kosovës dhe ndjenjës së lirisë.

“Kjo vrasje e cilësuar si politike, kishte synim goditjen dhe dobësimin e LDK-se dhe presidentin Rugova, nga kundërshtarët politik, pas këta zë fundit e kuptuan se besimi që kishin qytetarët ndaj vizionit te presidentit Rugova dhe të bashkëpunëtorit më të afërt të tij Xhemajl Mustafa ishte i pathyeshëm. Se vrasja e Xhemajl Mustafës është politike, të tillë e kanë cilësuar edhe organizmat ndërkombëtar që merren me çështje të sigurisë, por që drejtësia asnjëherë nuk ndërmori as një hap për zbardhjen e kësaj vrasje, sikur edhe për vrasjet e tjera të personaliteteve politike të afërta me LDK. E Kam, thënë edhe më parë se për vrasjen e Xhemajl Mustafës por edhe për vrasjet e tjera politike në Kosovë, kanë dëshmi ndërkombëtarët dhe nëse do të ekzistonte një vullnet i mira sidomos për periudhën kurë UNMIK-u qeveriste me Kosovën, do të zbardhej vrasja e Xhemajl Mustafës dhe akterët e këtij akti kriminal tani do të ishin Duke e vuajtur dënimin dhe jo të jenë përfaqësues politik dhe shtetëror siç janë të akomoduar aktualisht” ka thënë ai.

Sipas Hazirit, mos zbardhja e kësaj vrasje nga administrata e UNMIK-ut në atë kohë është bërë për shkak të ruajtjes së të ashtuquajturit stabilitet të brendshëm politik, pasi në këtë vrasje sipas të dhënave të shërbimeve ndërkombëtare të inteligjencës janë të përfshirë edhe njerëz të forte, komandant të UÇK-së.

“Kujtoj se është koha e fundit që faktori ndërkombëtar ti bëjë një shërbim Kosovës. Duke iu ofruar këto dëshmi institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe të kontribuojë ne zbardhjen e vrasjes së Xhemajl Mustafës dhe vrasjeve të tjera politike në vend. Kjo do i hapte rruga dekriminalizimit të skenës politike në vend, familjeve sado pak do iu kthehej qetësia shpirtërore dhe Kosova nuk do ta barte këtë barrë të rend si gur rrethe qafës nga nja pjesë e erret të kaluarës së sajë të afërt”, ka theksuar ai.

Ndryshe, Xhemail Mustafa u lind më 23 gusht 1953 në Gllamnik të Podujevës. Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së më 23 dhjetor 1989. U vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë.

Që nga themelimi i LDK-së e deri në ditën e vrasjes, ishte këshilltar i presidentit të LDK-së dhe Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat