“Grupi Kumanova”, kundërshtohet vendimi i Haradinajt

Politika

“Grupi Kumanova”, kundërshtohet vendimi i Haradinajt

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 nëntor 2017 Në ora: 22:54
Grupi i Kumanoves

Dënimi i disa shqiptarëve nga Kosova në Maqedoni për rastin “Kumanova” ka sjellë reagime të shumta ndër troje shqiptare.

Kundër vendimit të Gjykatës së Shkupin, ishin realizuar edhe protesta jo vetëm në Maqedoni, por edhe Kosovë.

Në mbështetje të familjarëve të të dënuarve dhe të vrarëve në Kumanovë, qeveria e Kosovës, pas protestës së qytetarëve, ka ndarë 219 mijë euro për familjarët.

Vetë kryeministri e njoftoi masën në favor të familjarëve të të dënuarve të “Kumanovës” në mbledhjen e qeverisë.

Ai tha se nga 10 mijë euro do t’u takojnë familjeve të të dënuarve dhe të vrarëve të përleshjes së 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë. Paratë do të ndahen nga kategoria e rezervave shtetërore.

Mirëpo, kundër këtij vendimi është shprehur Qeveria maqedonase, e cila është shprehur se ky vendim nuk është në pajtim me vlerat evropiane.

Kundërshtimin ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, e ka dhënë ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili dje në takimin me Ministren e Integrimeve të  Kosovës, Dhurata Hoxha, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarje të mjeteve financiare për përkrahje materiale të familjeve të personave të dënuar, shtetas të Kosovës, nuk është në pajtim me vlerat evropiane.

Në këtë takim u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin rajonal dhe atë bilateral, të cilët shënojnë rritje në periudhën e fundit.

Duke komentuar mos pranimin e mjeteve financiare nga pala maqedonase, analistët politikë shqiptarë  konsiderojnë se rasti “Kumanova” duhet të zbardhet dhe ndarja e fondeve nga Kosova nuk është hap i duhur.

Te zbulohet roli i shërbimeve sekrete

Politologu dhe gazetari shqiptar në Maqedoni, Xhenis Sulimani, konsideron se Haradinaj duhet të fokusohet në zbardhjen e procesit kontrovers politiko-gjyqësor.

Image
Xhenis Sulimani

“Unë kam ndjekur nga afër seancat gjyqësore të a.q. Grupi i Kumanovës. Vlerësoj se propozimi i kryeministrit  nga Kosova ka qenë shumë njerëzor, për faktin se një numër i madh i familjarëve të të dënuarve kanë bërë shumë rrugë, brenda 2 vjetëve-sa zgjati procesi gjyqësor. Megjithatë, konsideroj që Ramuash Haradinaj duhet më tepër të fokusohet në zbardhjen e këtij procesi kontrovers politiko-gjyqësor. Grupi gjatë gjithë kohës kanë përmendur përfshirjen e shërbimeve në këtë rast. Në rolin e kryeministrit në bashkëpunim me institucionet e Maqedonisë, Haradinaj duhet të punojë në zbardhjen e rastit dhe të dekodojë qëllimet e errëta të këtij rasti. Kush e solli grupin në Kumanovë? Kush i siguroi ata gjatë rrugëtimit dhe në kurthin e kujt ranë?! Ende mbeten pyetje pa përgjigje”, pohon Sulimani.

Vendim jo i qëlluar

Edhe, analisti politik, Zudi Xhelili, thotë se ndarja e fondeve nga ana e Qeverisë së Kosovës për familjarët e rastit “Kumanova” nuk është e qëlluar, sepse ata kanë nevojë për diçka më të madhe se sa ndihma financiare.

Image
Zudi Xhelili

Sipas Xhelilit, dyshimi i qeverisë dhe partive politike shqiptare për rastin, ka bërë që të kundërshtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës.

“Sa i përket rastit "Kumanova", gati të gjitha partitë politike shqiptare u deklaruan se duhet asitencë ndërkombëtare. Meqenëse edhe vetë kryeministri, Zoran Zaev, gjithashtu kishte thënë se ky rast për t`u ndriçuar deri në fund, do të kërkojmë ndihmë ndërkombëtare, kjo nënkupton se faktorët kryesorë në vend dyshojnë se rasti "Kumanova" është ajo që realisht di opinioni në vend. Ky dyshim i qeverisë dhe i partive politike shqiptare d.m.th. që ka gjasa që rasti të ndriçohet deri në fund dhe prandaj ndoshta janë kundërshtuar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarje parash për familjarët. Qeveria e Kosovës duhet të komunikojë dhe të bashkëpunojë me Qeverinë e Maqedonisë, në interes të qytetarëve të saj. Në këtë moment, ndarja e parave për familjarët e rastit "Kumanova" mund mos të jetë vendim i qëlluar. Ata kane nevojë për diçka më të madhe, sesa ndihmat financiare, respektivisht ata kanë marrë dënime shumë te larta. Vendimi i Qeverisë së Kosovës, jo se është në kundërshtim me vlerat evropiane, por mendoj se është pritur një qasje tjetër më diplomatike”, thekson Xhelili.

Gjykata e Shkupit ka dënuar më 2 nëntor të këtij viti, me 746 burg 37 pjesëtarët e grupit e grupit të “Kumanovës”. 7 prej të akuzuarve janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa 4 janë shpallur të pafajshëm, për shkak të mungesës së provave. Pas shpalljes se vendimit te pandehurit akuzuan politikanët shqiptarë për tradhti.

Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës. Ata akuzohen nga shteti maqedonas se janë organizatorët e ngjarjeve tragjike në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, u vranë 8 pjesëtarë të forcave të policisë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur, ndërsa mbi 40 persona të tjerë mbetën të plagosur./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat