Pasaporta shqiptare për qytetarët e Kosovës, Zogaj: Tallje, Kosova të plotësojë kushtet për vizat

Politika

Pasaporta shqiptare për qytetarët e Kosovës, Zogaj: Tallje, Kosova të plotësojë kushtet për vizat

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 nëntor 2017 Në ora: 21:03
Pasaporta shqiptare

Lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës vazhdon të jetë e parealizueshme, për shkak se Kosova ende nuk ka fituar liberalizimin e vizave. E derisa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kërkoi nga Shqipëria që të pajisë shtetasit e Kosovës me pasaporta shqiptare, një gjë e tillë duket se nuk do të bëhet.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë të hënën, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se Kosova duhet ta kërkojë nga BE liberalizimin dhe jo përmes Shqipërisë.

Ai tha se Kosova duhet të fokusohet në përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave, derisa shtoi se Shqipëria mbështet një zgjidhje nga Bashkimi Evropian për çështjen e vizave të qytetarët e Kosovës.

Lidhur me këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Kosova duhet t’i ndjekë procedurat e rregullta që të fitojë liberalizimin e vizave dhe të gjitha tjerat janë vetëm tallje apo bëhen nga mosdija.

Image
Skënder Zogaj

“Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ru?i, nuk ka thënë asgjë të re, vetëm e ka përsëritur atë që ka thënë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta rreth pasaportave dhe vizave që Kosova nuk duhet t'i kërkojë në Shqipëri por në BE. Dhe, e vetmja rrugë që duhet të ndiqet është përmes procedurave të rregullta dhe kushteve që Kosova duhet t'i plotësojë. Të gjitha orvatjet e tjera janë thashetheme dhe bëhen ose nga mosdija ose për tallje të publikut, i cili në Kosovë e ka humbur arsyen dhe, për fat të keq, gënjeshtrën e beson me shumë se të vërtetën”, është shprehur Zogaj.

Sipas tij, Kosova është deklaruar për integrim në BE, andaj duhet t’i plotësojë kushtet që qytetarët e saj të lëvizin të lirë.

“Po e them këtë, sepse, deklarata e Presidentit Thaçi për pajisjen e shtetasve të Kosovës me pasaporta të Shqipërisë, qe mirëpritur nga një pjesë bukur e madhe e injorancës së Kosovës. Pra, Kosova duhet të kuptojë njëherë e mirë se, është deklaruar për integrim në BE prandaj, duhet të plotësojë të gjitha kushtet që i kërkohen nga BE-ja në mënyrë që sa më parë të gëzojë liberalizimin e vizave, që duhet të fitohet e jo të dhurohet”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat