Dy opsionet e Kosovës për ushtrinë, ja afati vendimtar për formimin e saj

Politika

Dy opsionet e Kosovës për ushtrinë, ja afati vendimtar për formimin e saj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 tetor 2017 Në ora: 11:09
Forcat e sigurisë së Kosovës

Ditë më parë kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se Ushtria e Kosovës, është vetëm çështje muajsh. Sipas tij, Kosova vetëm po pret dritën e gjelbërt nga SHBA-ja.

Derisa premtoi se ushtria do të formohet ai nuk përmendi edhe sfidat deri tek krijimi i saj, pasi dihet se kundërshtari më i madh i Ushtrisë së Kosovës, Lista Serbe është pjesë përbërëse e Qeverisë.

Të kontaktuar nga “Bota sot”, zyrtarë nga Qeveria nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se kur mund të krijohet ajo dhe sa sfiduese mund të jetë.

Selimi: S’ka ushtri nëse buxheti për FSK-në është sikurse vitin e kaluar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili është edhe zëvendëskryetar i komisionit për Siguri dhe Punë të Brendshme, ka thënë se edhe qëndrimi i Listës Serbe është qëndrim i Qeverisë së Kosovës, andaj, sipas tij, pritet të shihet javën e ardhshme nëse kjo qeveri do ta themelojë ushtrinë.

Image
Rexhep Selimi

“Lista Serbe, si pjesë e koalicionit qeverisës, dhe qëndrimi i tyre është qëndrim i një pjese të qeverisë së Kosovës. Megjithatë, se a do ta themelojë Qeveria e Kosovës ushtrinë apo jo do ta mësojmë në javën e ardhshme kur ta shohim se sa buxhet kanë ndarë për këtë gjë”, ka thënë deputeti Selimi për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se nëse buxheti për FSK-në është sikurse vitin e kaluar, atëherë nuk do të ndodhë themelimi i ushtrisë.

“Nëse përsëri do ta kemi buxhetin e FSK-së të njëjtë apo të përafërt me vitin e kaluar, atëherë edhe gënjeshtra do të jetë e njëjtë me atë të vitit të kaluar”, ka thënë ai.

Millaku: Qeveria e varur nga Lista serbe s’e ka në rend ushtrinë

Edhe anëtarja tjetër nga Komisioni i Sigurisë, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka thënë se themelimi i ushtrisë është shumë i vështirë, për shkak se në njërën anë ka pengesa nga komuniteti serb, ndërsa në anën tjetër nëse bëhet me ligjin aktual, mund të haset në problem tek moskonfirmimi nga ndërkombëtarët.

Image
Drita Millaku

“Formimi i ushtrisë është thuaja i pamundur pa përkrahjen e komuniteteve pakicë e veçanërisht të komunitetit serb, i cili nuk ka disponim për këtë çështje. Sidoqoftë, formimi i ushtrisë mund të bëhet edhe në kuadër të ligjit aktual edhe pa përkrahjen e serbëve, por do të ketë probleme për afirmimin ndërkombëtar”, ka vlerësuar deputetja Millaku.

Sipas saj, kjo qeveri për shkak të varësisë së saj nga Lista serbe, as që do të diskutojë e lëre më të marrë veprime.

“Për  formimin e ushtrisë duhet veprime konkrete e jo deklarata sa për elektorat. Jam e bindur se kjo qeveri nuk e ka as në rend dite diskutimin e ushtrisë”, ka thënë ajo.

Ndërkombëtarët mund të “zhbllokojnë” formimin e ushtrisë?

Ndërkaq, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se formimi i ushtrisë nga kjo qeveri, është i pamundur.

“Një qeveri si tani kjo e sotit me 61 deputetë, e kur të kihet parasysh se në këtë numër marrin pjesë edhe Lista Serbe prej 10 deputetëve, nuk ka shans formimi i ushtrisë së Kosovës. Kjo qeveri le që s’i ka 2/3 e deputetëve në parlament si kusht për miratimin kushtetues të formimit të ushtrisë,  por kushti më i rëndë është ai i Listës Serbe, që vetëm kjo listë duhet ta votojë mbi 80% këtë ligj, që të jetë i plotëfuqishëm, e kur e dimë se pikërisht Lista Serbe është kundërshtuesja më e madhe për miratimin e Ligjit mbi formimin e ushtrisë”, ka vlerësuar Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai ka theksuar tutje se vetë brishtësia e kësaj Qeverie, është sfidë dhe pengesë për formimin e ushtrisë.

“Në të ardhmen kur duhen të mbahen zgjedhje të reja dhe të formohet Qeveria e re, duhet t’a kemi parasysh faktin se në këtë qeveri duhen të jenë në numër të madh delegatët, të cilët do ta votojnë këtë ligj dhe shumë ligje tjera me mbi 2/3, e nëse edhe më tutje Lista Serbe paraqet probleme për formimin e ushtrisë, atëherë duhen të kërkohen rrugë të reja të ndryshimit të Kushtetutës tonë”, është shprehur ai.

Tërnava ka thënë se një rol të rëndësishëm e ka edhe faktori ndërkombëtar.

“Edhe faktori ndërkombëtar do të ketë rol të rëndësishëm për formimin e ushtrisë,  sepse po e detyruan Serbinë që ta njoh pavarësinë e Kosovës,  atëherë më nuk do të paraqitet Lista Serbe si pengesë për formimin e ushtrisë”, ka thënë eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat