Serbia keqpërdorë marrëveshjet e arritura me Kosovën

Politika

Serbia keqpërdorë marrëveshjet e arritura me Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 tetor 2017 Në ora: 12:52
Takimi Thaçi-Mogherini-Vuçiq

Dialogu me Serbinë është nisur gabimisht, pa një platformë paraprake të analizuar mirë në përputhje me konceptin strategjik të shtet formimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike ku si as tyre, dështimet e njëpasnjëshme në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Prishtinës dhe Beogradit kanë bërë që procesit të dialogut tanimë ti humb edhe vet kuptimi. Zyrtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë se dialogu nuk ka alternativë.“Fatkeqësisht në njërën anë kemi elementi destruktiv nga ana e Serbisë, e në anën tjetër Qeverinë e Kosovës së cilës i ka humbë rruga në oborr. Prandaj, unë nuk jam shumë optimist se gjërat mund të bëjnë në binarë në një afat të shkurtër kohorë”, ka thënë Gecaj.

Haskuka: Dialogu ka qenë i destinuar të dështojë

Image
Mytaher Haskuka

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka vlerësuar se dialogu ashtu si ka qenë e dizajnuar për çështjet e brendshme të Kosovës ka qenë e destinuar të dështojë.

Sipas tij, Serbia ka arritur shumicën e kërkesave lidhur me Kosovën prandaj edhe nuk i intereson tani të implementojë ato pak pika lidhur me Kosovën.“Fajtori kryesor i këtyre dështimeve me marrëveshjet e nënshkruara është ekipi negociator, Presidenti i tanishëm Hashim Thaçi dhe kryeministri i kaluar Isa Mustafa, presidenti, nga dhjetëra marrëveshje vetëm dy apo tre kanë qenë pika të kërkuara nga Kosova, pra dhjetëra marrëveshje në dëm të Kosovës u implementuan nga institucionet tona, gjersa vetëm një apo dy të kërkuara nga Kosova nuk u implementuan nga Serbia. Ne si Lëvizje dhe unë personalisht kemi qenë kundër bisedimeve me Serbinë, derisa Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet të pavarur dhe nuk paguan për dëmet e luftës në Kosovë, nuk tregon për fatin e të pagjeturve dhe nuk i kthen fondet bankare dhe pensionale të Kosovës. Në këtë aspekt ne kemi kërkuar ndalimin e dialogut me rezoluta të Kuvendit të Kosovës, dhe shumë nga kërkesat e këtyre rezolutave nuk janë përmbushur nga Serbia, prandaj dialogu duhet të ndalet”, ka thënë deputeti Haskuka.

Neglizhenca në zbatimin e marrëveshjeve

Image
Emrush Ujkani

Në anën tjetër, profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani nuk beson që BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare do të lejoj dështimin e dialogut pasi që kanë investuar një kohë të tërë në arritjen këtyre marrëveshjeve.“Kosova dhe Serbia të dyja janë ato që kanë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve. Ju e dini që një pjesë e mirë e këtyre marrëveshjeve kanë ngecur për shkak se pala serbe po vazhdon me avazin e vjetër dhe këtu natyrisht që presioni duhet të jetë më i madh nga BE mbi Serbinë. Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe si e tillë duhet të ketë tretman të posaçëm andaj mendoj që institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin në zbatimin në të tërësi të kësaj marrëveshje për të ecur tutje me dialogun”, ka thënë profesor Ujkani.

Kurse, Sami Blakaj njohësi i Integrimeve Evropiane ka thënë se dialogu me Serbinë tashmë ka vetëm një epilog dhe ai është dështimi i tij.

Dështimet e njëpasnjëshme

Image
Sami Blakaj

Ai ka theksuar se dështimet e njëpasnjëshme në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Prishtinës dhe Beogradit kanë bërë që procesit të dialogut tanimë ti humb edhe vet kuptimi.“Mendoj se dështimit të dialogut fillimisht i ka paraprirë mungesa e një platforme të qartë politike me të cilën pala kosovare do duhej të prezantohej para Bashkimit Evropian si palë ndërmjetësuese dhe të dominonte përballë Serbisë si palë negociuese. Temat e përcaktuara nga ana e Kosovës do duhej ta orientonin dialogun politik dhe jo e kundërta, që Serbia ta dominoj dialogun me temat që përfaqësojnë interesin e saj. Përveç konkretizimit të temave, ekipi kosovar do duhej të insistonte në afatizimin kohor të zbatueshmerisë së marrëveshjeve paraprake, e cila do të vlente si kusht për vazhdimin e dialogut për tema të reja”, ka thënë Blakaj.Sipas tij, nuk ka asnjë kuptim logjikë, diplomatike dhe as politik që negociatat të vazhdojnë për tema të reja, nëse paraprakisht nuk jetësohen temat e negociuara dhe të dakorduara ndërmjet palëve.“Përtej kësaj, ajo çfarë i ka munguar ekipit tonë negociator është mungesa e transparencës totale në raport me qytetarët e vendit. Këtë e dëshmon së fundmi edhe marrëveshja për drejtësinë për të cilën qytetarët e vendit nuk janë të informuar jo vetëm mbi planin e veprimit por as edhe me mënyrën e zbatimit. Kjo mungesë totale e transparencës, por edhe e veprimit përmbajtjesor ka bërë që edhe kjo marrëveshje të dështojë. Për dështimet e njëpasnjëshme të këtij dialogu domosdoshmërisht duhet adresuar përgjegjësia dhe adresa më e saktë e përgjegjësisë është politika e jashtme e Kosovës që përfshinë edhe udhëheqësit e dialogut”, është shprehur Blakaj.

Image
Artur Roshi

Negociatat për normalizimin e marrëdhënieve

Ndërkaq, analisti politik Artur Roshi, ka thënë se marrëveshja me Serbinë është një proces i pashmangshëm, i dyanshëm.“As Serbia nuk ka rrugë tjetër veç mirëkuptimit për këtë marrëveshje me Kosovën. Ka një problem të përbashkët për dy klasat politike të Serbisë dhe Kosovës që është përdorimi për konsum publik të brendshëm në shërbim të influencave politike dhe agjendave partiake të dialogut Kosovë -Serbi. Kosova ka përgjegjësinë e vet si palë në marrëveshje. Dialogu do të vazhdojë sepse nuk ka faj perëndimi për paaftësinë e negociatorëve. Marrëveshje do të thotë kur palët sakrifikojnë diçka nga pretendimet e veta se ndryshe nuk do të kishte dy pale”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Roshi.

Ndërsa analisti politik Fadil Lepaja pohon se ende nuk ka dështuar marrëveshja për drejtësi.

Image
Fadil Lepaja

“ Z. Vucic e ka paralajmëruar epilogun e kësaj , për të premten ose të hënën. Kjo marrëveshje është e domosdoshme dhe do të kryhet, nëse palët dëshirojnë të ecin më tutje në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka thënë analisti politik Lepaja.

Ndryshe, Presidenca e Kosovës ka njoftuar se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të bëhet të martën, më 24 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat