A mund ta ndalojë Kosova ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale?!

Politika

A mund ta ndalojë Kosova ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet lokale?!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 tetor 2017 Në ora: 14:01
Ilustrim

Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, tashmë është e njohur dhe e argumentuar. Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, në media kanë qarkulluar audio incizimet ku dëgjohen qartë kërcënimet dhe presionet e organeve të sigurisë të shtetit serb derisa ua bëjnë anëtarëve të Partisë së Pavarur Liberale të Sllobodan Petrovicit.

Ndërsa, tani pak ditë para zgjedhjeve lokale Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka ftuar serbët e Kosovës që më 22 tetor të dalin në zgjedhje dhe ta votojnë Listën Serbe.

Gjuriq për median serbe ka thënë se është shumë e rëndësishme që serbët në Kosovë të mblidhen rreth Listës Serbe sepse siç tha ai ky është projekt shtetëror.

Ai ka thënë se është dëshmuar se politika e Oliver Ivanoviqit është politikë vetëm e partisë së tij duke vlerësuar se ajo politikë asgjë të mirë nuk ka sjellë.

“Besoj se qytetarët e Kosovës nuk do ta pranojnë”, ka thënë Gjuriq.

Kundër kësaj deklarate të Gjuriqit, ka dalë sot Kryeministri duke e dënuar sot veprimin e ndërhyrjes së Serbisë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë që do të mbahen të dielën.

Haradinaj në një postim në Facebook ka shkruar se, aktet e tilla bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Mirëintegrimi i serbëve të Kosovës është interes reciprok, dhe çdo përpjekje për të dëmtuar këtë qëllim do të konsiderohet si mosrespektim i vullnetit politik të tyre”, ka shkruar Haradinaj.

“Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin, dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, pa ndërhyrje, do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërsa, analisti politik Nexhat Haziri, duke folur rreth kapaciteteve të Kosovës për ta parandaluar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, ka thënë se kjo çështje është e diskutueshme.

Sipas Hazirit, është veprim i drejtë që të dënohet ndërhyrja e Beogradit në procesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Është e drejtë reagimi i kryeministrit Haradinaj, ndaj ndërhyrjes së Beogradit zyrtar në procesin e zgjedhjeve lokale që po mbahen në Kosovë, duke përkrahur një subjekt të caktuar politik, pra në këtë rast "Listën serbe", e cila kjo e fundit është një  kali i Trojës për politikën destruktive të Beogradit zyrtar karshi Kosovës”, ka pohuar Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, duke parë hyrjen ilegale të zyrtarëve serbë në Kosovë, atëherë kapacitetet e Kosovës për ta ndaluar Serbinë janë të diskutueshme.

“Ndërsa, sa janë kapacitet apo fuqia e institucioneve të Kosovës për ta parandaluar këtë ndërhyrje apo edhe ndërhyrje të vazhdueshme që bënë Serbia në Kosovë, dhe jo vetëm në proceset zgjedhore, është një çështje shumë e diskutueshme. Ne kemi edhe zyrtarë serbë nga Beogradi që hynë ilegalisht në Kosovë, pa kërkuar leje nga autoritetet e Prishtinës, dhe e gjitha kjo ndodhë për shkak se Prishtina nuk e shtrinë autoritetin e vet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Haziri.

Ai ka shtuar se Kosova duhet ta shtrijë autoritetin në veçanti në pjesën veriore, sepse ajo pjesë dirigjohet nga Beogradi dhe  dëshmi e këtij dirigjimi është mos betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve  serbë para presidentit Thaçi.

“Kosova duhet ta shtrijë autoritetin në veçanti në pjesën veriore, ku është një dualizim i pushteteve apo qeverisjes, ku faktikisht institucionet paralele serbe, por edhe ato që kanë dalë dhe janë ndikuar nga Prishtina, janë nën diktatin e Beogradit. Shembulli më i mirë për këtë është refuzimi i gjykatësve dhe prokurorëve serb nga pjesa veriore e vendit që të betohen para presidentit të Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçi”, ka përfunduar Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat