Frika nga Specialja armiqëson Thaçin me ndërkombëtar

Politika

Frika nga Specialja armiqëson Thaçin me ndërkombëtar

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 13 tetor 2017 Në ora: 07:17
Foto arkiv, Takim i Thaçit me ambasadorët në Kosovë

Deklaratat e fundit kritike të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ndaj ndërkombëtarëve lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale dhe kërkesa e tij bërë presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për t’i pajisur qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare në mënyrë që ata të mund të lëvizin lirshëm për në shtetet e Bashkimit Evropian, ka befasuar opinionin publik në vend.Kjo për faktin se presidenti Thaçi, deri më tani njihet si njëri ndër politikanët me të dëgjueshëm të ndërkombëtarëve.

Dëgjueshmërinë e presidentit ndaj ndërkombëtare e tregon edhe publikimi i aferës korruptive “Pronto”, ku në një bisedim që ai kishte me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i thoshte atij. Pyeti ata të Ambasadës së Amerikës se a është e domosdoshme për votim ajo, “thuaju atyre se kryeministri pajtohet qysh të thoni ju.

Por, si u bë e mundur që njeriu më i dëgjueshëm i ndërkombëtarëve në Kosovë, Hashim Thaçi, dhe njëherit njeriu i cili e mori si përgjegjësi personale themelimin e Gjykatës Speciale me arsyetimin se kjo ishte rruga e vetme që duhej të bënin institucionet e Kosovës, papritur të shndërrohet në njëri ndër kritikët më të mëdhenj ndaj miqve të shqiptarëve të cilët kërkuan themelimin e këtij institucioni juridik.Hipoteza e parë është se presidenti mund të ketë marrë ndonjë informacion nga ndërkombëtaret se ai do të jetë njëri nga të akuzuarit nga Gjykata Speciale, kur kemi parasysh se Thaçi është personazhi kryesor në akuzat e raportit të Dick Martit, që shërbeu si bazë për krijimin e Gjykatës Speciale.

Duke e parë problemin nga ky këndvështrim, i pari i vendit e ndien vetën të rrezikuar nga përndjekja e Speciales, dhe në të njëjtën kohë të “tradhtuar” nga ndërkombëtaret, sepse duke qenë i pari në Listën e Dick Martit, ai nuk pati lënë gur pa lëvizur duke ushtruar fuqinë e tij për t’i bindur deputetët e PDK-së për të votuar pro themelimit të këtij institucioni juridik, duke shpresuar se ai do të amnistohej.Por, si duket këtë herë ky kjo mundësi nuk do të funksionoj, por ka gjasa që edhe ai vet mund të akuzohet dhe më në fund të gjykohet.Po supozojmë se presidenti nuk ka frikë prej Gjykatës Speciale dhe kritikat e tij vijnë njëmend për interes të Kosovës.

Atëherë pyetja që duhet shtruar këtu është, pse ai po i kritikon ndërkombëtarët veç për Gjykatën Speciale, e jo për presionin dhe premtimet që ai kishte nga po të njëjtit ndërkombëtar në procesin e bisedimeve të Brukselit, ku ai pas asnjë kusht dhe pa asnjë konsensus të brendshëm pranoi të hyjë në bisedime me Serbinë për çështje të brendshme për Kosovën, dhe nuk është se kemi fituar shumë nga këto bisedime. Presidenti Thaçi nuk e tha asnjë fjalë për Marrëveshjen e Brukselit, ku qeveria e tij pranon që Kosova të paraqitet me fusnotë në takimet e bashkëpunimit rajonal, ku rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit ka epërsi ndaj opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ish-kryeministri Thaçi pati premtuar se Kosova do të përfitonte shumë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Presidenti nuk e bëri asnjë kritik ndaj ndërkombëtarëve edhe për marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që e krijon një Republikë Serbe brenda në Kosovë të ngjashme me Srpska Republikën në Bosnje.Edhe për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Thaçi pati dhënë dy arsyeje. E para se këto marrëveshje me Serbinë po i kërkonin miqtë e Kosovës, dhe e dyta Kosova do të përfitonte në rrugën drejt integrimeve evropiane.Po ashtu, i pari vendit nuk bëri asnjë kritik ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian për mos zbatim gati të gjitha marrëveshjeve nga pala serbe, kur dihet se garantuesi i të gjitha këtyre marrëveshjeve me Serbinë, është Brukseli.Prandaj, presidenti Thaçi nuk është se merakoset shumë se Kosova ka mbetur mbrapa në procesin e integrimeve evropiane, por frika e tij e vërtetë është se ai mund të gjykohet nga Gjykata Speciale dhe këtu përmbyllet edhe karriera e tij misterioze në Politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat