“Në Mitrovicë së shpejti do të përdoren armët”, reagon Policia

Politika

“Në Mitrovicë së shpejti do të përdoren armët”, reagon Policia

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 tetor 2017 Në ora: 15:56
Policia e Kosovës

Kryetari i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, ditë më parë ka paralajmëruar se situata e sigurisë në veri të Kosovës para zgjedhje lokale është kritike dhe lehtë mund të përshkallëzohet.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, atyre të Beogradit si dhe atyre ndërkombëtare që të reagojnë urgjentisht.

“Situata tani është si të vallëzosh në maje të thikës. Është çështje kohe që dikush ta tërheqë armën dhe gjithçka të përfundojë tragjikisht”, ka thënë Ivanoviq.

Sipas tij, Qeveria duhet të marrë masa për rritjen e sigurisë në veri të Mitrovicës.

“Sipas kandidatëve të Listës Serbe zgjedhjet lokale po merren si çështje jetë ose vdekje. Jam në kontakt të përditshëm me njerëz të zakonshëm atje, dhe ata çdo ditë e më shumë po shqetësohen për situatën e sigurisë. Ata janë të frikësuar”, ka shtuar Ivanoviq.

Por, deklaratën e tij për nivelin e sigurisë së veri të vendit, e ka demantuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Image
Besim Hoti

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Hoti ka konfirmuar se situata e sigurisë në Mitrovicë është në nivel dhe se nuk ka incidente madhore, të cilat mund të rrezikojnë sigurisë e përgjithshme.

“Nuk jemi në një situatë të tillë, çfarë ka thënë, kush ka thënë se ndodhemi në një situatë të tillë, mund të themi se momentalisht situata e sigurisë është në nivel dhe nuk kemi incidente madhore, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e përgjithshme”, ka pohuar Besim Hoti.

Ndërsa, lidhur me zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen me 22 tetor, zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka njoftuar se PK, përmes planit të saj operativ, do të angazhojë forcat e veta për të monitoruar dhe përcjell procesin zgjedhor.

“Sa i përket zgjedhjeve, normalisht Policia e Kosovës edhe në veri, ashtu si edhe në nivel vendi ka planin operativ, përmes së cilit do të organizojë dhe angazhojë forcat e veta për të monitoruar dhe përcjellë procesin zgjedhor sa i përket spektrit të sigurisë. Normalisht se çdo informacion të cilin policia do ta ketë në dispozicion për çështje të sigurisë, ne do të ndërmarrim veprime shtesë”, është shprehur Hoti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat