Në dialogun me Serbinë përfshihet edhe një aleat i fuqishëm i Kosovës

Politika

Në dialogun me Serbinë përfshihet edhe një aleat i fuqishëm i Kosovës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 tetor 2017 Në ora: 12:27
Takim i mëhershëm mes Thaçit, Mogherinit dhe Vuçiqit

Më formimin e institucioneve kanë vazhduar edhe bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel. Ato kanë kaluar në nivel presidentësh, derisa pak dihet se çfarë është biseduar në takimet e fundit.

Kjo pasi që presidenti Hashim Thaçi nuk po raporton për ato që po bisedohen në takimet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Tash në këto bisedime pritet të përfshihet edhe një aleat i fuqishëm i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, bëjnë të ditur për “Bota sot”, se SHBA-ja do të mbështesë dhe do të punojë nga afër me ekipin e përfaqësueses e BE-së Federica Mogherini për procesin e dialogut.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne do të punojmë nga afër me ekipin e Përfaqësueses së Lartë Mogerini lidhur me atë se si të ofrohet përkrahje më e fuqishme për procesin e dialogut”, ka njoftuar Ambasada Amerikane.

Përfshirjen e SHBA-së në këtë dialogut deputetë dhe njohës të çështjeve politike e shohin si një hap pozitiv në këtë proces.

Mosimplementimi i marrëveshjeve të Brukselit

Image
Lirije Kajtazi

Kështu deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se mungesa e implementimit të marrëveshjeve të arritura deri tani, toleranca e BE dhe favoret për palën serbe ndikuan edhe në defunksionalizimin e Kuvendit të Republikës.

“Vazhdoj të mendoj se kushtëzimi për çështjet esenciale për të pagjeturit, fondin e vjedhur pensional ,etj., do t’i kishin dhënë kredo dialogut. Dhe tani lojërat e paskrupullta të Serbisë në pengesat që po i bënë Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë. Është një rezolutë e Kuvendit të RK, të cilën nuk guxon ta shkelë as Hashim Thaçi dhe Kuvendi mund ta rishikojë. SHBA ka ndihmuar shumë Kosovën në shtetndërtim, gjersa klasa politike e saj ka zhvatur me shtet. Duke qenë në këtë derexhe përfshirja e tyre në dialog mund t’i jap peshë këtij procesi”, vlerëson ajo.

Zogaj: Roli i SHBA-ve të jetë ndihmës, e jo luks i tepruar

Image
Skender Zogaj

Ndërsa analisti politik, Skender Zogaj përfshirjen e SHBA-së në këto bisedime e quan si luks të tepruar.

“Përfshirja e SHBA-ve në bisedimet Kosovë - Serbi është luks i tepruar, sepse nënkuptohet roli dhe mundësia e ndikimit për bisedime të frytshme dhe realizimi efikas i vendimeve që do të merreshin me përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në bisedime. Mirëpo, unë mendoj se, edhe pa pjesëmarrjen direkte, në akt roli ndikues i SHBA-ve është i rëndësisë së veçantë, kështu që, mendoj se udhëheqja kosovare duhet t'i përvjelë më mirë mëngët dhe të përqendrohet seriozisht në bisedime, të shfrytëzojë rastin që me forcat e veta të realizojë sa më mirë detyrat e veta të shtëpisë”, thekson Zogaj.

Sipas tij, kjo është ajo që duhet të bëjë Kosova, sepse kushtet janë jashtëzakonisht të volitshme për të treguar se dimë të dialogojmë dhe të marrim vendime historike të denja, të qëndrueshme dhe të dobishme jo vetëm për vetveten por edhe për rajonin.

“Unë besoj se, roli i SHBA-ve duhet të jetë ndihmës, dhe jo i drejtperdrejtë sepse, jemi shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe duhet të mësohemi që të sillemi si shtet serioz”, thekson Zogaj.

Amerikanët, garantues të marrëveshjeve me Serbinë

Image
Leon Duhanaj

Si hap pozitiv për Kosovën, këtë e vlerëson edhe njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj. Ai thotë se Kosova duhet të insistojë që SHBA-ja të merr pjesë në çdo negocim.

“Liria e Kosovës, është proces i gjatë, ku SHBA-të kanë qenë akterë kryesorë. Të gjitha proceset negociatore, nga Rambuje e këtej, amerikanët kanë qenë promotor i të gjitha proceseve politike, nga negociatat deri tek pavarësia. Për mendimin tim Kosova duhet të insistojë që në çdo tavolinë negocimi, të merr pjesë edhe SHBA”, vlerëson ai.

Sipas Duhanajt, kjo është pozitive për palën shqiptare pasi amerikanët janë garantues të marrëveshjeve eventuale.

“Me sa di unë, SHBA nuk është larguar asnjëherë  tërësisht nga procesi. Ndërmjetësimin e bën Unioni Europian, por mendoj që pa SHBA, nuk mund të ketë proces të suksesshëm. Sidomos për palën shqiptare, është me rëndësi të veçantë pjesëmarrja e amerikanëve si aleatë dhe garantues të çdo marrëveshje eventuale”, thekson Duhanaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat