Vetëvendosje kundër marrëveshjes aktuale, kjo është zgjidhja për demarkacionin

Politika

Vetëvendosje kundër marrëveshjes aktuale, kjo është zgjidhja për demarkacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 tetor 2017 Në ora: 16:03
Ilustrim

Demarkacioni me Malin e Zi vazhdon të jetë ende një çështje e pazgjidhur.

Në qeverisjen e kaluar kjo çështje nuk arriti të zgjidhej dhe mbetet një sfidë për qeverinë aktuale.

Opozita ka qenë vazhdimisht kundër kësaj marrëveshje, pasi sipas tyre Kosova humb territor.

Më e zëshmja ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ende është kundër marrëveshjes aktuale dhe kundërshtimin për këtë do ta vazhdojë edhe më tutje.

Deputetja Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se janë kundër marrëveshjes sepse Kosova humb territor, por që janë për një zgjidhje me Malin e Zi.

“Natyrisht se ne gjithmonë kemi qenë të interesuar për zgjedhjen e çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, por edhe me Serbinë që ende nuk e kemi të përcaktuar. Problem që ne e kemi ngritur në vazhdimësi ka qenë me marrëveshjen të cilën e ka nënshkruar Thaçi dhe Hasani, sepse në bazë të asaj marrëveshja Kosova humb territor. Ne jemi që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet dhe të dy palët të jenë të kënaqura, në mënyrë që në asnjërën palë të mos cenohet territori”, është shprehur ajo.

Image
Shqipe Pantina

Pantina ka thënë se Haradinaj veprimin e parë për këtë çështje e ka bërë duke emëruar komisionin e ri, por që ende nuk kanë parë asgjë nga ky komision, nëse ka filluar me punën apo jo.

“Kryeministri aktual Haradinaj ka premtuar dinamizëm për zgjedhjen e kësaj çështje. Deri më tani veprimi i tij ka qenë themelimi i Komisionit të ri, por ne ende nuk kemi parë diçka konkrete nga ky komision, nëse ata kanë filluar punën apo jo, nëse kanë paraqitur një draft-marrëveshje të re, e cila do të mund të negociojë sërish me Malin e Zi”, ka deklaruar deputetja e VV-së.

Sa i përket një zgjidhje të mundshme, Pantina thotë se duhet që qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë, derisa shton se pavarësisht kush e kërkon votimin e marrëveshjes aktuale, ata janë kundër.

“Ne këtë version të demarkacionit nuk e mbështesim, pa marrë parasysh kush e kërkon sepse në këtë vend jemi të thirru për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit por dhe jemi për të ruajtur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë këtu edhe Malin e Zi, prandaj dhe çështjet duhet të zgjidhen në tavolinë dhe kjo qeveri, kjo e Kosovës dhe e Malit të Zi duhet të ulen për ta gjetur një zgjidhje. Qeveria jonë, kryeministri Haradinaj ka premtuar se do ta zgjidhë këtë çështje dhe më nuk do të humb territor. Ne jemi në pritje të një versioni të tij se çka do të bëjë ai. I takon qeverisë që të gjejë zgjidhje për këtë çështje. Ajo çka unë ritheksoj është se ne nuk do të mbështesim marrëveshjen aktuale apo çfarëdo versioni tjetër, sipas të cilit Kosova do të humbte territor”, ka thënë Shqipe Pantina për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat