“Nëse deputetët nuk ndalojnë, mund të ketë eskalime me pasoja tragjike”

Politika

“Nëse deputetët nuk ndalojnë, mund të ketë eskalime me pasoja tragjike”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 tetor 2017 Në ora: 22:28
Kuvendi i Kosovës

Jemi mësuar që seancat që thirren me pika të caktuara të rendit të ditës, të mos jenë krejtësisht të tilla, pra për çështjen e caktuar.

Jo rrallë deputetët përdorin foltoren e Kuvendit për të ofenduar kolegët apo për të diskutuar çështje që janë jashtë diskutimit në Kuvend.

Në këtë mënyrë debati kalon në çështje personale, derisa deputetët hedhin akuza për njëri tjetrin, e kështu që teleshikuesit janë të detyruar të dëgjojnë debate të tilla e jo ato që janë me interes.

Lidhur me këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj në një prononcim për gazetën ‘Bota sot”, ka thënë se shumë prej deputetëve u mungon përgatitja për komunikim normal si përfaqësues të popullit, andaj dhe ndodhin gjëra të tilla.

Image
Skënder Zogaj

“Rezultati i dobët i zgjedhjeve të fundit parlamentare po vërtetohet me nivelin e dobët të deputetëve, një numër i madh i të cilëve nuk e posedojnë as përgatitjen elementare të komunikimit normal si përfaqësues të popullit. Për më tepër, i madh është edhe i deputetëve me të kaluar të dyshimtë dhe që supozohet se janë lidhur me strukturat e organizuara të krimit dhe korrupsionit! Prandaj, nga një përbërje e këtillë deputetësh është krejtësisht normale kjo që po ndodhë në foltoren e parlamentit që është bërë një vuvuzelë e turpit!” ka deklaruar ai.

Sipas Zogaj, nëse pozita që është përgjegjësja kryesore nuk e zbutë situatën, ekziston mundësia që të ketë eskalime të situatës me pasoja tragjike për Kosovën.

“Deputetët e kanë humbur toruan dhe po veprojnë si gladiatorë, duke shfaqur muskuj e gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe mosdurim brutal, sidomos kundër zërave që insistojnë të realizojnë besimin që u është dhënë. Lufta e partive për poena politikë është tepër shqetësuese sepse ka prodhuar edhe qërime hesapesh fizike dhe, nëse nuk ndalohet kjo valë e stërkeqjes së veprimeve të deputetëve, mund të ndodhin eskalime me pasoja tragjike për shtetin e brishtë të Kosovës. Pozita duhet ta kuptojë se ka përgjegjësinë kryesore dhe të bëjë më shumë për zbutjen e gjakrave”, është shprehur Zogaj për ‘Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat