Anëtarësimi në UNESCO, sfida që po e pret Kosovën

Politika

Anëtarësimi në UNESCO, sfida që po e pret Kosovën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 shtator 2017 Në ora: 14:00
UNESCO

Kanë kaluar dy vite që nga refuzimi i shteteve evropiane për pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë – UNESCO.

Viti 2017, shënon vitin që Kosova do të mund të aplikojë përsëri në organizatën më të madhe, ndërsa Presidenti është shprehur optimist se Kosova do të mund të bëhet anëtare e kësaj organizate.

Presidenti Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova do të punojë maksimalisht me miq që të realizojë të drejtën e vet, duke u bërë pjesë e UNESCO-s.

Thaçi këtë javë e ka quajtur vendimtare për aplikimin në UNESCO.

 “Java e ardhshme është vendimtare për aplikimin e Kosovës në UNESCO. Do të punojmë maksimalisht me gjithë miqtë dhe partnerët që Kosova edhe të aplikojë edhe të anëtarësohet nuk besoj që ka ndonjë arsye që Kosova të mos e realizojë të drejtën e vet të mos jetë pjesë e UNESCO”, ka thënë Thaçi në një intervistë për mediat.

Këshilli i Përgjithshëm i UNESCO-s në konferencën e mbajtur në Paris, më 9 nëntor të vitit 2015 i kishte thënë “jo” draft- rezolutës së Kosovës për t’u bërë pjesë në UNESCO.

Në votim kishin marrë pjesë gjithsej 142 shtete, ku 92 votuan pro, 50 ishin kundër dhe 9 abstenuan. Kosova e humbi pranimin në UNESCO vetëm për 3 vota, sepse  mjaftonin 95 të tilla që të anëtarësohej.

Kundër pranimit të Kosovës në UNESCO kanë qenë Paraguai, Maroku, Kongo, Serbia, Sllovakia, Sudan, Sudani i Jugut, Sri Lanka.

Gjersa zyrtarët serbë, lobojnë që Kosova të mos pranohet në UNESCO, zyrtarët shqiptarë nga Kosova,  janë të bindur se kësaj radhe Kosova do të anëtarësohet.

Në takimin e djeshëm në mes dy kryeministrave shqiptarë, është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kurdo që do të ndodhë Kosova do ta fitojë për trashëgiminë kulturore të botës.

“Kosova do të jetë një anëtare e vlefshme për UNESCO-n. Kurdo që do të ndodh Kosova do të fitojë për trashëgiminë kulturore të botës. Nëse mund të ndodh këtë vit kjo është fitore, nëse jo kjo do të ndodh në etapën tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Rama ka quajtur absurde anën e Serbisë që  të veprojë kështu kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“I kam thënë Vuçiqit, presidentit të tanishëm se nuk po e kuptoj logjikën e kundërshtimit të Kosovës në UNESCO. Nëse për serbët ka një rëndësi trashëgimia e tyre kulturore në Kosovë, atëherë ata duhet të ishin të parët që do të duhej të vraponin për ta mbrujtur trashëgiminë e tyre – se kuptoj, kjo është absurd”, ka thënë Rama para mediave.

Pas zërave që Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO,  ende nuk dihet zyrtarisht nëse Kosova është aplikuar, apo është shtyrë aplikimi si në rastin e aplikimit në Interpol, mirëpo njohësit e çështjeve politike thonë se nuk ka arsye përse të mos aplikohet dhe institucionet duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi anëtarësimit sesa aplikimit, për shkak se kjo nuk përbën më lajm.

Image
Sami Blakaj

Kosova ka humbur shumë kohë

Sami Blakaj, magjistër i integrimeve evropiane, ka thënë se institucionet kanë bërë gabim në hapa në lidhje me çështjen e Kosovës në UNESCO.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në UNESCO tanimë nuk do të përbënte lajm për qytetarët e vendit, lajm do të ishte pranimi i saj zyrtar në organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara. Në këtë kuptim, konsideroj se qasja e presidencës por edhe e institucioneve tjera gjegjëse është gabim në hapa, meqenëse më shumë po i kushtohet rëndësi aplikimit sesa vetë anëtarësimit”,  ka pohuar Blakaj.

Sipas tij, pengesë deri më tani për mos anëtarësim në UNESCO është vetë Kosova, pasi nuk i përmbushi obligimet e saj.

Blakaj ka shtuar, se Kosova ka humbur shumë kohë dhe duhet urgjentisht fuqizim i subjektivitetit nacional dhe faktorizimit të saj në rrafshin mbinacional.

“Pengesë për mos anëtarësimin e deritashëm të Kosovës në UNESCO nuk është askush tjetër, por është vetë Kosova ajo e cila nuk po arrinë t'i përmbushë obligimet e saj për të qenë pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare. Mungesa e stabilitetit institucional, mungesa e infastrukturës përkatëse ligjore, përkatësisht mungesa e dy ligjeve, ai për Liritë Fetare dhe ai për Trashëgiminë Kulturore, mungesa e rezultatit në arsim si dhe mungesa e një fushate efektive diplomatike të Kosovës, janë vetëm disa nga mangësitë e udhëheqjes shtetërore që zbehin arsyen e shpresës për anëtarësim në këtë organizatë. Prandaj mendoj se Kosova ka humbur shumë në këtë drejtim dhe se nuk ka më kohë për të humbur. Kosovës i duhet urgjentisht fuqizimi i subjektivitetit nacional dhe faktorizimit të saj në rrafshin mbi-nacional”, ka theksuar Blakaj.

Image
Blerim Burjani

Lobimi dhe diplomacia, i mungojnë Kosovës

Edhe analisti politik Blerim Burjani , ka thënë se Kosova fillimisht duhet t’i bëjë përgatitjet e nevojshme, lobizmi dhe diplomacia, gjë që këto i mungojnë Kosovës.

“Nuk ka arsye të tërhiqet aplikimit, ashtu kështu Kosova nuk është anëtare dhe politika e tërheqjes quhet pa aftësi, pra nuk ka përpjekje, lobizëm, përpjekje nuk ka ndryshe, nuk mund të arrihet qëllimi. Së pari kuptohet, duhet të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme, lobizimi dhe diplomacia kulturore e cila i mungon plotësisht Kosovës. Shumë më herët duhet të bëhen një fushatë ndërkombëtare kulturore ku tregohen caqet dhe synimet e Kosovës. Njoftimet për gjendjen në Kosovë, të gjitha këto kanë një rol të veçantë”, ka theksuar Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat