Si po përdoren agjenturat serbo- ruse kundër Kosovës?

Politika

Si po përdoren agjenturat serbo- ruse kundër Kosovës?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 shtator 2017 Në ora: 22:55
ilustrim

Policia e Kosovës, të enjten ka bastisur hapësirat e Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë si dhe disa shtëpi private të personave të punësuar në këtë organizatë.

Me këtë rast janë konfiskuar dokumente, për të cilat ekzistojnë dyshimet se individë të kësaj organizate i përdorin për regjistrimin e popullsisë. Policia e Kosovës vlerëson se ato dokumente janë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, marrë parasysh që regjistrimin e popullsisë në Kosovë mund ta bëjnë vetë institucionet ekzekutive të Kosovë.

Siç, ka informuar Policia e Kosovës, gjatë aksionit policor në Mitrovicë të Veriut, janë lënduar disa zyrtarë policorë, pasi që janë sulmuar nga disa individë, ndaj të cilëve edhe është hapur procedura për sulm ndaj personave zyrtarë.

Përkundër, që Presidenti i vendit ka thënë se situate në veri ka ndryshuar, sipas njohësve të sigurisë, veriu është strehë e kriminelëve dhe agjentëve serbo- ruse.

Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, ka thënë për “Bota sot” se Serbia përmes formave të ndryshme është duke e atakuar shtetësinë e Kosovës.

Sipas Islamit, Serbia i ka përqendruar njerëzit në veri të Kosovës dhe ata qëndrojnë lirshëm atje, të gatshëm për destabilizim apo acarim të situatës.

Image
Avni Islami

“Serbia përmes formave të ndryshme po e atakon shtetesinë e Kosovës. Me qellim që sa më shumë ta shtrijë sovranitetin e vet në veri të Kosovës.  Atje,  i ka përqëndruar njerëz me percedentë penale, ata rrijnë lirshëm në veri të Kosovës,  duke mos u ndjekur nga askush. Dhe,  sa herë ju duhen për destabilizim ose acarim të situatës përdoren,  po këta njerëz u përdoren këto ditë edhe kundër Polisë së Kosovës, prandaj vërtet veriu i Kosovës është  strehë e kriminelëve e agientëve serbo- ruse”, ka pohuar Islami.

Ndryshe, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, ditë më parë është shprehur për medien se çdo akt i paligjshëm brenda territorit të vendit, nuk do të tolerohet.

“Aktivitetet e paligjshme brenda territorit të Kosovës, që nuk janë autorizuar nga autoritetet e vendit, pavarësisht nga natyra e punës së cilësdo organizatë, janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen. Mekanizmat e sigurisë të Kosovës janë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të vendit, pa dallim dhe ato do të jenë gjithnjë në shërbim të secilit qytetar. Veprimtaria humanitare brenda territorit të Kosovës është e rregulluar me ligj dhe ajo nuk mund të shpërdorohet”, tha Vllahiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat