“Haradinaj do të jetë vetëm kryeministër i ministrave të AAK-së, për tjerët spektator”

Politika

“Haradinaj do të jetë vetëm kryeministër i ministrave të AAK-së, për tjerët spektator”

Nga: Bota sot Më: 9 shtator 2017 Në ora: 23:10
Haradinaj me kabinetin qeveritar

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër, deputetët e koalicionit PAN- AKR dhe minoritetet kanë votuar sonte kabinetin dhe qeverinë Haradinaj, pa praninë e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Alternativës.

Kandidati për Kryeministër nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar, kësisoj edhe u pranua nga shumica parlamentare.

Mirëpo, sipas analistëve politikë Haradinaj do të jetë kryeministër i një qeverie të pakicave dhe i një qeverie të krijuar nga pazaret.

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se Haradinaj do të jetë kryeministër vetëm i partisë së tij, për të tjerët do të jetë vetëm spektator.

Sipas tij, kjo qeveri nuk do ta përfundojë mandatin deri në fund.

 “Haradinaj do të jetë kryeminstër i një qeveri të  pakicave, një qeveri e krijuar nga pazare. Faktikisht Ramushi do të jetë kryeminstër vetëm i ministrave të partisë së tij, për të tjerët do të  jetë vetëm spektator dhe do bëjë sehir. Faktikisht janë katër kyeminstra aty, secili do i konrtollojë partisë së tij. Ramushi do e ketë vetëm emrin zyrtarisht kryeminstër, prandaj mendoj se kjo qeveri s’do të përfundojë mandatin e saj katërvjeçar” ka pohuar Mehmeti.

Sipas tij, kjo qeveri do të jetë e sfiduara dhe do të ketë ngecje tek asociacioni.

Mehmeti ka shtuar se gjasat janë të vogla që kjo qeveri të ketë sukses.

“Kjo qeveri do të jetë  më e sfiduara , dhe më e panatyrshme që ka pasur ndonjëherë Kosova. Kjo qeverisje vetëm sa do e rrënojë edhe më shumë shpresën e qytetarëve se këtu s’ka shpresë, dhe do shkaktojë edhe më shumë vale të të ikurve. Kjo qeveri do të ngec tek asociacioni, dhe besoj se kjo do të jetë arsyja që pas një kohë të shkurtër kjo qeveri të bien, maksimumi i jetëgjatësisë së saj do të jetë 1 vjet, më shumë fare. Ramushi do të dalë me i djegur nga e gjithë kjo histori, edhe pse kryeminstër, por veç formalisht, ndërsa apolitikisht do i kushtojë shumë. Ka shumë shanse që karriera e tij politike të përfundojë  me rënien e qeverisë që pritet të formohet shpejt.Gjasat janë të vogla që kjo qeveri të  ketë sukses. Prandaj, s’do ketë jetë të gjatë” ka përfunduar Mehmeti.

Përderisa është hedhur në votim kabineti qeveritar i Haradinajt, VV-ja dhe LDK-ja, kanë braktisur sallën e kuvendit, për t’i siguruar nënshkrimet, në mënyrë që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për diskutimin e formimit të qeverisë Haradinaj.

Nënshkrimet e tyre janë mbledhur menjëherë dhe kështu nesër në ora 10 do të mbahet mbledhja e kryesisë së kuvendit./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat