Bisedimet në Bruksel, këto janë kërkesat që Kosova duhet t’ia bëjë Serbisë

Politika

Bisedimet në Bruksel, këto janë kërkesat që Kosova duhet t’ia bëjë Serbisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 gusht 2017 Në ora: 15:34
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Shefja për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, me të cilin është pajtuar për marrëveshjen mbi drejtësinë, ata janë pajtuar që takimet në mes dy vendeve të shpeshtohen në mënyrë që të arrihet një harmonizim në mes popujve.

Thaçi është takuar me Vuçiqin një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve dhe për këtë temë nuk është raportuar se nëse kishin biseduar dy presidentët.

Edhe pse kanë kaluar 18 vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë, mbi 1 mijë e 600 persona rezultojnë ende të humbur, kurse analistët politikë kanë pohuar se Serbia është në dijeni për fatin e personave të pagjetur dhe se institucionet e Kosovës nuk i kanë bërë presion sa duhet që ajo të tregojë për personat e zhdukur.

Image
Ilir Dugolli

Zbardhja e te pagjeturve, obligim moral i shoqërisë

Analisti politik, Ilir Dugolli, ka thënë për “Bota sot” se pala e Kosovës do të duhej të paraqitet me kërkesa nga më të ndryshmet në bisedimet Kosovë- Serbi, kur bëhet fjalë për të gjeturit e tyre.

Sipas Dugolli, zbardhja e fatit të të zhdukurve duhet të jetë obligim moral i shoqërisë së Kosovës, pastaj i ndërkombëtarëve.

Dugolli ka shtuar se në bisedimet me Serbinë duhet të shikohen kërkesat fillimisht, cilat janë prioritet dhe të identifikohen temat që nuk ka nevojë të negociohen.

“Mendoj se zbardhja e fatit të të pa gjeturve, ose të zhdukurve të periudhës së luftës së fundit në Kosovë, para së gjithash duhet të jetë një obligim moral, fillimisht i shoqërisë sonë, dhe pastaj edhe i komunitetit ndërkombëtar. Qeniet njerëzore, duhet dalluar me ndjenjën e përgjegjësive morale dhe obligative të cilat iu takojnë, në krahasim me qeniet tjera të globit, pa përjashtuar faktorin vendor e ndërkombëtar. Para se të vijmë tek drejtësia vendore, duhet shtruar një pyetje; Çfarë kanë bërë dhe duhet bërë, organet tona shtetërore, në raport me këtë plagë, që tani e 18 vite, pas përfundimit të luftës, nuk po arrinë të përmbyllet? Kjo duhet t’i paraprinë pyetjes: Çfarë duhet bërë drejtësia vendore për të zhdukurit?  Edhe 1600 persona i mungojnë Kosovës, dhe nuk duket akoma të jetë serioze kjo temë, në agjendën shtetërore. Mendoj se serioziteti do të ishte, kur të harmonizohen kërkesat sipas prioriteteve dhe të identifikohen se cilat janë ato tema të cilat nuk ka nevojë të negociohen, sepse këtë të drejtë i’a garantojnë konventat ndërkombëtare”, ka thënë Dugolli për “Bota sot”.

Sipas Dugollit, me palën serbe do të ishte më mirë të flitej për çështjet e ndërsjellta humane, sepse këto çështje normalisht nuk duhet kërkuar kushtëzime.

Mirëpo, sipas Dugollit atyre nuk i bëhet vonë për njerëzit e humbur.

“Me palën (shtetërore) serbe, do të ishte më mirë të flasim, vetëm për çështje të ndërsjella humane, sepse për këto çështje, normalisht nuk duhet kërkuar kushtëzime, të paktën sipas etikës morale njerëzore. Mirëpo provoja me ta, na ka mësuar të kundërtën. Atyre nuk i’u bëhet vonë në rast se nuk gjenden njerëzit e humbur, bile i’u shkon për shtati, nga se me kalimin e kohës, do të humbeshin edhe gjurmët e krimit, do të vdesëshin dëshmitarët e krimit, do të mbulohet nga pluhuri i harresës ose do të topitët kërkesa për zbardhjen e fatit të të  pa gjeturve, sa i përket faktorit ndërkombëtar, në mënyrë që mos të kenë konsekuenca eventuale nga ta, dhe përfundimisht të mos përgjigjet askush për krimet e bëra. Në këtë mënyrë shteti serb amortizon të këqijat e veta, dhe tenton të barazon krimin me viktimën, gjë që është tepër e pa drejtë në rast se lejohet”, ka pohuar Dugolli.

Kërkesat për Serbinë

Duglloi ka treguar edhe kërkesat që duhet t’i bëjë Kosova në raport me Serbinë.

“Duke i marrë  parasysh këto që u thanë, pala e Kosovës duhet të jetë më e vendosur në kërkesat e saja, sepse fatkeqësisht kanë mjaftë, çka të kërkojnë dhe të justifikojnë me arsye. Po i përmendi disa nga to, të cilat nuk do të kishte dashur asnjë kompromis dhe asnjë kushtëzim të bëhej: Të pagjeturit, civilë të vrarë (të rritur e fëmijë), gra dhe vajza të dhunuara, e të keqtrajtuara,  pasuri të plaçkitur e të shkatërruar nga zjarri etj. Të gjitha këto, politikës së Kosovës do të ia lehtësonin punën për të kërkuar pa kushte, nga se janë të drejta të garantuara me ato dokumente të po këtyre ndërkombëtareve të cilët nga ne, kërkojnë të bëhen negociata për këto kategori fatkeqe të shoqërisë sonë. Nëse në vendet e tyre (ndërkombëtarëve) në këtë kohë, kishte pas me ndodh një gjë e tillë, ata nuk do të bënin asnjë kompromis nga se nuk ua lejon etika njerëzore”, ka theksuar Dugolli.

Sipas Dugollit, Kosova nuk duhet të sillet si viktimë që kërkon lëmoshë, por si viktimë që kërkon drejtësi të pa kontestuar.

“Politika e Kosovës, duhet të paraqet kërkesa nga më të ndryshmet në bisedimet Kosovë-Serbi, që po vazhdojnë të imponuara nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos kur është fjala për të pa gjeturit e tyre. Ne nuk duhet të sillemi si viktimë që kërkon lëmoshë, por si viktimë që kërkon drejtësi të pa kontestuar. Të kalojmë në pozicionin ofanzivë të së drejtës dhe jo të mbesim në pozicionin defanzif të kompromisit. Ta tejkalojmë logjikën e të qenurit “rob”. Nuk duhet të jemi “rob” të së drejtës, por të jemi të lirë për të kërkuar të drejtën. Politika serbe është e shquar për lavirllëqe dhe me mosnxitim, për plotësimin e standardëve humane. Ajo akoma nuk është e liruar nga konzervativizmat e pushtetit totalitar millosheviçian. Neglizhenca e tyre nuk është e pa parashikuar. Gjithçka e tyre, në raport me shtetin e Kosovës, ka një kosto”, ka shtuar Dugolli.

Bashkësia ndërkombëtare, presion Serbisë

Dugolli ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë dhe palët në bisedime nuk duhen të jenë të obliguar me gjërat tjera pos për ato që janë të vlefshme.

“Bashkësia ndërkombëtare, jo vetëm që duhet ti bënë presion Serbisë që të zbardhet fati i të pa gjeturve të luftës së fundit, por edhe ta kushtëzon atë, me obligim ndërkombëtar (duke e ditur se nuk e bënë me dëshirë). Ne duhet të kërkojmë nga ndërkombëtarët që këtë çështje të i’a kërkojnë shtetit serb, si obligim, e jo të futet nëpër agjenda bisedimesh. Palët në bisedime nuk duhen të jenë të ngarkuara me këso gjërash, nga kemi për çka të bisedojmë me ta mjaft. Këto obligime duhet të jenë të vlefshme për të dy anët reciprokisht, nga se kështu e ka humanizmi. Kjo vetëm sa na jep vlerë, prandaj nuk duhet hezituar në këtë drejtim. Njerëzit kanë të drejtë të dinë për të afërmit e tyre sepse i themi vetit që dallojmë nga kafshët”, ka përfunduar Dugolli.

Lexo raportin e plotë për bisedimet në bruksel
Kosova dhe Serbia pajtohen për marrëveshjen mbi drejtësinë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat