“Lufta” mes PDK-së e Vetëvendosjes dhe frika nga Gjykata Speciale!

Politika

“Lufta” mes PDK-së e Vetëvendosjes dhe frika nga Gjykata Speciale!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 gusht 2017 Në ora: 14:47
Selia e Gjykates Speciale

Përfundimi i zgjedhjeve të 11 qershorit, ka bërë që të rifllojë “lufta” në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke gjuajtur akuza e kundër akuza në mes veti për keqpërdorim të pushtetit.

Sipas analistëve politikë ashpërsimi PDK-VV është edhe shkaku i zgjedhjeve lokale, ku partia e Visar Ymerit shprehet e bindur se do të marrë timonin e disa komunave që ka në udhëheqje PDK-ja, ndërsa kjo e fundit ka nisur një fushatë anti-VV, konkretisht ndaj Komunës së Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti duke e akuzuar për keqpërdorime të shumta, sidomos punësime të jashtëligjshme si brenda komunës ashtu edhe tek Ndërmarrja Publike Banesore.

Në “luftën” e fundit janë përfshirë një numër i madh zyrtarësh të këtyre partive, ndërsa analistët politikë kanë pohuar se këto akuza vijnë si pasojë e dobësimit të PDK-së dhe afrimit të akuzave nga Gjykata Speciale.

Image
Skender Zogaj

Synim marrja e pushtetit

Analisti politik, Skender Zogaj, ka thënë se Kosova është në gjendje kritike dhe në kriza të këtilla është krejtësisht normale që partitë politike të hedhin akuza të rënda sikur që ndodh aktualisht në mes PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Sipas Zogajt, këto akuza ndodhin vetëm e vetëm që të arrihet marrja e pushtetit.

“Zgjedhjet e 11 qershorit e kanë thelluar krizën dhe Kosova është në gjendje të rëndë kome, sepse, asgjë nuk funksionon për së mbari, që nga bujku që nuk ka hesap me mbjell patate, e deri te presidenti i vendit që askush nuk mundet me e marrë vesh pse sillet e mbështillet kaq papërgjegjshëm ndaj gjendjes së rëndë në vend. Pra, situata është në gjendje kritike dhe, në kriza të këtilla është krejtësisht normale që partitë politike të hallakaten duke sha e fye me akuza të rënda., siç jemi duke pa se po ndodh aktualisht në Kosovë, ku zyrtarët e VV dhe të PDK-s, janë kampionët e fushatave të egra denigruese të njëra-tjetrës. Kështu veprohet sepse ndershmërisht sot asgjë nuk arrihet, prandaj, i kanë mbrehur thikat për të therur e rrjepur gjithçka, vetëm e vetëm që të arrijnë të marrin pushtetin” ka pohuar Zogaj.

Zogaj bënë edhe ndërlidhjen e këtyre akuzave me Gjykatën Speciale, që sipas tij, ajo ua futë frikën të gjithëve, prandaj kriminelët i ka zënë lemeria dhe dëshirojnë t’ia vënë “flakën” Kosovës.

“Padyshim që Gjykata Speciale ua ka futur frikën të gjithëve, sepse, ka deklaruar se kriminelëve ka për t'ua treguar vendin. Kriminelët po shihet se i ka zenë lemeria, prandaj po përpiqen t'ia vënë flakën Kosovës. Por, të frikësuar janë edhe njerëzit e ndershëm, të cilët janë të shqetësuar që Specialja po vonon, sepse, nëse Specialja do të niste punën, gjithçka do të ndryshonte në Kosovë dhe, shpresa është se do të do të fillonte të funksiononte shteti ligjor i Kosovës. Ky është halli i të gjitha shqetësimeve, që po e shprehin partitë politike” ka nënvizuar  Zogaj.

Image
Faton Mehmeti

Frika e PDK-së nga rritja e Vetëvendosjes

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, është shprehur se akuzat e PDK-së ndaj VV-së vijnë për shkak të forcimit të kësaj partie.

Sipas Mehmeti, PDK-ja e gjendur në krizën institucionale e ka kuptuar se në rast se vendi shkon në zgjedhjet e reja parashikimet janë se Vetëvendosja do të marrë më shumë vota, prandaj ajo është hedhur në sulm ndaj saj.

“Fatkeqësisht politikanët tanë, kryesisht të PDK-së  e kanë fatin e tyre të lidhur me pushtet, dhe sa më shumë rrezikohet rënia e tyre nga pushteti aq më të egër bëhen. Akuzat e PDK-së ndaj VV-së vijnë për shkak të forcimit të kësaj partie, e cila veçmas e ka kaluar PDK-në  në rang vend për nga numri i votave. Prandaj, të gjendur në krizë të pamundësie për formimin e institucioneve dhe nëse shkohet në zgjedhje parashikimet janë se VV do të marrë edhe më shumë vota dhe përfundimisht PDK-ja do shkatërrohet, janë hedhur në sulm ndaj VV. Jo veç ndaj VV, por edhe ndaj LDK-së , duke e akzuar secilin që  i del përpara” ka pohuar Mehmeti.

Edhe Mehmeti, akuzat e PDK-së ndaj Vetëvendosjes i lidhë me Gjykatën Speciale.

Sipas tij, qëllimi kryesor i PAN-it është që t’i fsheh sa më shumë dëshmitë për krime, t’i gjejnë dëshmitarët, t’i shantazhojnë apo edhe t’i vrasin.

“Kjo lidhet me afrimin e fillimit të arrestimeve  nga Gjykata Speciale, e që kryesisht janë njerëzit e PDK-së. Nuk ka më ironike se PDK-ja të akuzojë dikë për krim, nëna e krimit akuzon dikë për krim dhe korrupsion, kjo është non sen. PAN ka zgjuar agjentët e saj të SHIK-ut për të formuar sa më parë qeverinë, për këtë po punojnë me të gjitha mjetet për të bindur Labin. Qëllimi kryesor në këtë mandat të PAN-it në pushtet do të jetë të fsheh sa më shumë dëshmitë për krime , të gjejnë dëshmitarët dhe t’i shantazhojnë apo vrasin , këta janë në gjendje të kallin edhe Kosovën vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre, të së cilës çdo ditë po i ofrohet më shumë zjarri i Gjykatës Speciale” ka theksuar Mehmeti.

Image
Dimal Basha

Akuzat, mjet për të fajësuar tjetrin për bllokadën

Ndërsa, sipas analistit Dimal Basha, akuzat janë mjet më i mirë për ta fajësuar tjetrin për bllokadën që është krijuar.

“Unë nuk besoj se ka diçka të re në këto akuza, sepse sharjet, ofendimet, dhe përplaset personale janë bërë normë në diskursin e ulët politike. Duke marrë parasysh që vendi veç ka filluar të futet në një krizë për shkak të bllokimit që po bëhet, atëherë sigurisht se akuzat janë mjeti më i mirë për të fajësuar tjetrin për këtë bllokadë” ka theksuar Basha.

Basha ndryshe nga analistët tjerë, nuk bënë një ndërlidhje të Gjykatës Speciale me akuzat e partive politike.

Ai ka pohuar se gjykatat ndërkombëtare nuk do të bëjnë zgjidhjen e problemeve vendore, pasi që, sipas tij ata janë problemi dhe ata mund të jenë zgjidhja.

“Kurse sa i përket Gjykatës Speciale, une prapë nuk besoj se edhe nëse shkaktohen vonesa, unë vazhdoj të besoj se "gjykatat ndërkombëtare" nuk do të zgjedhin problemet vendore. Ne jemi problemi, dhe vetëm ne mund të jemi zgjidhja. Unë prapë pres që kjo retorikë ofendimesh të intensifikohet, sepse fundja partitë përfitojnë nga spektakli, dhe humbësi i vetëm mbetet qytetari i vendit” ka përfunduar Basha.

Të gjitha akuzat e kundër akuza në mes të PDK-së dhe Vetëvendosjes kishin ardhur pas lajmit të dhënë nga Dardan Molliqaj se po lë postin e sekretarit të VV-së pasi do angazhohet si deputet të punojë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Por, Blerand Stavileci, ministër në detyrë i PDK-së tha se VV është detyruar të distancohet nga shkaktuesit e dhunës dhe të shkarkojë Molliqajn.

Më pas akuzat vazhduan për punësime të jashtëligjshme në komunën e Prishtinës, ndërsa ato shpërthyen pas një debati televiziv me ç’rast deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra publikoi një mesazh përmes të cilit tha se është kërcënuar nga Alban Krasniqi zyrtar i VV-së njëherit burri i deputetes Albulena Haxhiu.

Mirëpo, nuk ka vonuar shumë dhe kishe ardhur reagimi i çiftit nga VV-ja.

Deputetja Albulena Haxhiu, e quajti Blerta Deliun, një shërbëtore që me zell i shërben klanit “Pronto!”. Ndërsa, bashkëshorti i saj iu kundërpërgjigj Deliu-Kodrës por jo vetëm asaj,  por krejt zyrtarëve të PDK-së duke thënë se po ju vije fundi.

Në një postim të mëhershëm Krasniqi, drejtuesit e PDK-së i quajti qaftrashë e milionerë për të cilët tha se nuk kanë shpëtim.

Pas mesazhit kërcënues të Alban Krasniqit në drejtim të deputetes Deliu-Kodra, reaguan zyrtarë të shumtë nga PDK, duke i dalë në mbrojtje bashkëpartiakes së tyre.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, është shprehur se histeritë e anëtarëve të VV-së janë të njohura, prandaj, sipas saj, kërcënimet e burrit të Albulenës ndaj Deliut, nuk e befasojnë.

Edhe zv.ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik nga PDK, Gani Koci ka mbrojtur bashkëpartiaken, derisa ka sulmuar VV-në duke thënë se urrejtja patologjike e militantëve të Vetëvendosje-s ndaj Drenicës në veçanti, dhe ndaj PDK-së në përgjithësi nuk ka të ndalur. Akuzat në mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar edhe gjatë kësaj jave duke akuzuar për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, për keqpërdorimet në konkurse në Prishtinë si dhe akuza të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat