Kërkohet riformatim i plotë për bisedimet me Serbinë

Politika

Kërkohet riformatim i plotë për bisedimet me Serbinë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 2 gusht 2017 Në ora: 12:21
Pamje nga një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në kuadër të dialogut

Shteti i Kosovës deri më tani nuk ka përfituar pothuajse asgjë nga dialogu me Serbinë. Duke  qenë e pabarabartë në këtë proces, vetëm Serbia ka përfituar në aspektin e rregullimit shtetëror të saj të brendshëm, por jo edhe shteti ynë, andaj edhe çdo takim që është zhvilluar në Bruksel për bisedime më serbet është përcjell më reagime të shumta. Por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë në të ardhmen, pasi partitë politike shprehin gatishmërinë për një format të ri të dialogut me Serbinë.

Kërkesa të vazhdueshme ka pasur që bisedimet me shtetin serb të zhvillohen me parime dhe duke mos cenuar të drejtën e shtetit të Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa në një postim të tij ka kërkuar që bisedimet më Serbinë të behën më një konsensus të gjerë politik duke qenë më të bashkuar.

“Zgjidhja e çështjes serbe në Kosovë dhe e problemeve me Serbinë është nyje e perspektivës sonë evropiane dhe e stabilitetit afatgjatë.  Askush nga ne nuk e shfrytëzon pozitën e fuqisë dhe dominancës politike (sepse as që e ka - dhe mirë që nuk e ka ), si rasti i Presidentit serb, për inicimin e dialogut të brendshëm por mund të shfrytëzojmë diversitetin tonë të mendimit politik për të gjetur zgjidhjen më të mirë të përbashkët.  Janë disa tema, të cilat nuk mund ti përballojmë të ndarë dhe të fragmentarizuar. Temat e mëdha shtetërore zgjidhen me kujdes të madh dhe konsensus të gjere politik, me institucione të qëndrueshme dhe me njerëz që mendojnë për shtetin, në bashkëpunim me SHBA-të dhe me Bashkimin Evropian” thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa.

Qëndrimet që vazhdimisht i ka bërë Lëvizja vetëvendosje, kanë qenë që bisedimet më Serbinë duhet të bëhen në mënyrë të hapur dhe se dialogu të zhvillohet më qytetaret dhe përfaqësuesit serbë të Kosovës e jo më Serbinë.

Format i ri i dialogut

Image
Rexhep Selimi

Rexhep Selimi deputet nga radhët e Lëvizjes vetëvendosje ka thënë se ata vazhdojnë ti kenë qëndrimet e njëjta sa i përket bisedimeve më Serbinë.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka qëndrimet e pa ndryshueshme sa i përket bisedimeve më Serbinë. Ne do ta vendosim dialogun më qytetaret dhe përfaqësuesit serbë të Kosovës e jo më Serbinë. Prandaj me Serbinë nuk do të flasim as për temat që janë folur deri më tani e as me kushtet dhe formatet e deritanishme”.  Sipas Selimit është gabim i madh të vazhdohet të bisedohet më Serbinë për Kosovën.

Kurse sipas nënkryetarit të AKR-së Korab Sejdiu dialogu më Serbinë duhet të ri formatizohet thellësisht, dhe se duhet pasur parakusht përmbushjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Image
Korab Sejdiu

“Kam thënë edhe më herët që dialogu me Serbinë duhet të ri formatizohet thellësisht.  Po ashtu, çfarë do iniciative për të vazhduar dialogun, duhet pasur parakusht përmbushjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.  Presidenti Thaçi duket të ketë shumë kujdes lidhur me rolin e tij në këto bisedime dhe të sigurojë paraprakisht mbështetjen të tërë spektrit politik për të ndërmarrë ndonjë veprim konkret në këtë drejtim” ka përfunduar nënkryetari i AKR-së Sejdiu.

Abazi: Dialogu instrument i sabotimit të shtetësisë

Ndryshe Haki Abazi drejtori për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit 'Rockefeller Brothers' ka thënë për “Bota sot”,  se dialogu më Serbinë që nga fillimi ka qenë instrument i blerjes kohe dhe sabotimit të shtetësisë se Kosovës, ka qenë i gabuar atëherë dhe është i gabuar sot. Sipas tij presidenti Thaçi e ka përdorur për të treguar fuqinë e kontrollit të tij në Kosovë para bashkësisë ndërkombëtare dhe ka dështuar në të gjitha aspektet.

Image
Haki Abazi

“Serbia e ka përdorur për të parandaluar ecjen progresive të Kosovës , njohjet dhe ka forcuar pozitën e saj në vendimmarrje për Kosovën duke e rihapur pakon e Ahtisarit dhe duke ushtruar kontrolle ndaj veriut dhe pjesëve tjera të Kosovës dhe duke mos lejuar që hapësira e Kosovës të kontrollohet nga institucionet e vendit dhe ka arritur që në dialog më ndërmjetësim të BE-së të vendosë fusnotën në emrin e Kosovës duke e rikthyer rëndësinë e rezolutës 1244 që ishte e vdekur praktikisht pas shpalljes se Pavarësisë  dhe vendimet e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë” ka thënë ai.

Sipas Abazit dialogu duhet të ndërpritet njëherë e përgjithmonë dhe duhet kthyer ne nivelin e plotësimit të kushteve për fqinjësi të mirë të përcaktuar nga MSA dhe direktivat e bashkimit evropian si pjesë procesit të anëtarësimi në BE.

Image
Enver Hoti

Sipas Enver Hoti anëtar i kryesisë se Nisma për Kosovën, Nisma për Kosovën gjithmonë ka qenë në interesin e një pajtimi dhe koordinimi mes faktorit politik shqiptar sa i përket temave të interesit nacional.

“Bëjmë thirrje për bashkëpunim real mes partive politike kur janë në pyetje temat e rëndësishme siç është: dialogu më Serbinë, demarkacioni më Malin e Zi, e Asociacioni komunave me shumicë Serbe”, ka thënë për "Bota sot" Enver Hoti.

Shahu: Dialogu duhet të ndërpritet

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu tha për “Bota sot”, se thirrja e Isa Mustafes dhe e kujtdo politikani aktual në Kosove sa i përket dialogut me Serbinë nuk bën të konsiderohet rutinë dhe me kalu radhën. Deri sivjet ka pasur më shumë fjalë për dialogun se sa dialog të vërtetë e të barabartë. Dialogu i vërtetë bëhet mes palëve të barabarta e jo mes Liliputit e Guliverit.

“ Isa Mustafa dhe cilido kryeministër dialogun duhet ta konsiderojë dialog mes dy palëve të barabarta, jo mes dhunuesit e viktimës pasi dhunuesi gjatë këtyre viteve ka veshë kostumin e viktimës dhe zyrtaret e Kosovës e kanë lejuar një gjë të tillë. Kosova nuk ka pse diskuton më Serbinë për çka ia ka dhënë lufta, por duhet të marrë kadastrat, arkivat sekrete që askush të mos jetë peng i Serbisë. Këtë e bënë një ekip biseduesish të ditur e patriotë shqiptar që nuk kanë asnjë nostalgji për Beogradin” ka thëne Rexhep Shahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat