Kush do ta zëvendësojë presidentin dhe kryeministrin nëse akuzohen nga Specialja?

Politika

Kush do ta zëvendësojë presidentin dhe kryeministrin nëse akuzohen nga Specialja?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 korrik 2017 Në ora: 08:37
Selia e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale e votuar në Kuvendin e Kosovës, pritet që së shpejti të fillojë me aktakuzat e para.

Në media janë përfolur emra të ndryshëm, e më së shumti emri i presidentit Hashim Thaçi dhe data se kur mund të fillojnë aktakuzat e para, mirëpo nga Gjykata Speciale ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë.

Por, sa është e mundur që nga Specialja të bëhen aktakuza për persona që mund t’u lihet në gjysmë karriera politike, për shkak të angazhimeve të tyre në këtë fushë.

Gjoshi: Zgjedhje të reja nëse presidentit apo kryeministrit i hiqet mandati nga Specialja

Image
Adrian Gjoshi

Avokati Adrian Gjoshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Specialja do të merret me ish-ushtarët e UÇK-së që kanë pozita në institucione, andaj sipas tij, do të ketë nevojë për zëvendësime.

“Duke qenë që Gjykata Speciale është e dizajnuar në atë mënyrë që, ndër të tjera, për subjekt të aktakuzës t'i ketë ish-ushtarët e UÇK-së, e meqë këta të fundit kanë pasur pozita kyçe në institucione, sigurisht që mund të vijmë në situatën ku këto pozita do të kërkonin zëvendësime ose edhe vota të reja! Përjashtuar presidentin dhe kryeministrin, të gjitha pozitat tjera mund të zëvendësohen. Deputetët zëvendësohen nga deputetët tjerë, të cilët janë në rend menjëherë pas humbësit të mandatit; ministrat zëvendësohen nga formatori i qeverisë. Ndërsa, për shkak se pozita e presidentit dhe kryeministrit nuk mund të zëvendësohet në mënyrë permanente, në rast se ndonjërës prej këtyre pozitave do t'i hiqej mandati - zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme. Në këtë drejtim, aktivizimi i Gjykatës Speciale, sigurisht, do të ketë reperkusione politike dhe sociale”, është shprehur Gjoshi.

I pyetur se si mund të shihet kjo gjendje në Kosovë, kur vendi sapo ka dalë nga zgjedhjet, Gjoshi ka thënë se jo paarsyeshëm nga shumë komentues ky aktivizim shihet si ndryshim në strukturën politike të Kosovës dhe kërkohet maturi e gjakftohtësi qytetare.

Zogaj: Të ndëshkohen kryesit e krimeve

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë se është lajm i mirë që Specialja të fillojë me aktakuzat për persona, që sipas tij do të kishte qenë më mirë që të ndëshkoheshin për krimet e bëra.

“Gjykata Speciale më në fund i ka të gjitha autorizimet dhe autoritetin e duhur ligjor për të filluar me aktakuzat për personat që supozohet se janë të ngarkuar me vepra krimi që kanë ndodhur gjatë kohës së luftës dhe pas saj. Ky është një lajm i mirë, në keqardhjen e thellë të gjendjes sepse, e mira e së mirës do të kishte qenë që, institucionet e Kosovës të ishin angazhuar me kohë për zbardhjen e krimeve dhe për ndëshkimin e kriminelëve, që ka mundur të bëhet shumë vite më përpara dhe që tash, Kosova do të kishte qenë kaherë në sofrën e BE-së. Mirëpo, kjo, fatkeqësisht nuk ka ndodhur, prandaj bashkësia ndërkombëtare e ka diktuar Gjykatën Speciale, e cila shpresojmë se do të angazhohet seriozisht dhe sinqerisht për të hetuar krimet dhe për të dhënë dënimet e merituara për të gjithë autorët e veprave kriminale, në mënyrë që, njëherë e mirë Kosova të pastrohet nga hipotekat e këqija që ia mbajnë peng lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë”, është shprehur Zogaj për gazetën “Bota sot”.

“Të akuzuarit e Speciales s’kanë më vend në Kuvend e Qeveri

Sa i përket të akuzuarve, Zogaj ka thënë se kushdo qofshin ata, nuk duhet të kenë vend në asnjë institucion.

“Rreth të akuzuarve janë bërë supozime të shumta kalkulime mediale, por tash, kur Gjykata do të nxjerrë listën e personave, gjithçka do të fillojë të kthjellet, dhe kjo do të shënojë kthesën e rëndësishme të fillimit të këndelljes së vendit, në drejtim të stabilizimit shtetëror, sepse të gjitha gjasat janë që, publiku të ndërgjegjësohet dhe të demarkohet nga krimi dhe kriminelët. Kushdo qofshin të akuzuarit, jam i bindur se, populli do t'i njoh dhe do t'i ndëshkojë me urrejtjen e plotë, sepse, i kanë krijuar plagë të thella vendit dhe popullit. Të gjithë ata që del se janë të implikuar në krime, kushdo qofshin, pavarësisht nga vota që mund të kenë marrë në zgjedhjet e 11 qershorit, nuk kanë më vend në Kuvend, në Qeveri dhe në asnjë veprimtari politike”, ka vazhduar më tej.

Po ashtu, analisti ka përmendur edhe emra të personave që janë vrarë, e që vrasjet e tyre nuk janë zbardhur, duke shpresuar në zbardhjen e këtyre rasteve nga Gjykata Speciale, në mënyrë që kryesit e tyre të marrin dënimin e merituar.

“Vrasësit e bijve dhe bijave më të pastra atdhetare, si kolonel Ahmet Krasniqi, Xhemajl Mustafa, Tahir Zemaj, Enver Maloku, Ismet Raci, Sebahate Tolaj, Bekim Kastrati, Shaban Manaj, Ali Ukaj, Bardhyl Ajeti, etj., duhet të shkojnë në burg dhe ta kenë mallkimin e përjetshëm për tradhtinë që ia kanë bërë popullit dhe atdheut të vet. Kjo është drejtësia që duhet të arrihet dhe që Gjykata Speciale duhet ta realizojë”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat