Mesazhet e ambasadorit amerikan drejtuar Kosovës

Politika

Mesazhet e ambasadorit amerikan drejtuar Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 korrik 2017 Në ora: 08:05
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka tërhequr vërejtjen për politikanët e Kosovës, duke thënë se nuk ka kohë për ngërç politik dhe se ata duhet t’i lënë anash interesat partiake dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve. E gjithë kjo vije nga frika e përsëritjes së ngërçit politik sikur që kishte ndodhur në vitin 2014, ku Kosova ishte futur në një krizë politike e cila kishte zgjatur afër 6 muaj.

Duke thënë se SHBA-të mbeten të përkushtuara për Kosovën si shtet sovran, ambasadori Delawie tha se në Kosovë ka shumë ngecje, andaj shteti i Kosovës duhet ta formojë vet qeverinë, pasi sipas ambasadorit amerikan, sytë e të gjithëve nuk janë të kthyer nga Ballkani dhe se Kosova që në të kaluarën  ka tërhequr vëmendjen e botës për arsye negative, ndërsa sot duhet ta rikthejë vëmendjen e botës në kuptimin pozitiv duke demonstruar se jeton në përputhje me vlerat euroatlantike.

“Kompromisi i madh paraqet një mësim të rëndësishëm për udhëheqësit sot, veçanërisht përderisa Kosova fillon ta formojë qeverinë e vet të re. Levat ndërkombëtare që kanë mbështetur vendimmarrjen në të kaluarën në Kosovë nuk janë aq aktive si dikur. Bota është e shpërqendruar, shumë vende janë të preokupuara me çështjet e brendshme. Sytë e të gjithëve nuk janë të kthyer nga Ballkani tash. Gjithnjë e më shumë po llogarisim në juve për t’i marrë vetë vendimet e juaja dhe për të marrë përgjegjësinë për to”, ka thënë Delawie.

Por, sa do të do të merren parasysh këto vërejtje që i ka bërë ambasadori amerikan, duke pasur parasysh se të ngjashme janë bërë edhe më herët.

Image
Enver Bytyçi

SHBA dëshiron zhvillime pozitive në Kosovë

Për këtë, publicisti dhe njohësi i zhvillimeve aktuale në vend, Enver Bytyçi, ka thënë se me deklaratën e tij për t’i dhënë fund ngërçit politik, në festimin e përvjetorit të pavarësisë së SHBA-vë, ambasadori amerikan dëshmoi se  SHBA-të janë gjithnjë të interesuar për zhvillime pozitive në Kosovë, në veçanti sa i përket forcimit të institucioneve shtetërore. Forcimi i institucioneve të shtetit të Kosovës është e duhet të jetë qëllimi themelor i çdo subjekti politik të vendit.

“Ambasadori flet për agjendën politike të partive, të cilat nuk kanë të njëjtin shqetësim për interesin shtetëror e kombëtar. Ky fenomen dëmton institucionet e çdo vendi, por në rastin e Kosovës dëmi është i shumëfishtë për shkak të mosnjohjes ende të shtetësisë së saj. Lidershipi politik duhet t'i lexojë mirë mesazhet e ambasadorit Delawie. Ato janë mesazhe që vijnë nga një vëzhgues i vëmendshëm i zhvillimeve në Kosovë, përveçse një miku e partneri strategjik të Kosovës. Amerika është avokati më i madh i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Politika e Kosovës, nëse krijon pengesa në funksionimin e shtetit, dëshmon praktikisht jo vetëm dobësinë e saj përballë qytetarëve, por edhe shndërrohet në mosmirënjohëse për atë ndihmë të jashtëzakonshme që SHBA-të kanë dhënë me dekada për Kosovën e lirinë e saj”, është shprehur Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Qeveria të krijohet sa më parë

Më tej, ai thotë se tani është koha që të krijohet qeveria e re e Kosovës, pasi çdo zvarritje, do të jetë negative dhe do të shihet nga partnerët si paaftësi për marrëveshje, për dialog, për qeverisje.

“Do të ishte mirë që kjo qeveri të kishte një bazë shumë të gjerë politike, ndoshta 70-80 për qind të numrit të deputetëve shqiptarë, plus pakicat. Me këtë bazë të gjerë në qeverisje rritet përgjegjësia e vendimmarrjes, mënjanohen veprimet arbitrare të individëve në krye të institucioneve. Për pasojë evitohen gabimet e së shkuarës dhe vendit i hapet një perspektivë e qartë për të ardhmen euro-atlantike. Edhe sikur Kosova për specifikat e saj të krijonte një qeveri e qeverisje me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, nuk do ta shihja si një cenim të demokracisë. Rëndësi për vendin ka në këto momente vendimmarrja e guximshme dhe e zgjuar, shprehja e një vendosmërie të përbashkët për të kapërcyer vështirësitë e momentit. Ndërkaq për Kosovën koha është diamant, jo më flori. Prandaj çdo zvarritje në krijimin e institucioneve të reja qeverisëse vetëm se krijon një imazh negativ dhe kjo do të perceptohet te partnerët si paaftësi për marrëveshje, për dialog, për qeverisje”, ka deklaruar profesori Bytyçi.

Image
Ali Hertica

Kosova në situatë të rëndë politike

Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Kosova gjendet në një situatë të rëndë politike dhe ekonomike, e shkaktuar nga vetë politikanët, e gjitha për inate dhe interesa partiake.

“Situata politike dhe ekonomike jostabile dhe jo funksionale që sot po përcjell Kosovën dhe shoqërinë e Kosovës është e rëndë dhe e pakuptimtë nga vetë politikë-bërësit dhe vet lidershipi i Kosovës, ku tani kjo po vërehet se vërtetë lidershipi të dhe politikbërësit e Kosovës nuk janë të dhënë ta ndërtojnë shtetin dhe as që mendojnë për qytetarin, por vetëm për egon e tyre partive dhe klanet subjektive të tyre politike nga etja për pushtet, pa e shikuar interesin madhor të shtetit, që është i zhytur në krime dhe korrupsion, nga bandat më ordinere të krimit ekonomik dhe politik. Kjo situatë e cilat sot është një ngërç politik, pothuajse i patejkaluar nga inatet dhe klanet partiake, ku kjo nuk është hera e parë të një situate të tillë, vërehet se Kosova thuajse i ka inat vetvetes dhe nuk dëshiron që t’i shtyjë proceset përpara, duke ju bashkuar të gjitha instancave euro-atlantike dhe mos të jetë një vend i getizuar për etjet e pushtetarëve për poste politike”, është shprehur Hertica.

Duke folur për mesazhin e ambasadorit amerikan për politikanët e Kosovës, ai ka thënë se politikanët nuk do ta marrin parasysh, pasi janë të etur për pushtet dhe jo për të ndërtuar shtet.

“Mesazhi i ambasadorit amerikan Delawie është një sinjal që edhe Amerika dhe shtetet aleate të Kosovës nuk dëshirojnë ta shohin këtë situatë, e cila sjell humbje për shoqërinë e Kosovës dhe dështim total politik në arenën ndërkombëtare, ku është pa institucione dhe pa vendime shtetërore që do të ishin madhore. Mesazhin e ambasadorit amerikan dhe shumë përfaqësuesve diplomatikë lidershipi nuk do t’i marrë fare për bazë këto mesazhe sepse politikanët i ka kapluar etja për pushtet dhe jo etja për ndërtimin dhe rimëkëmbjen e institucioneve të shtetit”, ka përfunduar Hertica për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat