Rrëfehet vëllai i të akuzuarit për vrasje të pasluftës, tregon a është kontaktuar nga Gjykata Speciale

Politika

Rrëfehet vëllai i të akuzuarit për vrasje të pasluftës, tregon a është kontaktuar nga Gjykata Speciale

Nga: Bota Sot Më: 7 korrik 2017 Në ora: 10:31
Driton Sylejmani, vëllai i Agron Sylejmanit gjatë intervistës dhënë për "Bota sot" / Foto "Bota sot"

Driton Sylejmani, vëllai i Agron Sylejmanit, i akuzuar për vrasjen e Haki Imerit dhe gazetarit të gazetës “Bota sot” Bekim Kastratit, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka zbuluar detaje për akuzat ndaj Agronit.

Ai ka thënë se vëllai i tij i vrarë ishte i pafajshëm, pasi në kohën kur akuzohej për vrasje, ai gjendej në Gjermani. Sylejmani, ka deklaruar së përgjegjës për akuzat e padrejta ndaj Agronit janë “komandantët e Drenicës”, e më përgjegjësi mes tyre është presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Sipas Sylejmanit, Thaçi, ka paguar dhe ka shpërblyer Imer Imerin, me qëllim që mos ta akuzojë Thaçin, por që fajin ta gjuajë tek dikush tjetër, në këtë rast tek Agon Sylejmani.

I pyetur nga gazeta se a është kontaktuar nga Gjykata Speciale lidhur me këtë rast, meqë ajo ka nisur tashmë punën, Driton Sylejmani, ka mohuar një gjë të tillë.

“Unë nuk e di së pari me çka merret Gjykata Speciale. Nuk më ka kontaktuar askush, unë kam dashur vetëm sqarimin e vrasjes së vëllait, kam kërkuar të dihen këto gjëra për të. Jam viktimë e këtyre veprave. Për këto e din shumë mirë EULEX dhe UNMIK-u, por për shkak të bizneseve që i kanë të përbashkëta këta mundohen që pisllëqet e tyre t’i mbulojnë më persona të pafajshëm”, është shprehur ai.

Ndërsa, i pyetur se si do të veprojë nëse Gjykata Speciale do ta bënte fajtor Agronin, Driton Sylejmani, ka thënë se nuk mund të ndodh kjo, pasi sipas tij, Specialja e din kush i ka bërë vrasjet në Kosovë.

“Gjykata Speciale nuk mundet ta bëjë fajtor atë, se do të jem ai që do të përcjell çdo seancë, pasi ajo ka të bëjë me njerëz të gjallë e jo të vdekur. Edhe Specialja e din kush i ka bërë ato”, ka deklaruar ai.

Por, Sylejmani ka paralajmëruar se në rast se gjykatat vendore nuk mund të sjellin drejtësinë, ai së bashku me avokatin e tij, do t’i drejtohet Gjykatës Speciale.

“Unë i kërkoj gjykatave vendore të vihet drejtësia, meqë edhe në gjykata tona mund të ketë drejtësi. Unë kam kërkuar ekspertiza, rrethanat, armët me të cilën është vrarë, por deri tani nuk ka pasur interesim të bëhet një sqarim për këtë asnjë gjykatë. Nëse nuk arrihet këtu asgjë, unë do të marr një avokat dhe do ta përfaqësoj vëllain aty”, ka thënë Driton Sylejmani në intervistën për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat