Posti i kryeministrit, “mollë sherri” mes partive politike

Politika

Posti i kryeministrit, “mollë sherri” mes partive politike

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 korrik 2017 Në ora: 10:49
Albin Kurti, Avdullah Hoti dhe Ramush Haradunaj

Matematika elektorale e prodhuar nga zgjedhjet e 11 Qershorit, e bën të pakuptimtë çfarëdo qëndrimi të ngurrtë të subjekteve politike.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se pavarësisht nëse ndonjë subjekt ka shënuar rritje apo ndonjë tjetër ka shënuar rënie, është e qartë se askush nuk ka fituar ulëse të mjaftueshme në mënyrë që të jetë i sigurt në kandidatin që ka nominuar. Sipas tyre, kjo është formulë e vështirë matematikore dhe jo kushtetuese dhe këtë nuk mund të ketë një kryeministër nga këto parti tashmë opozitare, sepse ata mund të bëjnë ngërç por jo edhe qeveri.

Pacolli po rrëshqet drejt PAN?

Sadri Ramabaja kandidat për deputet  në VV, ka thënë se deklarata e Behgjet Pacollit për gjoja një kryeministër konsesual, nëse duan që PDK të vete në opozitë, është plotësisht në përputhje me natyrën e tij politike.

Image
Sadri Ramabaja

Sipas tij, ajo është deklaratë e një biznesmeni, që nuk ka të bëjë farë me natyrën politike dhe aq më pak me atë të një politikani demokrat.

“Unë jam i prirë ta shoh këtë deklaratë edhe si alibi për rrëshqitjen e tij drejt PAN-it. Në kërkim ët kësaj alibie janë edhe drejtuesit e LDK-së. Por për dallim nga Pacolli, drejtuesit e LDK-së janë në pozicion më të vështirë, sepse ata nuk mund të sillen si autokrat, si sillet Pacolli. Drejtuesit e LDK formalisht detyrohen t' i përfillin ca procedura demokratike: Të ftojnë Këshillin e Përgjithshëm dhe aty të marrin vendim. Për Pacollin këto procedura janë inegzistente. Fundja, ai Partinë e ka si zgjatim të biznesit”, është shprehur Ramabaja.

Analisti politik Blerim Burjani, duke folur rreth asaj se si komentohet nga LDK dhe Vetëvendosje deklarata e Behgjet Pacollit për një Kryeministër Konsensual dhe sa është e qëlluar ideja që Hoti e Kurti të heqin dorë nga posti i Kryeministrit nëse të dyja këto subjekte bashkë me AKR-në dhe Alternativën duan PAN-in në opozitë, ka vlerësuar se kjo është formulë e vështirë matematikore dhe jo kushtetuese.

Image
Blerim Burjani

Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese

“Këtu ka vështirësi dhe është një interpretim i Gjykatës Kushtetuese në fuqi dhe e vetmja rrugë për të shkuar PAN në opozitë është që PAN të propozojë kandidatin e opozitës për kryeministër marrëveshje ose PAN të propozojnë kryeministër konsensual, PAN vet s’mund tejet bëjë qeveri dhënia e postit të kryeministrit është zgjidhje ndryshe shkohet në zgjedhje. Pra PAN vet nuk mund të bëjë Qeveri, sepse ky post me marrëveshje në mes tre blloqeve politike duhet të merren vesh të propozojnë një kryeministër apartiak për periudhën dy vjeçare. Zgjidhja më e mirë do të ishte që kryeministri tejet apartiak”, ka thënë analisti Burjani.

Mentor Tahiri, politolog ka thënë se matematika elektorale e prodhuar nga zgjedhjet e 11 Qershorit, e bën të pakuptimtë çfarëdo qëndrimi të ngurtë të subjekteve politike.

“Pavarësisht nëse ndonjë subjekt ka shënuar rritje apo ndonjë tjetër ka shënuar rënie, është e qartë se askush nuk ka fituar ulëse të mjaftueshme në mënyrë që të jetë i sigurt në kandidatin që ka nominuar. Tani hyjnë në punë vetëm kompromiset kuadrovike dhe ato programore, partitë duhet të përcaktohen për një listë të përbashkët të prioriteteve gjë që nënkupton lëshime nga ana e tyre”,ka thënë politologu Tahiri.  

Image
Mentor Tahiri

Situata reflekton në zgjedhjet lokale

Sipas tij, një mandatar koncensual për kryeministër, do të ishte veprim i mençur si dhe do t’i mundësonte subjekteve politike që synojnë të jenë pjesë e një shumicë të re parlamentare, që të dëshmojnë se ato nuk kanë prioritet sistemimin e individit.

“Megjithatë, deri tani po shohim vetëm blofe politike, kurse një pjesë e eksponentëve partiak janë shndërruar në falltarë. Shumë deklarata po lëshohen në mënyrë paushalle në funksion të shantazhit psikologjik që i bëhet kundërshtarëve politik. Mbase kjo do t’i mundësojë qytetarit, që edhe më saktë të dijë të bëjë dallimin ndërmjet ofertave konkrete programore në njërën anë, si dhe të “palaçove” retorik në anën tjetër. E gjitha kjo do të reflektojë në zgjedhjet lokale pas ca muajsh, apo edhe në zgjedhjet eventuale të reja parlamentare në rast se kësaj radhe dështon formimi i qeverisë”, ka thënë Tahiri.

Opioninisti Nexhat Haziri ka thënë se, ideja e z. Pacolli është interesante dhe do të duhej që të zë vend apo hapësirë diskutimi ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, në rast se ndërmjet tyre ka biseda për formimin e qeverisë së Kosovës.

“Ajo që vërtet po bëhet si një precedent jo i mirë dhe jo demokratik, është kushtëzimi I koalicionit , gjegjësisht partisë më të madhe, me pozitën e kryeministrit. Nëse flasim për një koalicion në mes LVV-së dhe LDK-së së bashku me partnerët e sajë, mendoj se është parimore që LVV-ja ta ketë postin e kryeministrit si partia më e madhe që do të jetë në këtë koalicion qeverisës, dhe kjo do të ishte mundësia më e mirë qe PAN-I të shkonte në opozitë. Për mendimin tim, shumë më rëndësi do të ishte fokusimi, dhe serioziteti I LVV-së dhe LDK-së, për një program qeveritar, të detajuar dhe funksional që do të ishte kontabil me kërkesat dhe nevojat që kanë qytetarët e Kosovës, dhe në këtë aspekt do të duhej të fokusoheshin partitë respective në bisedat për formimin e koalicionit qeveritar”, ka thënë Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Kryeministri “mollë sherri”

Ai ka vlerësuar se mos dakordanca ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, për postin e kryeministrit, do të jetë një fitore e PAN-it, e cila edhe nëse dështon në hapin e parë për të bërë qeverinë, kjo mos dakordancë në mes LVV-së dhe LDK-së, i krijon mundësi PAN-it, për ta provuar sërish dhe nga kjo mund të dalë e suksesshme dhe ta krijoj qeverinë, edhe me një shumicë të thjeshtë.

“ Andaj vlerësojë se në këtë rast LVV dhe LDK-ja, duhet të jenë serioze në procesin e formimit të koalicionit në mes tyre për krijimin e qeverisë së Kosovës, dhe posti i kryeministrit nuk do të duhet të jetë “mollë sherri” që Kosova të mos ketë një qeveri që do ti ngjallte shpresat e qytetarëve tanë për një perspektivë më të mirë e më të qartë të Kosovës”, ka thënë opinionisti Haziri.

Ndërsa njohësi çështjeve politike Seremb Gjergji ka thënë se z. Pacolli nuk e njeh mirë Kushtetutën.

Image
Seremb Gjergji

Gjergji: S`ka qeveri pa PAN

Sipas tij, sikur ai ta kishte njohur kushtetutën do të ishte zgjidhur President sipas Kushtetutës e jo të gaboi në proces.

“Asnjë Qeveri nuk mund të krijohet pa PAN-in. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet e kaluara ka pas bllokadë 6 mujore - për arsye se dëshironin t'i bënin institucionet pa partinë fituese. Gjykata kushtetuese ka dalë me qëndrimin e vet: çdo institucion behët më bekimin e partisë fituese. Rasti ka qenë kur PDK ia dhe bekimin LDK-se për krijimin e Qeverisë. Tash PAN vendose se çfarë veprimesh do të ndërmarrë. Mendoj se, në një mënyrë z. Pacolli ka të drejtë: Koalicioni i mundshëm ndërmjet PAN dhe LAA është një lloj Qeverie Teknike - sepse grupi qeverisës, edhe ashtu është shumë i gjerë. Ende mendoj, se z. Haradinaj duhet t'i jepet shanca për të udhëhequr - edhe ashtu, kjo Qeveri i ka 1.6 vjet jetë dhe asnjë ditë më shumë”, ka thënë Gjergji.

Ndryshe, Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se edhe VV edhe LDK duhet të tërhiqen nga kandidaturat e tyre për kryeministër. Sipas tij, edhe Albin Kurti edhe Avdullah Hoti duhet të heqin dorë nga ambiciet e tyre për kryeministër. “Duhet ta gjejmë një kandidat konsensual. Një kandidat i cili do të jetë në gjendje ta drejtoj ashtu si duhet qeverinë e ardhshme”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat