Dy rrugët e Hashim Thaçit për mandatarin e Qeverisë

Politika

Dy rrugët e Hashim Thaçit për mandatarin e Qeverisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 korrik 2017 Në ora: 09:39
Hashim Thaçi

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit kanë dalë të enjten dhe  sipas KQZ-së koalicioni PAN do të ketë 39 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje 32 deputetë dhe koalicioni LDK-AKR- Alternativa 29 deputetë.

Edhe pas rezultateve përfundimtare asnjëra nga partitë nuk ka arritur t’i fitojë 62 ulëse për ta formuar qeverinë vetëm.

Në anën tjetër, Presidenti i vendit, përgjegjësi për dhënien e mandatit koalicionit fitues ishte shprehur se mandatarin për qeverinë e re e ka zgjedhur qytetari.

Thaçi ka thënë se Kosova do t’i ketë institucionet e reja në 10 ditëshin e parë të korrikut, ndërsa sa i përket mandatarit ai thotë se është përcaktuar nga vetë qytetari i Kosovës.

“Duhet pritet certifikimi i rezultatit zgjedhor,  mendoj është aspekt teknik, por mendoj se duhet të përmbyllet ky procesi të ketë një vlerë të mriz e të respektuar e kredibile e të jetë i respektuar nga të gjithë. Ndërsa se kujt i takon mandatari është përcaktuar nga vetë  qytetari i Kosovës, me votën e vetë të lirë. Dua të besoj se do të kemi institucionet të shpejta, në 10 ditshin e parë të korrikut dhe këto institucione shpresoj e besoj se do të jenë kredibile, stabile, multietnike e natyrisht të një orientimi të qartë euroatlantik”, ka thënë Thaçi ditë më parë në një intervistë për mediet.

Mirëpo, kjo deklaratë e Presidentit nga analistët është parë një tendencë e tij që në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ta mandatojë ish- partinë e tij, pra PDK-në së bashku me aleatët e saj në koalicion.

Sipas analistëve Presidenti është në mesin e dy qasjeve, asaj morale dhe ligjore.

Presioni i Thaçit

Analisti Jeton Kelmendi, thotë se brenda deklaratës së Thaçit është një lloj presioni i butë mbi aleatët e mundshëm të koalicionit, por në realitet nuk thotë asgjë.

“Mendoj që deklarata e Presidentit Hashim Thaçi që mandatarin e ka zgjedhur populli është një deklaratë e përgjithshme dhe nuk thotë asgjë. Natyrisht, brenda kësaj deklarate ka diçka që vetëkuptohet është një lloj presioni i butë mbi aleatët e mundshëm të koalicionit, por në realitet nuk thotë asgjë. Nuk thotë asgjë sepse sovrani vërtet ka folur dhe ka zgjedhor, ka folur në vërtetë se ai që mund t’i bëjë votat ta formojë qeverinë, prandaj kjo është shumë e thjeshtë dhe shumë e lehtë”, shprehet Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Ai nuk mohon dëshirën e Presidentit që qeveria të formohet nga partia e tij dhe i ashtuquajturi krahu i luftës.

“Sigurisht nuk e ka thënë mbi këtë parim, pra qe qeveria të formohet nga votat e shumicës duke e njohur që është një figurë shumë kontraverse, pra Presidenti Thaçi dhe dëshira e tij është ta formojë partia e tij dhe blloku i krahut të ashtuquajturi, por po shihet që kësaj pune i ka ardhur shumë vështirë sepse asnjë parti nuk dëshiron të bashkëpunojë me ata, sigurisht për shkak të qëndrimeve jo korrekte që PDK-ja i ka pasur historikisht që nga fillimi e deri më sot. Prandaj, unë parashoh një tribunë, parashoh nëse presidenti Thaçi nuk do ta mandatojë atë që i ka numrat, që mund të jetë Lëvizja Vetëvendosje me koalicionin LAA”, pohon Kelmendi.

Dy qasjet e Thaçit

Ndërsa, analisti Dimal Basha thotë se obligimi i Presidentit është ta mandatojë fituesin e zgjedhjeve, e në këtë rast është koalicioni PAN, mirëpo vështirë të formohet për shkak të partive tjera.

“Obligimi i Presidentit është që herën e parë  të mandatojë  fituesit e zgjedhjeve, që në këtë rast është koalicioni fitues, PAN-i. Unë mendoj se PAN-i do ta ketë shumë të vështirë formimin e një qeverie  dhe me këto qëndrime të partive tjera duket se do të kemi rastin e mandatimit të dytë nga Presidenti. Mandatimi i dytë mund të krijojë një debat të ashpër në atë se cila parti duhet të ketë drejt të provojë  formimin e qeverisë”, shprehet Basha.

Image
Dimal Basha

Sipas Bashës, situata ka dy qasje, është qasja morale dhe qasja ligjore.

“Në  njërën anë kemi interpretimin e qasjes morale, që argumenton se herën e dytë mandati duhet t'i jipet një partie që garanton formimin e qeverisë, kurse në anën tjetër kemi qasjen ligjore që nënkupton definimin e fjalës diskrecion, që  përfshin vetëm fuqinë e vendimit në bazë të gjykimin personal të Presidentit, që mund të jetë ridhënia e mandatit të një  individi tjetër brenda PAN-it. Kjo mund të shihet si e padrejtë, mirëpo gjuha në  kushtetutë e lejon këtë  qasje sado e padrejtë  që duket”, thekson Basha.

Fillim i pazareve politike

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri, thotë se koalicioni PAN do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për formimin e qeverisë dhe këtë duke llogaritur edhe ndihmën e Presidentit.

Tahiri deklaratën e Presidentit të Kosovës lidhur me mandatarin e qeverisë e sheh si deklaratë eskivuese dhe një përpjekje për t’i dhënë sqarime opinionit.

Image
Mentor Tahiri

“Në prononcimet e këtyre ditëve të disa eksponentëve politik ka deklarime të ndryshme lidhur me gjoja sigurimin e mandateve për formimin e qeverisë. Është krijuar një ambient shumë spekulativ, prognozues me shumë blof politik. Fatkeqësisht, as politika institucionale nuk ka kontribuar pozitivisht në këtë drejtim. Presidenti i Kosovës ka deklaruar se lidhur me mandatarin e qeverisë ka vendosur populli, një deklarim ky krejtësisht eskivues pa as edhe një përpjekje të vetmen për t’i dhënë më shumë sqarime opinionit. Duket se koalicioni PAN do të shfrytëzojë  të gjitha mundësitë që ka në dispozicion, duke llogaritur këtu gjithnjë në ndihmën nga ana e Presidentit, së paku duke shpresuar në këtë ndihmë”, nënvizon Tahiri.

Sipas tij, tani pas publikimit të rezultateve finale do të intensifikohen pazaret politike.

“Tani pas publikimit të rezultateve finale, ndonëse ende të pacertifikuara, kur edhe dihet pesha reale e secilës parti në kuadër të koalicioneve, pazaret politike do të intensifikohen edhe më shumë. Është shumë esencial qëndrimi i disa partive, sidomos i AKR-së, pasi që është e pritshme se i nominuari nga koalicioni PAN do të ketë target kryesor katër deputetët e saj. Se a do të ketë bllokadë institucionale, kjo është vështirë e parashikueshme tani. Por gjithashtu edhe duhet pasur parasysh se të gjitha deklarimet e deritanishme nga eksponentë të partive politike, mund të zhbëhen si pasojë e joshjeve për poste, që pritet ditëve në vijim”, përfundon Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat