Funksionalizohet Specialja, ngrit aktakuzat e para javën tjetër?

Politika

Funksionalizohet Specialja, ngrit aktakuzat e para javën tjetër?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 qershor 2017 Në ora: 12:44
Selia e Gjykatës Speciale

Hyrja në fuqi e Rregullores së procedurave dhe provave, do t’i hap rrugën ngritjes së aktakuzave të para nga ana e Gjykatës Speciale. Kështu kanë vlerësuar për gazetën “Bota sot”, avokatë dhe njohës të çështjeve juridike.

Vërtopi: Kushtetuesja i përgjigjet sot Gjykatës Speciale

Image
Florin Vërtopi

Avokati Florin Vërtopi, duke folur rreth asaj, se çfarë po ndodh me ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale, dhe sa po pengohet puna e kësaj gjykate, ka thënë për “ Bota sot” se pa hyrë në fuqi Rregullorja e procedurave dhe e provave, nuk ka bazë juridike për ngritje të aktakuzave.

“Tash jemi në pritje të aktvendimit të dhomës së specializuar të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me referimin e kësaj rregullore. Me datë 28, kryetarja e Dhomës së specializuar të Gjykatës Kushtetuese do ta shpallë aktvendimin. Prandaj, unë mendoj se nuk ka mundësi të ndërhyrjes në këtë proces, sepse ky proces mjerisht është i pandalshëm dhe sigurisht se do të zgjat minimum edhe nja 5 (pesë) vite”, ka thënë Vërtopi.

Sipas tij, akuzat e para mund të ngritën pasi të hyjë në fuqi kjo rregullore dhe pasi të fillojë të funksionojë "e drejta në mbrojtje nga avokati".

“Me ngritjen e akuzave mund të ketë edhe arrestime, e në këtë rast është e domosdoshme edhe "e drejta në avokatin"”, ka thënë Vërtopi.

Gjoshi: Asnjë subjekt i aktakuzës nuk ka imunitet nga Specialja

Image
Adrian Gjoshi

Edhe avokati Adrian Gjoshi, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese si pjesë e Dhomave të Specializuara, së shpejti do ta jap vendimin e saj lidhur me kushtetushmërinë  e Rregullave të Procedurës dhe të Provave.

Sipas tij, nëse rregullat e lartcekura janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, atëherë pas 7 ditëve, siç ka theksuar ai, këto rregulla hyjnë në fuqi.

“Kjo nënkupton se subjektet e aktakuzave, mediat dhe qytetarët - shumë shpejt do ta marrin lajmin për aktakuzat e para. Sa i përket aktualitetit politik dhe mundësisë që ky aktualitet të pengojë punën e Gjykatës Speciale, vlerësoj se një mundësi e tillë nuk ekziston. Asnjë rrethanë dhe asnjë faktor i jashtëm s'e ndalon dhe nuk e pengon ngritjen e aktakuzave, sepse asnjë subjekt i aktakuzës nuk ka imunitet nga drejtësia ndërkombëtare - Gjykata Speciale”, ka thënë avokati Gjoshi për “Bota sot”.

Burjani: Gjykata u pengua nga pasiguria politike në Kosovë

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani ka pohuar se ka paralajmërime që aktakuzat do të ngrihen më së largu deri në shtator.

Por, sipas tij, kjo gjykatë është penguar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nga pasiguria politike në Kosovë.

Burjani ka theksuar se në Kosovë që nga viti 2014 ka pasur tensione politike, mungesë të vullnetit të formimit të institucioneve, pasiguri dhe zgjedhje të jashtëzakonshme që, sipas tij, i solli po kjo gjykatë.

“Të gjithë e dimë që prapa fshiheshin disa kërkesa absurde siç ishin Demarkacioni, çfarë nuk ishte fare problem, por ishte sajuar dhe shkas, prandaj edhe kjo solli zgjedhjet e jashtëzakonshme të papritura në vend”, ka thënë Burjani.

“Specialja, nis punën në gjysmën e dytë të vitit”

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, sipas njohësit të çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, ka vlerësuar se çështja e fillimit të punës së Gjykatës Speciale si e tillë, është një punë që është dashur të fillojë para ca viteve.

“Kjo punë e vonuar kryesisht ndodhi për dy baza: Fakti i parë është se kjo gjykatë është e llojit të veçantë dhe kurrë e vendosur në praktikën ndërkombëtare për shtetet sovrane, dhe dy mbi atë shkak është tejet e rëndë të gjendet modaliteti i funksionimit të kësaj gjykate në aspektin juridik”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka shtuar se Specialja është antiligjore dhe se puna e saj pritet të nis në gjysmën e dytë të këtij viti.

“Nuk ka rast në botë që nga një shtet kërkohet të formohet një gjykatë e karakterit ndërkombëtar për një shtet sovran. Kjo është antiligjore dhe këndej buron mosfunksionimi i kësaj gjykatë deri më tash. Prandaj, pritet të fillojë puna në gjysmën e dytë të këtij viti, përndryshe del si gjykatë qesharake”, ka thënë Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat