Mustafa tregon synimet e LDK-së: Askush nuk mund të merr vendime për ne

Politika

Mustafa tregon synimet e LDK-së: Askush nuk mund të merr vendime për ne

Nga: P.R Më: 23 qershor 2017 Në ora: 15:28
Kryeministri i Republikës së Kosovës, dhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, dhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në facebook, ka shkruar se LDK është e hapur për opinione të ndryshme, por LDK vendos vet.

“Publicistë të caktuar e disa drejtues të shoqërisë civile u përpoqën e po përpiqen të diktojnë se kush sipas tyre duhet të drejtojë LDK-në, e LDK u thotë se ata duhet të presin në rend, të aktivizohen në nëndegë, të propozohen nga degët në Kuvendin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme. LDK është e hapur për opinione të ndryshme, por LDK vendos vet. Askush nuk mund të merr vendime për LDK-në”, ka shkruar Mustafa, përcjellë “Bota sot”.

Ja postimi i plotë:

Me siguri mund të them se nuk ka subjekt politik, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet që e kanë kaluar tranzicionin, që tërhoqi dhe tërheq vëmendjen siç është Lidhja Demokratike e Kosovës. Parti që hyri në vitin e 28-të të veprimtarisë së saj. 
Kundërshtarët dhe disa të vetëquajtur analistë politikë, luten t'ia shohin fundin e ajo vetëm sa rigjenerohet. 
Publicistë të caktuar e disa drejtues të shoqërisë civile u përpoqën e po përpiqen të diktojnë se kush sipas tyre duhet të drejtojë LDK-në, e LDK u thotë se ata duhet të presin në rend, të aktivizohen në nëndegë, të propozohen nga degët në Kuvendin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme. LDK është e hapur për opinione të ndryshme, por LDK vendos vet. Askush nuk mund të merr vendime për LDK-në. 
LDK mëson nga votat e qytetarëve, por LDK e ka të qartë se ajo nuk është parti që shërbehet me popullizëm, por se ajo ka një histori të pasur të një partie prijëse shtetformuese. Rrjedhimisht, as votat e bazuara në popullizëm nuk e ndikojnë vendimmarrjen në LDK. 
Synimet tona janë afatgjata, kurse efektet e popullizmit janë afatshkurtëra, ato u shërbejnë individëve por jo edhe vendit dhe LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat