“Te serbët formimi i ushtrisë është diçka sikur kundër tyre, sepse e din shteti serb që nëse Kosova e formon ushtrinë e saj, gjithnjë do të jetë rrezik për Serbinë se i din ata mëkatet gjatë historisë që ua kanë bërë shqiptarëve”, është shprehur Tërnava.
Deklarata e kryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq se nuk do të mbështesë kurrë formimin e Ushtrisë së Kosovës, nuk do të paraqet problem për formimin e kësaj të fundit. Kjo pasi që vendorët thonë se me apo pa Listën serbe, Kosova do të ketë ushtrinë e saj. Ekspertët kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që të bëjnë presion mbi Serbinë që të mos e kundërshtojë formimin e Ushtrisë. Gjithashtu, sipas këtyre të fundit, nëse serbët do të vazhdojnë që të pengojnë formimin e ushtrisë, Kuvendi i Kosovës do të duhej që të bënte ndryshime Kushtuese.
Gecaj: Thaçi nuk do ta formojë ushtrinë
Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë për “Bota sot” se ushtria e Kosovës do të formohet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Aleancën veriatlantike Nato-n.
Po ashtu, ai ka thënë se formimin e ushtrisë së Kosovës nuk do të mund ta ndalin as serbët as Serbia.
“Ushtria e Kosovës do të formohet nga institucionet e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe NATO-n. Atë as që do ta formojë Hashim Thaçi dhe as që mund ta ndalin serbët apo Serbia”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.
Hasani: Lista serbe, dorë e Beogradit
Ndërsa, nga koalicioni PAN, Nait Hasani e ka quajtur Listën serbe dorë të Beogradit për të cilën ka thënë se për formimin e ushtrisë, ajo do të gjunjëzohet karshi presionit të ndërkombëtarëve.
“Lista serbe është dorë e Beogradit dhe Beogradi do të gjunjëzohet nga presioni ndërkombëtar dhe Kosova do ta ketë Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Hasani për “Bota sot”.
Tërnava: Ushtria e Kosovës, rrezik për shkak të së kaluarës së serbëve
Ndërsa, analisti Hajrullah Tërnava ka thënë se vazhdimisht serbët, sidomos Lista serbe kanë paraqitur pengesa për formimin e ushtrisë së Kosovës.
“Sikur edhe deri më tani gjithnjë serbët nëpërgjithësi e sidomos Lista Serbe, kanë paraqit dhe prapë do të paraqesin pengesën kryesore të formimit të Ushtrisë së Kosovës, pavarësisht kush është në krye të këtyre listave”, ka thënëTërnava për “Bota sot”.
Megjithatë, sipas tij, deklarata e kryetarit të Listës serbe Simiq, është thënë për përfitimin e votave gjatë fushatës elektorale.
“Gjatë fushatës kundërshtimi i formimit të ushtrisë nga ana serbe, është kjo e thënë që përfiton vota nga popullata serbe, sikur udhëheqësit tonë politik që thirren në kontributin e tyre si "komandantët" të UÇK-së gjatë fushatës për të përfituar vota sa më shumë”, ka thënë Tërnava.
Gjithashtu, Tërnava ka theksuar se formimi i ushtrisë së Kosovës, sipas shtetit serb është rrezik për shkak të kaluarës së tyre.
“Te serbët formimi i ushtrisë është diçka sikur kundër tyre, sepse e din shteti serb që nëse Kosova e formon ushtrinë e saj, gjithnjë do të jetë rrezik për Serbinë se i din ata mëkatet gjatë historisë që ua kanë bërë shqiptarëve”, është shprehur Tërnava.
Ai ka thënë se nëse serbët vazhdojnë që të këmbëngulin kundër ushtrisë, duhet që Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshime në Kushtetutën e vendit.
“E kuptueshme është se Lista Serbe gjithnjë do të jetë pengesë për formimin e ushtrisë tonë, duhet Parlamenti që përmes ndryshimit Kushtetues të formojë ushtrinë, nëse serbët me këmbëngulje e pengojnë formimin e saj”, ka nënvizuar Hajrullah Tërnava.
Ai ka shtuar edhe faktori ndërkombëtar duhet të kushtëzojë shtetin serb që të insistojë në formimin e ushtrisë së Kosovës.
“Edhe faktori ndërkombëtar duhet të luajë rolin e vet për këtë çështje dhe përpos kushtëzimit që të njoh Serbia Kosovën si kusht për hyrjen e saj në BE, të insistojë edhe në formimin e ushtrisë së Kosovës”, ka përfunduar Tërnava.