Thaçi bllokon Albin Kurtin, nuk ia jep mandatin për kryeministër?

Politika

Thaçi bllokon Albin Kurtin, nuk ia jep mandatin për kryeministër?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 17 qershor 2017 Në ora: 09:20
Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe i nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti

Zgjedhjet të cilat u mbajtën të dielën me 11 qershor, kanë nxjerrë fitues koalicionin PAN të cilët siguruan 39 deputetë, apo 33.92 % . E dyta u rendit Lëvizja Vetëvendosje, duke siguruar 31 deputetë, apo 27.16 % të votave. Ndërsa në vendin e tretë u radhit koalicioni LAA (LDK, AKR, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi), i cili siguroi 30 deputetë, apo 25.79 % të votave.

Asnjëri nga subjektet politike nuk ka arritur të sigurojë shumicën zgjedhjet e 11 qershorit. Si rrjedhojë e kësaj, formimin e qeverisë nuk mund ta bëj asnjëri subjekt politik apo koalicion, pa koalicion me ndonjërën prej partive apo koalicioneve kundërshtare, edhe me votat e minoriteteve.

Kurti e Haradinaj nisin konsultimet

Dy kandidatët për kryeministër, Ramush Haradinaj e Albin Kurti tashmë kanë nisur konsultimet me subjektet politike. Kurti, shpreson që Haradinaj të dështoj në formimin e Qeverisë, në mënyrë që të marr mandatin ai për formimin e Qeverisë, duke e pas parasysh që në zgjedhjet e 11 qershorit Lëvizja Vetëvendosje u rendit e dyta sa i përket numrit të votave.

Por, nga shumë analistë është paralajmëruar se Kurtin mund ta bllokojë Presidenti Thaçi, i cili ka në dorë mundësinë që Kurtin ta mandatojë për kryeministër.  Sipas tyre Thaçin e brengos fakti i të mos qenit i PDK-së në pushtet.

Thaçi në pritje të certifikimit të rezultateve

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar Presidencën, lidhur me mundësinë që Kurtit apo ndonjë kandidati tjetër që vjen nga partia e dytë apo koalicioni që siguron shumicën t’i jepet mandati nga Presidenti Thaçi, në rast se i nominuari nga koalicioni PAN, që doli fitues në zgjedhje, Ramush Haradinaj dështon ta formojë Qeverinë. Presidenca thotë se ata fillimisht janë duke prit certifikimin e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

“Presidenti nuk mund të ndërmarr veprime pa u bërë certifikimi i rezultateve zgjedhore. Pas çertifikimit, brenda afateve të përcaktuara, ai do të veprojë në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen dhënë për gazetën “Bota sot”, nga Presidenca e Kosovës.

Image
Gurakuç Kuçi

“Thaçin e brengos fakti i të mos qenit PDK-ja në pushtet”

Politologu dhe njëherit edhe drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, Gurakuç Kuçi, thekson se presidenti Thaçi tash ka mundësinë që ta rregulloj pakëz imazhin e vet tani ose të tregohet një dredharak i pandreqshëm.

“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe roli i presidentit gjithnjë duhet që të jetë konform krijimit dhe lehtësimit të gjetjes së një zgjidhje dhe krijimit të qeverisë, që nëse PAN nuk dëshmon se ka shumicën apo dështon ta realizoj dëshminë e vet, atëherë duhet herën e dytë t’i jepet një partie/koalicioni tjetër që dëshmon se ka shumicën. Apo në një rrethanë të tretë ku me një krijim i grupeve të deputetëve pas konstituimit të Kuvendit dhe bashkimit të tyre në një listë dëshmohet tek Presidenti se ka një shumicë, duhet tu jepet mandati”, thekson për gazetën “Bota sot”, politologu Kuçi.

Sipas tij, Thaçi në asnjë rrethanë tjetër nuk duhet të bëjë manovra dhe të harxhojë mundësitë që janë të përcaktuara me Kushtetutë.

“Në çdo rrethanë, nuk duhet që Presidenti të bëjë manovra dhe të harxhojë mundësitë kushtetuese me vetëm një parti/koalicion dhe ta dërgoj vendin në zgjedhje. Dhe në asnjë rrethanë nuk guxon që Presidenti Thaçi të përfshihet në procese politike, gjë që do të tentoj ta bëjë kinse me lehtësimin e dialogut apo ndonjë arsye tjetër siç bëri me përfshirje në fushatë. Përndryshe nëse e bënë këtë, duhet që të shikohet mundësia për një peticion nga deputetët për shkelje të Kushtetutës. Sepse presidentin Thaçi e brengos fakti i të mos qenit të PDK-së në pushtet”, ka thënë Kuçi.

Mandati i takon Vetëvendosjes

Image
Tomë Gashi

Ndërsa, avokati i njohur, Tomë Gashi, lidhur me mundësinë e bllokimit të krijimit të qeverisë së re nga Thaçi, thekson se çdo gjë është e përcaktuar me kushtetutë, dhe së në rast të dështimit të koalicionit PAN që të sigurojë shumicën, Thaçi mandatin duhet të ia kaloj Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nëse e marrim si koalicion, atëherë vota pak më shumë ka fituar koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës dhe partive të tjera, i njohur si PAN, ndërsa individualisht nëse e marrim secilën parti politike atëherë Vetëvendosja bindshëm i ka fituar zgjedhjet. Sipas nenit, 95, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i Kosovës fillimisht ka obligim që t’ia mundësojë formimin e qeverisë mandatarit të përzgjedhur nga koalicioni i quajtur PAN, ndërsa nëse ata nuk e sigurojnë numrin e deputetëve që duhet të jenë 60 +1, atëherë për herën e dytë presidenti do të jetë  obliguar që t’ia ofrojë mundësinë e formimit të qeverisë partisë e cila i ka fituar zgjedhjet , e që është Lëvizja Vetëvendosje. Kjo shumë qartë shkruhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe janë vetëm këto dy situata që mund të ndodhin për ta zgjedhur mandatarin, respektivisht kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, është shprehur avokati Gashi.

Sipas tij, në rast se nuk ndodh kjo atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Nëse kjo nuk ndodhë, nëse nuk zgjidhet kryeministri për herën e dytë, atëherë sipas kushtetutës caktohen zgjedhjet, që duhet të mbahen brenda 40 ditëve prej ditës së caktimit të tyre, që do të thotë nuk mund të shkohet në votimin e tretë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.”,  ka përfunduar Gashi.

“Vendi mund të shkojë drejt destabilzimit”

Image
Gazmend Islami

Ndërsa, analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Gazmend Islami, thekson se presidenti Thaçi më para destabilizon vendin se sa ia kalon mandatin Vetëvendosjes apo ndonjë partie tjetër opozitare.

“Duke e ditur afërsinë që ka Veseli me Thaçin, qëllimi final që të arrijnë majën e shtetit, kapjen e shtetit, njëri të jetë president e tjetri kryeministër dhe jam tepër i bindur që Haradinaj ka dështuar komplet që ka shkuar në koalicionin e krimit dhe turpit e korrupsionit, dhe Thaçi mund ta destabilizoj vendin nëse dështon PAN-i të krijojë qeverinë dhe herën e dytë nuk ia jap zotëri Kurtit mandatin të krijojë qeverinë. Nëse kjo nuk ndodhë, vendin mund ta qoj në protesta, e që do të jenë protesta të dhunshme, dhe këtu kanë të drejtë qytetarët sepse sovrani me çdo kusht dëshiron që të ndërrohet dhe të kemi  një qeverisje krejtësisht më ndryshe. Unë i frikësohem që Thaçi me lehtë pranon detsabilizimin e Kosovës se sa të ia jap mandatin një mandatari siç është Vetëvendosje apo që nga vjen nga opozita”, ka thënë Islami për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar se sovrani është për të ndryshuar keqqeverisja në Kosovë.

“Sovrani e ka kuptuar që 17 vite kemi qeverisje jo te ndershme, e sidomos që nga viti 2007,  kur qeverisjen  ka marr Partia Demokratike e Kosovës, e cila uzurpuar gjithçka çka është në Kosovë, pra e ka kthyer në një pronë private të vetën. Ndëshkimi  që i dha sovrani kësaj radhe këtyre të cilët e kanë ngulfate shtetin tregon se qytetarët janë për të ndryshuar dhe për të larguar nga skena politike klanin pronto, por mendoj që do të bëj përpjekje të vazhdueshme të bllokojnë krijimin e qeverisë nga lëvizja vetëvendosje, LDK dhe ndoshta ndonjë deputet që ka fituar prej PAN-it”, përfundon Islami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat