Dy koalicionet dhe Vetëvendosje me vetëm nga 33 gra në lista

Politika

Dy koalicionet dhe Vetëvendosje me vetëm nga 33 gra në lista

Më: 26 maj 2017 Në ora: 18:43
Partitë politike-Logo

Partitë politike, sidomos afër zgjedhjeve shpërfaqin dallimet që kanë me njëra –tjetrën.

Por dy koalicionet, PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, kanë një të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Në të tri listat zgjedhore të tyre, janë nga 33 gra që janë të kandiduara për deputete.

Është pikërisht kjo vlerë, me të cilën është përmbushur saktësisht kuota gjinore prej 30 për qind që duhet ta ketë një listë zgjedhore, me anë të së cilës përfaqësohen gratë politikane.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, e pranojnë se kjo kuotë nuk është e mjaftueshme për përfaqësimin e grave.

Është pikërisht një grua, Valbona Bajrami që vetë garon në këto zgjedhje që e thotë këtë.

“Ky fenomen është shqetësues por edhe tregues që duhet të bëjmë punë intensive në mandatin e ri qeverisës”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se kryetarja e Grupit të Grave në qeverisjen e kaluar i ka takuar PDK-së, ndaj sipas saj është dashur që të punohet më shumë në inkurajimin e grave në politikë.

“Në çdo plan strategjik për arritje të barazisë gjinore, përveç planit A duhet të mendohet edhe plani B për ngritje kapacitetesh, për raste emergjente sikurse jemi tani”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër përfshirjen e grave me nga vetëm 30 për qind në listat e dy koalicioneve dhe të Vetëvendosjes ajo e ka quajtur rastësi.

Por që thotë se PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR mund ta kenë bërë me marrëveshje, duke përjashtuar subjektin që ajo i takon.

“Vetëvendosje ka finalizuar listën para skadimit të terminit që ka caktuar KQZ-ja, dhe se nuk ka bërë asnjë ndryshim pas dorëzimit të listave, me qëllim që punët organizative të jenë sa më të qarta për masën, jo sikur koalicionet të cilat ndryshuan listat disa herë, e që kjo dukuri ngjalli frustrim në masë”, ka theksuar Bajrami.

Bajrami ka thënë se të gjitha strukturat e Vetëvendosjes kanë punuar që të kenë përfshirje më të madhe të grave.

“Ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të përfaqësojmë në lista zgjedhore sa më shumë gra, por vendimet individuale ne nuk i kemi në dorë”, ka shtuar ajo, duke përmendur se kanë hasur në vështirësi në sjelljen e kuadrove të reja – gra që t’i fusin në listën zgjedhore”.

Ajo ka theksuar se arrestimi i deputeteve të Vetëvendosje, edhe sulmet që u janë bërë në Parlament, mund të jenë dy fenomenet që gratë kanë refuzuar të behën pjesë e politikës.

Më pas ajo thekson se edhe gjykimi shoqëror ndaj grave mund të jetë shkas i hezitimit të tyre.

Bajrami ka thënë poashtu se mandati i ri qeverisës do të jetë i shkurtët dhe se për zgjedhjet e ardhshme lëvizja që i takon ajo, do të punojë në rritjen e përfaqësimit të grave në listën zgjedhore.

Në LDK, një grua gjithashtu, thotë se partia që drejton Isa Mustafa ka qenë e kujdesshme në promovimin e grave dhe se kjo shihet në listën zgjedhore.

Besa Zogaj, kandidate për deputete, ka thënë që përbrenda LDK-së ka gra shumë të zonja, por që lista e përbashkët me partnerët e koalicionit ka bërë të pamundur përfshirjen e të gjitha prej tyre.

“Në këto zgjedhje për herë të parë LDK hynë në garë me një koalicion kështu që duhet të kemi parasysh që ka qenë e kufizuar mundësia për të hyrë në garë të gjitha propozimet e nëndegëve dhe degëve”, ka thënë Zogaj.

“Ka shumë emra dhe persona me ndikim që nuk kanë pasur mundësi të jenë në listë”, ka pohuar ajo.

Por që megjithatë Zogaj ka theksuar se gratë përbrenda partisë që i takon është dashur të jenë më insistuese për përfshirjen më të madhe të tyre.

“Një prej arsyeve legjitime që ka bërë që gratë anëtare të LDK-së të hezitojnë të jenë pjesë e listës është edhe koha e shkurtër për të krijuar rrjete dhe të evokojnë për veten e tyre si deputete të ardhshme”.

Ajo përmend se koleget nga partia edhe mund të kenë hezituar për shkak të pragut zgjedhor dhe se kanë hequr dorë duke parë rrezikun që mund të përballeshin në mbledhjen e votave.

Pavarësisht kësaj që ka thënë, ajo ka pranuar se gratë në Kosovë janë pak të përfaqësuara në nivel qendror dhe komunal duke përfshirë edhe nivelin partiak që sipas saj i përjashton ato edhe në proceset vendimmarrëse.

Më tej Zogaj ka deklaruar se kur bëhet fjalë për angazhimin e grave, LDK dallon për të mirë nga subjektet tjera.

“Nëpër partitë tjera gratë vazhdojnë të rekrutohen në minutën e fundit sa për të plotësuar numrin minimal të ligjshëm për pozicionet e kërkuara, gjë që LDK vazhdimisht mundohet të tërheq gra me potencial dhe t’i kyç ato në partinë e LDK-së”.

“Besoj se e gjithë shoqëria duhet të angazhohet në eliminimin e normave sociale apo stereotipave ku gratë kanë tendencë të qëndrojnë në shtëpi dhe burrat në politikë, mirëpo LDK me përqendrim më të madh për kujdesin publik të grave bënë që ato të hyjnë në jetën publike”, ka deklaruar Zogaj.

Më tej ka shtuar se gratë që bëjnë pjesë në listën e koalicionit LDK-AKR, janë të zonjat që të shtyjnë procese të rëndësishme përpara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat