Shantazhi Rama -Thaçi ndaj BE-së për bashkim kombëtar

Politika

Shantazhi Rama -Thaçi ndaj BE-së për bashkim kombëtar

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 3 maj 2017 Në ora: 09:19
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë u zotuan ditë më parë për Shqipërinë e e Bashkuar. Këto deklarata të udhëheqësve shqiptarë kanë ngritur ‘pluhur’ tek zyrtarët shqiptarë dhe të huaj.   

Deklaratat e tyre janë kritikuar shumë nga miqtë ndërkombëtarë duke thënë se po prishin paqen dhe stabilizitetin në Ballkan.  Por njohësit e çështjeve në vend nuk i marrin aspak seriozisht deklaratat e tilla.

Kështu analisti Rexhep Shahu ka thënë se kjo është vetëm shaka.  “Kjo është shaka si gjithmonë, por tashmë një shaka e hidhur që e bën Edi Rama me Aleksandër Vuçiçin.  Vetëm një gjë të vërtetë kanë këto thashetheme, që fjalën bashkim kombëtar e mbajnë gjallë dhe popullata nuk e harron. Bashkimi kombëtar bëhet, nuk thuhet. Bashkimi kombëtar nuk bëhet dot kurrë prej Ramës e Thaçit sepse as njeri as tjetri nuk e duan bashkimin kombëtar. Sepse në një shtet të bashkuar të shqiptarëve nuk kanë shance të drejtojnë as Edi Rama as Hashim Thaçi”, ka thënë Shahu.  Sipas të njëjtit,  në një shtet të bashkuar të shqiptarëve, nuk ka shanc të fitojnë kurrë majtistët, enveristët, marksistët.

Image
Analisti Rexhep Shahu

“Po ta duan bashkimin kombëtar Thaçi dhe Rama, ata i bëjnë referendumet përkatëse në Shqipëri e në Kosovë dhe e pyesin popullin a janë dakord për bashkimin, me referendum. Por, ata ngaqë nuk e duan bashkimin, as referendumet nuk i bëjnë. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve mund të ndodhë kur Kosova të hyjë në OKB, kur të hyjnë të dy shtetet shqiptare në BE dhe bashkimi do ndodhë në BE. Ndërsa bashkim klasik, për një qeveri e një parlament e një president, është vështirë. Ose ky bashkim bëhet me luftë, të cilën nuk e bëri as  Thaçi as Rama kur ishte koha që shqiptarët t’i caktonin kufijtë e tyre me luftë në vitet 1998-1999”, thekson ai. 

Më tej, Shahu ka thënë se deklarime vetëm e dëmtojnë Kosovën dhe Shqipërinë. “Këto përfolje të bashkimit kombëtar, nxisin përfoljet në Serbi dhe dëmtojnë Kosovën në udhën e saj, dëmtojnë edhe Shqipërinë. Udhëheqësit tanë në Tiranë e Prishtinë duan të ketë probleme, që popullata shqiptare të mbetet e paintegruar, e varfër, që të sundohet më lehtë”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Image
Analisti Nehat Hyseni

Zgjidhja rezervë e shqiptarëve

Poashtu edhe analisti Nehat Hyseni duke i quajtuar si të pasinkronizuara deklaratat e Edi Ramës, dhe Hashim Thaçit, ka thënë se nëse  nuk arrihen pretendimet drejt integrimit në BE, përkatësisht liberalizimi i vizave,  shqiptarët do kenë zgjidhje rezervë, përkatësisht, alternativë dhe do t'i kthehen integrimeve të vogla rajonale, duke aluduar në mënyrë implicite dhe nënkuptuese se bëhet fjalë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pa përjashtuar, siç pohojnë mediat serbe, mbase edhe përfshirjen e tyre në një shtet. 

Hyseni ka thënë, poashtu se  Serbia këtë e quan "Shqipëri e madhe", apo "Shqipëri etnike", duke e stigmatizuar në mënyrë ekstreme idenë e natyrshme t? shqiptarëve, si pretendim normal që e synojnë të gjithë popujt normal në botë, e sidmos ato që janë të ndarë e të copëtuar si puna e shqiptarëve në Ballkan.  “Në këtë mënyrë, Rama dhe Thaçi synojnë ta kopjojnë Serbinë në këtë çështje, e cila, pretendon integrimin në BE, por e ka alternativë edhe Rusinë dhe kështu e "ngre pazarin" ndaj BE-së dhe presioneve të saja për përmbushjen e standardeve të kërkuara. Njêkoësisht, Serbia reativizon presionin europian, si dhe fiton koncesione ndaj mospërmbushjes së obligimeve nga dialogu Kosovë-Serbi të Brukselit. Mbase, Rama dhe Thaçi ndjekin edhe shembullin e Erdoganit, apo e shikojnë si "favor plus", apo si "xhoker" dhe alternativë, në rast nevoje, për t'iu shmangur presioneve për plotësimin e standardeve të BE-së, lidhur me korrupsionin dhe drogën apo "kanabizimin" e Shqipërisë, Gjykatën Speciale në Kosovë dhe Vettingun në Shqipëri, etj”, thekson Hyseni.

Image
Njohësi i çështjeve politike Albrim Badallaj

Deklarata zgjedhore të liderëve shqiptarë

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Albrim Badallaj ka thënë, se zotimet për Shqipërinë e madhe dhe karta e nacionalizmit si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni fillon të proklamohet nga politikbërësit vetëm kur zgjedhjet janë afër.  “Shqipëria, po ashtu edhe Kosova janë në prag të zgjedhjeve normale dhe potencialisht të parakohshme në Kosovë, kështu që deklaratat populiste sa vijnë e janë më të pranishme. Veçse, duhet të kenë parasysh se me kartën e nacionalizmit nuk vihet më në pushtet.

Nga ana tjetër është vet Europa, ajo që po rikthehet në kufijtë klasik dhe natyral, si rasti i BREXIT-it, apo edhe referendumi i cili e zgjatë qëndrimin e Skocisë në Britani të Madhe. Lëvizje të tilla ku ekstremi i djathtë po fuqizohet, me kartën e nacionalizmit, është edhe Gjermania dhe Franca së fundmi, gjë që flet se interesat kombëtare dhe unilaterale peshojnë më tepër se ato multilaterale dhe aleancat e ndryshme”, vlerëson ai.   

Badallaj thotë, se duke marrë shembull SHBA-në,që e përbëjnë 50 shtete dhe unifikimi i tyre ka qenë krucial për shëndrrimin e saj në fuqi ekonomike dhe ushtarake dhe këto shembuj duhet të shërbejnë për skeptikët ndaj Shqipërisë së Madhe.  

“Një Shqipëri e tillë, e përcaktuar nga vullneti i popullit, nuk paraqet rrezik për asnjë shtet në rajon, pos që do jetë faktor stabiliteti dhe uniteti. Pa zgjidhje të situatës së shqiptarëve dhe kthimin e tyre në kufinjtë natyral edhe miqtë ndërkombëtar e dinë se herdo-kurdo do kenë probleme në Ballkan, e kjo jo për faj të shqiptarëve, por për shkak të mohimit të drejtave të tyre në Serbi, Maqedoni, Greqi dhe deri diku edhe në Mal të Zi”, thotë Badallaj.  Megjithatë, ai thekson se nuk duhet ndërmarrë vendime të tilla pa përkrahje të miqve ndërkombëtarë.   

“Ne e dimë se nuk guxojmë të ndërmarrim vendime të njëanshme , pa përkrahjen sidomos të SHBA-vë, për shkak të brishtësisë së dy shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës), si në aspektin ekonomik dhe ushtarak, po aq edhe në atë politik. Mund të themi se këto deklarata janë duke u përdorur si presion ndaj Europës në rast se Kosova mbetet e izoluar, Shqipëria nuk inkuadrohet në BE dhe nëse nuk u garantohen të drejtat shqiptarëve, në shtetet fqinje. Mirëpo, në rast se vazhdon Europa të përdor standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve, shumë seriozisht duhet të shqyrtohet kjo qështje dhe t'u bëhet me dije se nëse shqiptarët vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur atëherë edhe situata në rajon nuk do të mund të jetë e qetë dhe solide”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat