Raporti i antropologut të ICMP-së: Çetnikët serbë trafikuan organet e 82 shqiptarëve

Politika

Raporti i antropologut të ICMP-së: Çetnikët serbë trafikuan organet e 82 shqiptarëve

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 22 prill 2017 Në ora: 09:18
Policia serbe mban peng shqiptarin gjatë luftës në Kosovë

Në raportin e Komisionit Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur, të publikuar së fundi, kanë lindur dyshime serioze se civilëve shqiptar të marr peng nga forcat serbe, kur janë dërguar në Serbi u janë hequr organet.   Ky raport, i hartuar nga  antropologu i lartë i ICMP-së, për mjekësi ligjore Dr.Mark Skinner, flet për të paktën 82 persona të cilët janë dërguar të gjallë në Serbi, dhe të njëjtëve u janë marrë organet.  Më pas ata ishin varrosur me arkivole dhe qese të etiketuara në varrezat e Rashkës, Batanjicës dhe Petrovosellës. Drejtori i Insititutit mjekoligjor të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, nuk është përgjigjur për gazetën “Bota sot”, nëse ka më shumë informacione rreth këtij rasti.

Kërkohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Ndërkaq, Nait Hasani, deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës,  ka thënë për gazetën “Bota sot”, se duke pasur parasysh raportin e dr. Skinner, e ka bërë edhe kërkesen në Kuvend për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.  “Po unë kam kërkuar të shqyrtohet ligji për Gjykatën Speciale, pikërisht për këtë që serbët kanë bërë krime dhe trafikim të organeve dhe e kam pas parasysh dhe këtë raport të Mark Skinnerit. Prandaj gjykatat etnike, janë bërë vetëm në kohën e aparteidit dhe Pinoçetit në Kili dhe tash në Kosovë nga miqtë ndërkombëtarë”, ka thënë Hasani për “Bota sot”.  Ndërkaq, i pyetur nga gazeta nëse do të duhej që edhe organet vendore të drejtësisë të ndiqnin këtë rast apo t`ia sugjeronin Gjykatës Speciale, ai ka deklaruar se kjo do të mund të bëhej vetëm me ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale. “Kuvendi duhet të ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale, pastaj mundet të ndiqen të gjithë ata që kanë bërë krime pa dallim race gjinie, kombi a feje. Prandaj, duhet të procedohet në Kuvend, kërkesa e nënshkruar nga gjashtë deputetë për ligjin për Gjykatën Speciale që të ndërrojë,  që mos të jetë etnike Gjykata Speciale”, është shprehur deputeti Hasani.  Sipas të njëjtit,  kryesia e Kuvendit po frikësohet nga miqtë ndërkombëtarë për procedimin e ndryshimit të ligjit për Speciale. “Po pres  tash nga kryesia. Ata më duket po frikësohen që ta procedojnë për seancë. Nga miqtë ndërkombëtarë”, është shprehur ai.

Prokuroria e Shtetit, hesht

Kurse, avokati Tomë Gashi ka thënë, se me këtë rast do të duhej të merreshin edhe drejtësia vendore dhe ajo e EULEX-it. “Sigurisht që kishte me qenë e drejtë, që me këtë rast të merret Gjykata Speciale.Me këtë është dashtë më herët të merret Tribunali për luftëra në ish Jugosllavinë në Hagë. Po  ashtu është dashur me këtë rast monstruoz të merret drejtësia Prokuroria e shtetit të Kosovës, por edhe prokuroria e EULEX-it “, ka thënë ai.  Mirëpo, Prokuroria e shtetit nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës,  nëse kanë hapur ndonjë rast lidhur me dyshimin se 82 persona janë dërguar të gjallë në Serbi e më pas u janë hequr organet dhe janë varrosur me qese plastike. Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi ka fajësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas tij, kanë nxjerrë ligjin për Gjykatën Speciale, që do të merret me pretendimet e krimeve të kryera nga shqiptarët.“Mirëpo mjerisht  deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë nxjerrë ligjin për Gjykatën Speciale në vitin 2015, ku sipas këtij ligji Gjykata Speciale, po ashtu në Hagë do të merret vetëm me pretendimet e krimeve të kryera nga UÇK –ja, gjatë periudhës së luftës dhe pas saj. Mandati  i Gjykatës Speciale është gjykimi i atyre që akuzohen në këtë gjykatë për krime të supozuara nga 01 janar 1998 me krime të supozuara të kryera deri më datën 31, dhjetor 2000”, ka thënë ai.  Gashi e ka quajtur raciste Gjykatën Speciale, e cila sipas tij do të merret vetëm me njërën anë luftuese që janë shqiptarët.   “Se Gjykata Speciale në bazë të votës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të merren vetëm me krime të supozuara,  të kryera nga shqiptarët e jo nga serbët, gjatë dhe pas luftës ka qenë ajo që unë kam deklaruar gjithmonë, se kjo Gjykatë është raciste sepse do të merret me gjykimin vetëm të shqiptarëve e jo të të gjithë atyre që eventualisht kanë bërë krime gjatë luftës në Kosovë. Raciste është kjo gjykatë kur merret me trajtimin penal të vetëm njërës palë ndërluftuese, pra vetëm të shqiptarëve e jo edhe të serbëve,  të cilët me ushtrinë e tyre me polici dhe paramilitarë serbët kanë vrarë mbi 15000 mijë civil në Kosovë”, ka potencuar ai.  Ndërkaq kërcënimin, se në rast se Kosova nuk do ta votonte Gjykatën Speciale, të njëjtën do ta formonte OKB-ja, avokati Gashi e ka cilësuar si mashtrim, pasi sipas tij, OKB-ja nuk do të formonte një Gjykatë raciste. ”Po ashtu kërcënimi për kinse formimin e Gjykates Speciale nga OKB, nëse Kosova nuk do ta formonte këtë Gjykatë Speciale ka qenë një mashtrim i madh. OKB kurrë nuk do të formonte një gjykatë raciste për të gjykuar vetëm një etni, një komb nga një shtet multi etnik siç ka qenë dhe siç është Kosova, sepse në këtë rast OKB do të minonte bazamentin e ekzistimit të vet, ku parimi kryesorë i OKB-së,  është jo diskriminimi i qytetarëve në baza etnike, kombëtare religjioze, të ngjyrës etj. E Kosova ka formuar gjykatë kundër vetvetes dhe ky është rasti unik në botë, që një shtet të krijojë Gjykatë Speciale kundër vetvetes dhe atë në territorin e një shteti tjetër, si në këtë rast në Holandë”, ka potencuar ai.  Sido që të jetë, sipas avokatit Gashi, me krimet e publikuara në raportin e Komisionit Ndërkombëtar për persona të zhdukur për shqiptarë të marrë gjallë gjatë luftës do të duhej të merrej Prokuroria e shtetit të Kosovës.  “Kjo është kompetencë e saj, sepse ata kanë qenë qytetarë të Kosovës , janë marrë në Kosovë nga forcat serbe dhe kjo përben krim të luftës por edhe gjenocid”, ka përfunduar ai.

Specialja merret me krimet e supozuara

Faktin, se Gjykata Speciale do të merret vetëm me krime të pretenduara, se janë kryer nga shqiptarët e ka përmendur edhe Bexhet Shala Kryetar i KMDLNJ-së. “Së pari kishte spekulime që shqiptarët e kanë trafikuar Serbët në Shqipëri, ua kanë marrë organet dhe ua kanë shitur dhe këtë asnjëherë s`kanë mundur ta vërtetojnë e as që do ta vërtetojnë ndonjëherë. Pastaj tash ka dalë një se 82 shqiptarë janë dërguar të gjallë në Beograd, janë ekzekutuar dhe u janë marrë organet dhe u janë shitur. Të gjitha këto janë informata të paverifikuara dhe nuk e kanë  mbështetje. Me këtë çështje nuk janë marrë kurrë gjykatat për krime lufte në Hagë, ndërkaq Gjykata Speciale do të merret ekskluzivisht me shqiptarë,  kështu që kjo është vetëm një shprehje dëshire, që Gjykata Speciale të merret me këto raste, pasi është e përcaktuar që të merret vetëm me rastet kur të akuzuarit do të jenë shqiptarë”, ka thënë Shala. Sipas tij,  institucionet e Kosovës e kanë të pamundur të bëjnë hetimet, për atë që ka ndodhur në Beograd, në Batajnicë dhe në varrezat masive ku janë varrosur shqiptarët, për shkak të bashkëpunimit të cekët të Serbisë. Dyshimet, se persona civilë shqiptarë të cilët janë vrarë në Serbi për t`iu hequr organet, nuk i mohon as Halit Barani, Kryetar i Këshillit Rajonal për të drejtat e Njeriut në Komunën e Mitrovicës. “Qendra Rajonale në Mitrovicë, diçka saktë të konfirmuar nuk kemi pasur asnjëherë. Por, ka pasur të dhëna të pakonfirmuara mirë vazhdimisht. Edhe në Drenas edhe në shumë vende të tjera bandat kriminele çetnike, serbe kanë marrë shqiptarë të gjallë, i kanë dërguar nëpër spitale të ndryshme në Serbi ku ua kanë nxjerrë organet dhe pastaj i kanë pushkatuar e në shumë raste pastaj i kanë djegur trupat e pajetë”, ka thënë Barani.  Sa i përket Rashkës, Barani ka potencuar se qysh, më 20 nëntor 1999 kanë pasur, se në rrugën Mitrovicë Novi Pazar, saktësisht në vendin e quajtur Bare rruga që shpie për Novi Pazar janë tri varreza masive”, ka thënë Barani. Ndryshe, gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Gjykata Speciale,  nëse e njëjta ka në plan që të merret edhe me këto raste të krimeve të luftës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat