Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje parlamentare, nëse Kuvendi nuk e ratifikon Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ai ka thënë se nuk do të ishte e arsyeshme që njerëzit të cilët nuk janë në gjendje ta marrin një përgjegjësi të tillë dhe marrin vendim për t’i lënë qytetarët të vetizoluar, të vazhdojnë edhe më tutje të qeverisin me vendin.
“Në këtë rast, Qeveria e ka bërë punën e vet, por Qeveria nuk mund ta përfundojë punën e vet pa parlamentin. Prandaj, në këtë rast mbetet përgjegjësi e deputetëve të subjekteve politike që janë në pushtet, por edhe të opozitës. Mirëpo, po ashtu mbetet llogari se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kush do ta bëjë këtë, sepse nëse ky është kusht për ne tash si koalicion qeverisës, i njëjti do të jetë kusht edhe për koalicionet dhe kuvendet e ardhshme.Ne duhet të mendojmë për qytetarët dhe jo për vetveten, ashtu siç po shoh unë se si njerëzit po sillen në këtë situatë, sepse nuk është as morale dhe as e logjikshme kjo mënyrë e sjelljes”, ka thënë kryeministri Musatafa.
Por, sipas njohësve të çështjeve politike, koalicioni qeverisës i ka pasur numrat që nga fillimi për Demarkacionin, por kjo Marrëveshje po zvarritet për arsye të votuesve.
Arifi e quan të paaftë Qeverinë e Kosovës
Lidhur me këtë çështje, këshilltari kryesor i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinajt, Avni Arifi ka thënë se Qeveria e Kosovës, nuk e meriton të qeveris, madje e ka quajtur edhe të paaftë.
“Një Qeveri që ka 2/3 e Kuvendit e nuk është e aftë që për 2 vjet të gjejë zgjidhje për çështje si Demarkacioni, nuk meriton te qeverisë”, ka pohuar Arifi për gazetën “Bota sot”.
Arsyeja pse deputetët nuk po e votojnë Demarkacionin
Kurse, analisti Seremb Gjergji ka thënë se interesi dhe perspektiva e qytetarëve të Kosovës po varen nga Demarkacioni.
“Interesi kombëtar dhe zhvillimi e perspektiva e popullit të Kosovës varet nga Demarkacioni. Ka kaluar koha se a janë matjet të drejta apo jo?! Të zgjedhurit tanë, janë aty të marrin vendime të vështira, jo vetëm për t'ia rritur pagat veti. Sjelljet e tyre të fundit janë sikur kur njeriu humbet në kallukangjë - si Qeveri, si Kuvend”, ka thënë Gjergji për “Bota sot”.
Po ashtu, ai ka theksuar se Kosova duhet që të ketë Qeveri që ruan stabilitetin dhe se Demarkacioni është bërë lojë fjalësh ndërmjet LDK-së dhe PDK-së.
“Vendi më shumë se kurrë duhet të këtë Qeverinë e cila ruan stabilitetin. Jo një Kryeministër që çdo ditë kërcënon më dalje nga Qeveria. Kjo nuk i takon një lideri. Demarkacioni është bërë lojë fjalësh ndërmjet PDK-së dhe LDK-së; e po mungon interesimi për të punuar për qytetarin”, ka theksuar Gjergji.
Ai ka shtuar se pozita i ka pasur numrat, por arsyeja e mosvotimit të saj, qëndron tek qytetarët të cilët nuk do t’i votonin.
“Pozita i ka të gjithë numrat për ta kaluar Demarkacionin. Përndryshe, i ka pasur gjithherë. Por, mos votimi i tij, ka ardhë vetëm për një arsye: 100.000 mijë njerëz që do ta vizitonin Perëndimin, nuk do të votonin më për ta!”, ka deklaruar Gjergji.
Burjani: Zgjedhjet s’janë zgjidhje, duhet riformulim i skenës politike
Ndërsa, analisti tjetër, Blerim Burjani ka thënë se deklarata e Mustafës po kuptohet si urgjente, sepse po shkelën të drejtat e qytetarëve për të lëvizur jashtë shtetit.
Për më tepër, ai ka thënë se edhe po të shkojë vendi në zgjedhje nuk do të jetë zgjidhje pasi që vendi ka nevojë për riformulim të skenës politike.
“Po kjo kuptohet si urgjente nga kryeministri, sepse po shkelet e drejta themelore e qytetarëve për të lëvizur lirshëm, askush nuk ka të drejtë të ndalë këtë të drejtë dhe të pengojë, kërcënojë dhe shantazhojë lirën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Edhe po të shkohet në zgjedhje, kjo prapë nuk është zgjidhje, por prolongim edhe më i madh, humbje kohë dhe humbje të të drejtave të qytetarëve. Kosova ka nevojë për riformulim të skenës politike”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.