Incizimet për rastin Dehari, përplasen Prokurori Biraj e Avokati Gashi

Politika

Incizimet për rastin Dehari, përplasen Prokurori Biraj e Avokati Gashi

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 prill 2017 Në ora: 10:11
Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari dhe prokurori Metush Biraj

Epilogu i hetimeve për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, po vazhdon të vonohet.

Ministria e Drejtësisë ende nuk i ka dhënë përgjigje familjes Dehari, lidhur me përcaktimin e saj që një Insititut Zviceran të bëjë ekspertizën për rastin e vdekjes së Deharit. Ndërkaq, nuk është bërë publike ende as ekspertiza e xhirimeve brenda korridorit të burgut, në ditën kur ndodhi ngjarja.

Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari ka ushtruar kallëzim penal ndaj personave përgjegjës në Drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren, personave përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agresionit të Kosovës për Forenzikë për veprat penale “zbulim i paautorizuar i informacioneve konfidenciale’, ‘manipulim me prova’, ‘zbulim i fshehtësisë zyrtare’ si dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Image
Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari

Gashi: Prokurori e di që incizimet janë prerë

Gashi ka thënë se edhe vetë prokurori Metush Biraj duket se e ka të qartë që ka prerje të incizimeve të korridorit të burgut në Prizren, pasi të njëjtat janë dërguar në Austri për ekspertizë.

I pyetur nga gazeta “Bota sot”, rreth kësaj deklarate, Gashi ka deklaruar se manipulimet e mundshme, të incizimeve që u publikuan edhe në medie, thuajse menjëherë pas rastit, janë të thjeshta për t’u vërejtur.

“Sigurisht që Prokurori i rastit z. Metush Biraj mund të përgjigjet në pyetjen e juaj se a mund të ketë ai njohuri për manipulimin e video-incizimeve të korridorit të Qendrës së paraburgimit në Prizren të datës 05.11.2016, të asaj dite kur është gjetur trupi i pajetë i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari. Se a mund të ketë manipulime në video incizim që është publikuar në media, është fare lehtë të vërtetohet ngase haptazi shihet se ka ndërprerje në një moment të caktuar, ku kjo vërehet edhe më shikim të thjeshtë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja që prokurori të ketë dyshime për manipulim eventual dhe që incizimi i video kamerave të korridorit të burgut të qendrës së paraburgimit në Prizren është dërguar në Austri”, ka thënë Gashi.

Deklarimet kundërthënëse të Prokurorisë

Tutje, avokati Tomë Gashi, ka thënë se ka deklarime kundërthënëse të Prokurorisë, sa i përket publikimit të incizimeve.

“Si do që të jetë është skandaloze që në një anë kemi deklarime të prokurorisë që video incizimet e korridorit të burgut janë marrë menjëherë me 05.11.2016, ndërsa në shkresat e lëndës, në deshmitë që unë i kam marrë nga prokurori i rastit z.Metush Biraj vërtetohet qartë se video incizimet janë marrë tek më 09.11.2016, që do të thotë se ka pasur mundësi të manipulimit nga një numër i pacaktuar i personave zyrtarë që kanë pasur në posedim video incizimin origjinal qoftë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, hetues të policisë apo persona zyrtare që kjo CD me video incizime ka përfunduar në institutin e forenzikës në Prishtinë”, ka deklaruar ai.

Për këtë arsye, Gashi ka treguar se më 10 nëntor të vitit të kaluar, ka ushtruar kallëzim penal kundër përgjegjësve.

“Kallëzimin penal e kam dërguar në zyrën e kryeprokurorit z.Aleksander Lumezit, i cili pastaj përmes prokurorit të shtetit z. Besim Klemendi, këtë kallëzim penal e ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për hetime të mëtejme”, ka theksuar ai.

Image
Prokurori Metush Biraj

Prokurori Biraj: Po presim rezultatin e ekspertitzës

Ndërkaq, Prokurori Metush Biraj, ka thënë se nuk mund të deklarohen pa e pasur ekspertizën.

“Ne jemi deklaruar disa herë përpara medieve dhe nuk ka nevojë aq shumë me përsëritë dhe me ripërsëritë, me eksploatu dhe me rieksploatu. Ne incizimet i kemi dërguar për ekspertizë diku jashtë dhe akoma nuk na kanë ardhur ato rezultate. Nuk është se janë verifikuar që janë manipuluar, por ne i kemi dërguar në ekspertizë. Ne nuk mund të japim kurrfarë deklarimi pa e pasur ekspertizën”, ka thënë ai.

Biraj ka potencuar për gazetën “Bota sot” se nuk kanë dyshime që incizimet mund të jenë të manipuluara dhe për këtë arsye, sipas tij, ato janë dërguar për ekspertizë jashtë vendit.

“Jo, ne nuk kemi dyshime se mund të jenë të manipuluara. Ne, përkundrazi, jemi të bindur se nuk janë të manipuluara dhe prandaj i kemi çuar në ekspertizë. Ne për hirë të së vërtetës dhe për hirë të drejtësisë, për të mos pasur dilema në rë ardhmen, i kemi dërguar për ta bërë ekspertizën për këtë çështje. D.m.th, ne nuk jemi të bindur dhe nuk jemi të sigurt, se ka aty manipulime. Ne kemi dhënë rast që të evitohet dilema duke i dërguar në ekspertizë”, është shprehur prokurori Biraj.

Ndërsa, për deklaratat e avokatit Gashi, ai ka thënë se ato që thotë ai janë çështje e tij.

“Ai i ka orientimet e veta, ne i kemi orientimet tona dhe e kemi çështjen tonë. Ne për hirë të së vërtetës, që të mos ketë pastaj në të ardhmen as dilema profesioniste e as për opinionin ne i kemi çuar në ekspertizë në botën e jashtme, por akoma nuk kanë ardhur ato rezultate, ato vijnë me siguri së shpejti ”, ka nënvizuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat