Arsyet që Gjykata Speciale mund të shtyj ngritjen e aktakuzave?

Politika

Arsyet që Gjykata Speciale mund të shtyj ngritjen e aktakuzave?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 prill 2017 Në ora: 12:06
Selia e Gjykates Speciale

Akuzat nga Gjykata Speciale pritet të ngritën deri në fund të këtij viti. Ngritjen e aktakuzave sivjet e ka konfirmuar edhe Charles L. Smith, amerikani i vetëm i emëruar si një ndër 19 gjykatësit në Gjykatën Speciale, i cili ka bërë të ditur se nuk do të udhëtojë në Hagë deri në fund të këtij viti, sepse siç ka thënë ai, ngritja e aktakuzave të para nga Prokuroria do të marrë kohë deri atëherë.

Por Avokati Tomë Gashi thotë se nuk ka asnjë arsye që Gjykata Speciale, të shtyjë ngritjen e aktakuzave deri në fund të këtij viti. Ndërsa njohësit e zhvillimeve në vend thonë se problemet aktuale politike me të cilat ballafaqohet vendi, siç janë Demarkacioni, vizat e Asociacioni, mund ta shtyjnë ngritjen e aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale.

Tërnava: Problemet aktuale mund të shtyjnë ngritjen e aktakuzave

Eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se problemet aktuale politike me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe Ballkani në tërësi, mund ta shtyjnë ngritjen e aktakuzave të Gjykatës Speciale.

“Situata politike që po mbretëron në territorin Ballkanik tani është për t’u analizuar,  dhe ka vlerësime se mund të ketë edhe konflikte ushtarake brenda shtetërore apo edhe mes shteteve në Ballkan. Deri me tani është menduar se Gjykata Speciale do të fillojë punën e saj në pjesën e dytë të këtij viti d.m.th në qershor dhe në vijim. Vet fakti tani se si po mbretëron situata politike në Shqipëri, në Maqedoni, në Serbi, edhe pse pas zgjedhjeve çdo dite ka demonstrata masive, Kosova me situatën e saj si Demarkacioni, krijimi i ushtrisë, rasti Ramush Haradinaj, Asociacioni e shumë situata tjera jo të mira që po na përcjellin, mund të ndodhë që të shtyhen ngritjet e aktakuzave nga Gjykata Speciale deri kah fundi i këtij viti. Prandaj, arsyet e shtyrjeve të ngritjeve të aktakuzave mund të jenë këto sikur që i shpjegova”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

Aktakuzat e para, së shpejti

Mirëpo, sipas avokatit Tomë Gashi, ka mbetur edhe shumë pak punë deri në fillimin e ngritjes së aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale.

“Absolutisht nuk ka asnjë arsye që ngritja e aktakuzave të para në Gjykatën Speciale të shtyhet deri në fund të këtij viti. Janë shumë arsye që kjo nuk do të ndodhë. Së pari, të gjithë gjyqtarët janë zgjedhur dhe janë emëruar nga organi kompetent i BE-së, po ashtu është zgjedhur kryetarja e gjykatës, pastaj është zgjedhur personeli përkatës i gjykatës , duke filluar nga stafi juridik deri te ai teknik, dhe kohë më parë gjykatësit kanë aprovuar rregullat e procedurave dhe të provave. Ka mbetur që për këto të jep mendimin lidhur me kushtetuteshmerinë paneli i Gjykatës Speciale që vepron si panel i veçantë i Gjykatës Kushetuese të Kosovës, dhe kjo punë do të kryhet brenda këtij muaji. Pastaj, të gjitha rrugët janë të hapura që Gjykata Speciale të fillojë punën e saj efektive”, ka theksuar ai.

Gashi ka kujtuar raportin e Prokurorit Ëiliamson, i cili kishte deklaruar qysh para dy viteve se ka akuza të gatshme, e po ashtu, kryeprokurori Shëideman, i cili ka thënë se akuzat i ka gati.

“Ju kujtohet raporti i prokurorit special për hetim të posaçëm të raportit të Dick Marty zotit Clint Ëiliamson që para më shumë se dy vitesh në konferencë në Bruksel pati deklaruar se ai ka akuza të gatshme për t`i dërguar në gjykim, por nuk ka kujt t’ia dërgojë, sepse pritej formimi i Gjykatës Speciale. Ju kujtohet deklarata e kryprokurorit Shëideman kohë më parë që deklaroi se akuzat i ka gati dhe nuk do të kursej askënd nëse ka prova kundër tij. Ai tha se nuk do të ndikohet nga politika dhe është nëse në Kosovë mund të ketë turbulenca politike, akuzat do të ngritën”, ka nënvizuar ai.

Të gjitha këto dhe shumë arsye të tjera, sipas avokatit Tomë Gashi, lënë të kuptohet se jemi afër ngritjes së akuzave të para në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Pritja e fundit të vitit për ngritje të akuzave të para do ta dëmtonte rëndë imazhin e kësaj gjykate dhe do t`a humbte që në fillim besueshmërinë nga të gjithë duke pyetur pse harxhohen milionat për këtë gjykatë nëse ajo nuk është funksionale. Dhe akuzat e para duhet pritur relativisht shpejt, por dihet se me akuza dhe gjykime në këtë gjykatë Kosova do të merret në 10 deri 15 vjetët e ardhshme”, ka potencuar ai.

Frika nga Specialja

Anadaj, ai ka deklaruar se të akuzuarit potencial të Gjykatës Speciale, nuk do të flenë të qetë, falë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që e votuan këtë Gjykatë.

“Kështu askush që potencialisht mund të akuzohet në këtë gjykatë nuk do të mund të flejë i qetë fal deputetëve të Kuvendit të Kosovës që i`a bënë një shërbim aq të keq shtetit që e përfaqësojnë, sa që në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur që deputetët e një shteti të formojnë gjykatë ndërkombëtare dhe speciale kundër vetvetes dhe atë me seli në një shtet tjetër rreth 3000 km nga Kosova, po ndonjëri nga deputetët që e votuan këtë gjykatë nëse vet do të akuzohen atje.. a kanë të drejtë morale të thonë se gjykata që e krijuan vet është gjykatë politike”, është shprehur ai.

Krasniqi paralajmëron trazira

Edhe analisti Faik Krasniqi, ka thënë se problemet aktuale politike me të cilat ballafaqohet vendi, siç janë Demarkacioni, vizat e Asociacioni, mund ta shtyjnë ngritjen e aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale. 

“Dihet që Gjykata Speciale ka filluar punën në janar të këtij viti. Më herët kjo Gjykatë paralajmëroi që aktakuzat e para do të ngriten në qershor. Pak ditë më parë dolën me një deklaratë tjetër që këto aktakuza ka gjasa të shtyhen deri në fund të këtij viti. Por, pa dhënë sqarime. Pse po ‘shtyhet’ ngritja e tyre? Konsideroj që kjo shtyrje është bërë deri sa të përfundojnë edhe disa çështje si Demarkacioni, Liberalizimi i vizave dhe Asociacioni, në mënyrë që deri atëherë situata politike të jetë e qetë, nga frika se kur të ngriten aktakuzat e para, një nga të akuzuarit mund të jetë ndonjë nga figurat e rëndësishme të politikës, dhe të vije deri tek ndonjë trazirë e mundshme”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat