Kriza politike, Kosova drejt një Qeverie teknike?

Politika

Kriza politike, Kosova drejt një Qeverie teknike?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 prill 2017 Në ora: 08:52
Pozitë e opozitë nuk janë duke gjetur një gjuhë të përbashkët, njëra nga partitë opozitare tashmë ka shprehur qëndrimin e saj, të cilët kërkojnë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës.

Mospajtimet e pozitës dhe opozitës, kanë rezultuar që Kosova të hyjë  në një krizë politike. Marrëveshjet si Demarkacioni, Asociacioni kanë sjellë përçarje jo vetëm pozitë dhe opozitë, por, edhe në mes vetë zyrtarëve të pozitës.

Për një marrëveshje të mundshme, në lidhje me këto çështje, partitë politike kanë mbajtur edhe takime, mirëpo pa ndonjë zgjidhje. Gjersa, pozitë e opozitë nuk janë duke gjetur një gjuhë të përbashkët, njëra nga partitë opozitare tashmë ka shprehur qëndrimin e saj, të cilët kërkojnë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës.   

Duke folur për “Bota sot”,  partitë opozitare tregojnë, se  vetëm zgjedhjet  e parakohshme janë rrugëdalje e krizës politike, që ka ardhur si pasojë e marrëveshjeve politike. Kurse, analistët politikë pohojnë të kundërtën, pasi sipas tyre zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

“Kryqëzohen dy partitë e mëdha”

 Zgjedhjet si rrugëdalje të krizës politike nuk e shohin vetëm partitë opozitare, por edhe disa deputetë të pozitës.  Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani,  ka thënë se për të dalë nga kjo gjendje vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Hasani ka pohuar, se nëse nuk do të mbahen zgjedhjet atëherë do të ketë pasoja të rënda në vend.

“Për të dalë nga kjo gjendje vendi duhet të shkojë në zgjedhje, nëse nuk shkon në zgjedhje do të kemi një krizë politike, e cila do të ketë pasoja të rënda politike për vendin”,  është  shprehur Hasani për “Bota sot”. 

Ndërsa sipas partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, problemi qëndron tek dy partitë më të mëdha, pra LDK dhe PDK.  Zyrtari për media në selinë e Vetëvendosjes, Shkodran Hoti  ka thënë, se dy partitë nuk kanë arritur të zgjidhin ndonjë çështje që është me interes për vendin.

“Problemi është qeveria e Kosovës, më konkretisht dy partitë PDK-ja dhe LDK-ja, për shkak se asnjë çështje me interes nuk kanë dhënë zgjidhje. Interesi i vetëm i tyre është ta ruajnë pushtetin dhe për këtë qëllim apo synim janë në gjendje të arrijnë për çfarëdo koncezioni dhe çfarëdo marrëveshje që e dëmton vendin, prandaj çdo hap prapa që e bëjnë këta janë në vetëdijshëm që është fundi për ta dhe i delegjimiton edhe më shumë, prandaj kjo pamundëson edhe arritjen e çfarëdo marrëveshjeje dhe tejkalimin e krizës politike”, shprehet Hoti. 

Ai pohon, se partia e tij pajtohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme sepse koaliconi qeverisës është jo kredibil. Sipas tij, ka shumë arsye të japin dorëheqjen e tyre. 

“Natyrisht që duhet të shkohet në zgjedhje sepse ky koalicon është jo kredibil prej kohës kur e ka shkelur kushtetutën me marrëveshjen e arritur. Kushtetuta është shkelur disa herë me anë të marrëveshjes për Asociacionit e komunave serbe, e cila është dëshmi nga vetë kushtetuesja. Duhet të jap dorëheqje ky koalicion  edhe për faktin se demarkacioni  kundërshtohet në masë të madhe jo vetëm nga subjektet opozitare por edhe nga vetë përfaqësuesit e partive në pushtet. Duhet të jap dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje edhe për faktin qytetarëve nuk i janë realizuar nevojat, nuk kemi pasur realizim të asnjë premtimi që i janë bërë qytetarëve të Kosovës. E vetmja rrugëdalje është që të shkohet në zgjedhje dhe të formohet një qeveri kredibile” thekson Hoti.

Zgjedhje të reja për të kundërshtuar marrëveshjet

Edhe partia opozitare Aleanca  për Ardhmërinë e Kosovës,  thotë se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për zgjidhjen e krizës politike.  Sipas deputetes  nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj marrëveshjet  e njëanshme, kanë sjellë krizë institucionale, prandaj zgjedhjet janë zgjidhje.

“Marrëveshjet nuk bëhen njëanshëm. Për marrëveshje nuk ka pas transparencë  dhe as debat publik. Komisionet e pavarura për Demarkacionin e kanë dëshmuar  me fakte të shumta se ky lloj i demarkimit është  i gabueshëm. Ne nuk kemi tokë të falim, sepse për këtë  tokë e vend është derdhur gjak. Ne jemi për caktimin e kufirit edhe me Malin e Zi po edhe me Serbinë, por jo në këtë formë. Pra, jo në formë  të gabuar. Kufiri është në Çakorr e Kullë te Zhlebit. Për shkak të kësaj krizë institucionale zgjedhja e vetme janë zgjedhjet” pohon  Kadrijaj. 

Gjithashtu, edhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Anton Berisha, ka mbështetur deklaratën e bashkëpartiakes së tij.  Berisha,  ka thënë, se vendi duhet të shkojë patjetër në zgjedhje dhe të zhbllokohet vendi. 

“Çështja e Demarkacionit nuk është e negociushme ngase ka të bëjë me integritetin territorial të vendit. Kryeministri insiston në variantin që dëmton hapësirën territoriale të vendit dhe vë në pikëpyetje edhe resurset natyrore të Kosovës. Ne kemi kërkuar komision të  ri konsensual dhe pastaj të punohet në demarkim”, thekson Berisha. Sipas të njëjtit,  gjuha e përbashkët duhet të jetë zhvillimi i vendit, sipas tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe të zhbllokohet.  “ Gjuha e përbashkët duhet të jetë zhvillimi i vendit, respektimi i ligjit, prosperiteti ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve. Për fat të  keq kjo qeveri e ka ngushtuar qasjen në  interesa  të ngushta dhe na ka sjellë  në  këtë gjendje. Vendi patjetër duhet të shkojë  në zgjedhje dhe të  zhbllokohet vendi.  De facto ne jemi në një  paralizë në segmentet jetike të funksionimit të shtetit”,  pohon  Berisha.

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje

Kurse, analistët politikë zgjedhjet nuk i shohin si zgjidhje të çështjeve si Demarkacioni, Asociacioni apo çështjet tjera që kanë sjellë krizë politike. Ata pohojnë se edhe në rast zgjedhjesh, përsëri do të përsëritet situata e njëjtë. Analisti politik, Belul Beqaj pohon, se në këtë situatë të krijuar çdo përpjekje e kompromisit duket si mashtrim i palës tjetër. Ai ka thënë,  se pushteti e ka humbur plotësisht legjimitetin, por shkuarja në zgjedhje pa bërë reforma zgjedhore presupozon se rezultati mund të jetë i njëjtë.

“Në situatë të mos besimit të ndërsjelltë, çdo përpjekje e kompromisit duket si mashtrim i palës tjetër. Prandaj, vështirë se mund të arrihen marrëveshjet kur askush, askujt nuk i beson. Përkundrazi, secila palë  mendon se është mashtruar nëse arrinë marrëveshje nga pala tjetër. Është fakt i pakonestueshëm, se pushteti e ka humbur plotësisht legjitimitetin,por edhe shkuarja në zgjedhje pa bërë reforma zgjedhore presupozon se rezultati i zgjedhjeve, mund të  prodhojë  raportin, pak a shumë, të ngjashëm të forcave politike”, thekson Beqaj.

Ky i fundit ka thënë,  se zgjedhjet mund ta pasqyrojnë disponimin e vullnetit politik aktual të elektoratit, por jo edhe zgjidhjen e temave.  “Prandaj , zgjedhjet mund  të pasqyrojnë disponimin  e vullnetit politik aktual të elektorait, por ato nuk nënkuptojnë zgjidhjen e temave që janë bërë shkaktare kryesore pse po shkohet  në zgjedhje. Pra, zgjedhjet nuk janë zgjidhje e sigurtë e problemeve të hapura, por, edhe ky pushtet me legjitimitet të kontestuar nuk duhet vazhduar” pohon Beqaj.  Sipas tij, zgjidhja do të ishte Qeveria teknike e cila autorizohet për të kryer reformat zgjedhore. 

“Zgjidhja më e mirë është Qeveria teknike,  e cila autorizohet për të kryer reformat zgjedhore me disa njësi zgjedhore,census më të ulët,lista të hapur. Në këtë mënyrë, do të ndryshonte baza elektorale dhe raporti i subjekteve politike të cilët e kanë  shfrytëzuar këtë formë të zgjedhjeve për të fortësuar interest e veta e jo të  interesit publik”  përfundon Beqaj.

Partive politike nuk iu interesojnë qytetarët

Edhe për analistin politik, Blerim Burjani zgjedhjet nuk janë zgjidhje. “Po as zgjedhjet nuk janë  zgjidhje me këtë  klasë politike pozitë dhe opozitë. Këto  parti më shumë merren me interesa të  tyre, se me qytetarët. Nuk po shoh arsye pse duhet zgjedhje kur as atëherë  këto tema nuk do t’i zgjidhin, nuk ka gjasa të zgjidhen probleme të tilla, sepse e mohojnë zgjidhjen dhe realitetin si është, ky realitet nuk pranohet nga opozita se duhet ndryshuar dic, pra të pranojnë  zgjidhje, këta si opozitë interesin e kanë të vijnë në pushtet,  por edhe nuk po hezitojnë duke bërë propagandë, duke bërë  sondazh e gjithçka” deklaroi Burjani. 

Ai  ka thënë, se qytetarët largohen, sepse nuk janë të interesuar të merren me këtë klasë politike. 

“Përderisa intelektualë e gazetarë profesionist të  shumtë e lëshojnë shtetin dhe shkojnë për kërkuar një jetë më normale dhe më pozitive dhe me humane, pra ky realitet është  ky që shihet,  zgjedhje për çka? Për të vazhduar agonin e njëjtë politike dhe pa përgjegjësinë , huliganizmin politik dhe gjëra të tjera, qytetarët as që  janë të interesuar të merren më me këtë klasë politike anarkike të  dhënë  vetëm  për interesa personale dhe familjare e partiake” përfundon Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat