Agjenturat serbe dhe ruse inskenuan incidentin e zjarrvënies në Istog?

Politika

Agjenturat serbe dhe ruse inskenuan incidentin e zjarrvënies në Istog?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 8 prill 2017 Në ora: 13:18
Incident i ndodhur më datën 3 prill, ku persona të panjohur i kishin vënë zjarrin derës së hyrjes së një shtëpie në ndërtim e sipër në fshatin Dragolec të Komunës së Istogut, mund të jetë rast i inskenuar

Një incident i ndodhur më datën 3 prill, ku persona të panjohur i kishin vënë zjarrin derës së hyrjes së një shtëpie në ndërtim e sipër në fshatin Dragolec të Komunës së Istogut, mund të jetë rast i inskenuar. Policia e Kosovës, ka njoftuar, se sipas ankuesit Kosovar/Shqiptar N.I.1967, pronar i kompanisë së ndërtimit të shtëpive, në fshatin e përmendur kishte vërejtur se persona të panjohur në kohë të pacaktuar gjatë natës kishin vënë zjarrin derës se hyrjes të një shtëpie të pa përfunduar si dhe të disa copave të materialit ndërtimor stiropor.  Ky incident, u quajt ndëretnik, pavarësisht se nuk i dihen autorët dhe nga njohësit e çështjeve të sigurisë dhe inteligjencës po konsiderohet si i inskenuar. Ata bazohen në shumë raste të cilat serbët kanë inskenuar në të kaluarën dhe për të njëjtat i kanë fajësuar shqiptarët.

Rastet e inskenuara nga serbët

Halit Barani, aktivist për të drejtat e njeriut dhe kryetar i Këshillit Rajonal për të Drejtat e njeriut në Komunën e Mitrovicës, ka kujtuar për gazetën “Bota sot”, disa raste në të cilat serbët kishin fajësuar shqiptarët për vepra të cilat i kishin kryer vet duke përfshirë këtu edhe rastin “Panda”. “Jo rrallë kanë ndodhur raste, kur banditët serbe kanë kryer krime prej më të rëndave. Kujtojmë në vitet e tetëdhjeta në rrethinën e Ferizajt u dhunuan në tri raste të ndara katër femra plaka serbe, në Gjilan një serb i njohur me emrin Martinoviq ia pati futur vetes një shishe birre e në disa raste kur iu vdekshin fëmijët foshnja serbëve i varrosnin nëpër mexha të arave, pastaj rasti i vrasjes së të rinjëve serbe në një kafe në Pejë, rasti Panda etj”, ka rikujtuar  Barani.  Më tej, ai ka nënvizuar se për të gjitha këto raste, menjëherë udhëheqësit serbë të kohës, por edhe disa shqiptarë që punonin me serbë dilnin me deklarata se iks rasti i ndodhur ishte kryer nga shqiptarët, duke i mbyllur të njëjtat dhe duke ua lënë fajin shqiptarëve.   “Ishin fajtor apo jo ajo ngjarje që ndodhte iu mbështetej shqiptarëve të pafajshëm dhe të pa mbrojtur, ashtu  si sot edhe udhëheqja e atyre kohëve serbe dhe shqiptare ua hidhnin veprat e ndryshme kriminale shqiptarëve. Por,  fatbardhësisht më vonë zbuloheshin rastet si ajo e dhunimeve të femrave plaka serbe, rastet e varrimeve të fëmijëve të vdekur prej vdekjes natyrale, por thonin shqiptarët i kanë mbytur dhe ja ku i kanë varrosur. Rasti i Martinoviqit dhe rasti i pushkatimit të të rinjve serb në Pejë, të gjitha këto dhe tjera raste të tilla, tani janë të zbuluara se vetë serbët i kanë kryer, por,  fajtorë mbeteshin shqiptarët sepse edhe pas zbulimit të rasteve nuk bënin zë,  më as udhëhqësit shqiptarë,  as ata serbë”, ka kujtuar Halit Barani.

Inskenimet nga shërbimet e huaja?

Ndërkaq, Jeton Kelmendi, njohës i politikave ndërkombvëtare të sigurisë, duke komentuar këtë rast,  ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ka një grup apo një segment të caktuar i cili punon për shërbimet e afërta me ato të Serbisë.  “Është një tentativë për rrënimin e asaj që është ndërtuar, pra plani i paqes është ndërtuar tash e sa vjet. Sigurisht këtë edhe mund ta ketë bërë edhe ndonjë individ që mund ta ketë prekur thellë periudha e luftës. Por, bindja në aspektin teorik, shkon se ka një grup apo një segment të caktuar, i cili punon për shërbimet e afërta me ato të Serbisë, meqë pala kosovare e ndërpreu vazhdimin e dialogut me Serbinë, për aq kohë sa Ramush Haradinaj vazhdon të mbetet peng i serbëve në Francë”, ka thënë Kelmendi. Kësisoj, sipas tij, edhe mund të ketë shërbime jo vetëm serbe, por edhe ato ruse, kineze të cilat inskenojnë sjelljet e tilla për ta nxjerr sa më keq Kosovënpara faktorit ndërkombëtarë.  “Në fakt, shërbimet ruse nuk janë vetëm hallkë që punojnë. Këto shërbime punojnë edhe në instanca të tjera dhe mekanizma të tjerë. Pra, këto janë shërbimet antishqiptare, sigurisht se këtu kanë dorë shërbimet serbe, por edhe ato ruse dhe të tjera, të cilat kanë kapur segmente të caktuara. Këto shërbime mund të kapin dy segmente, kapin ato rastet në të cilat nuk dihet se kush janë akterët dhe kapin disa qarqe të caktuara të partive politike dhe institucionale, të cilat veprojnë në dëm të interesave shqiptare”, ka përfunduar Kelmendi.

Serbia nuk heq dorë nga krimet, koston e paguan Kosova

Ndërkaq, eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka vletësuar, se dëmtimi i Lokacionit të rezervuar për ndërtimin e shtëpive të serbëve që duhej të ktheheshin është një vepër makabre,  sjellë fatura jo të mira shtetit të Kosovës.

“Kjo vepër duhet të jetë vepër e shërbimeve sekrete serbe,  sepse vetë Serbia është ajo që haptazi është betuar dhe bën çmos për ta prishur imazhin e Kosovës, te  ndërkombëtarët, vetëm që mos të pranohet në institucionet ndërkombëtare si UNESCO, liberalizimin e vizave, rrugëtimin e saj në BE e në OKB  si dhe të pengohet njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete që ende se kanë njohur atë”, ka thënë Tërnava për “Bota sot”. Sipas tij, për qytetarët e Kosovës,  ky veprim nuk është i panjohur, sepse nga e kaluara dihet se çfarë janë në gjendje të bëjnë serbët për t`i arritur qëllimet e tyre politike.  “Ende janë të freskëta kujtimet e viteve të 90-ta,  kur regjimi Millosheviçijan për efekte negative politike e pat organizuar aksionin "Panda" në Pejë, që të vriten fëmijët serbë e që të proklamohet ndërkombëtarisht si vepër e kryer nga irredentistët shqiptarë, dhe si shkas për këtë vepër ndërmorën aksione policore dhe ushtarake dhe masakruan njerëz të pafajshëm shqiptarë. Tani, jo fort moti edhe kjo qeveri serbe në pushtet,  e pranojë atë aksion qe ishte e montuar nga qeveria e atëhershme serbe, por me presionin e ndërkombëtarëve, që kishin fakte për këtë që e shpjegova”, ka potencuar Tërnava.   Prandaj, sipas Tërnavës, jo rrallë herë ka ndodhur që serbët të ndërmarrin veprime të pakuptimta për t`i arritur qëllimet e tyre.   “Tani qeveria e Kosovës duhet t`i përgjigjet në mënyrë adekuate me shërbimet e saja institucionale, dhe ta argumentoj këtë vepër makabre që është vepër serbe për luftimin e imazhit pozitiv të Kosovës në botë”, ka përfunduar ai. Edhe sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Armend Halimi, nëse merren parasysh rastet e tjera të montuara nga shteti serb, përmes organeve të tij të sigurimit, me sulme pikërisht ndaj serbëve, me qëllim që të paraqiten viktima para bashkësisë ndërkombëtare, edhe ky rast mund të jetë  po ashtu.   “Sigurimi serb, është në gjendje, jo vetëm me sulme ndaj pronës, por edhe ndaj jetës duke mos kursyer bashkëkombësit e tij, vetëm e vetëm të faturojë në adresë të shqiptarëve, për arsyet e përmendura. Mjafton të tërheqim paralele me rastin e njohur "Panda", në Pejë, të vitit 1998, në një kafiteri serbe, ku nga një sulmi  mirë organizuar, mbeten të vrarë gjashte civil serbë. E gjithë barra e kësaj ngjarje iu bë shqiptarëve, si pretekst i arrestimeve të shumta, rrahjeve dhe burgosjeve me arsye se gjoja shqiptaret kishin kryer sulmin”, ka thënë Halimi.  Mirëpo, sipas tij, janë vetë serbët, që nga instancat më të larta, që pranojnë se sulmi ishte i përgatitur nga sigurimi serb. “ Dëshmi të cilat, madje japin edhe emra, dëshmi se Milorad Ulemek i njohur si Legija, pranon se ai ishte atentatori,  por që këtë akt e kishte bërë me urdhër të një komandanti të sigurimit serb, të quajtur Rade Markoviq. Atëherë padyshim të gjitha këto bëheshin për të dhënë arsye aparatit të tyre brutal ndaj shqiptarëve, dhe njëherësh për të paraqitur ushtrinë çlirimtare të Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste, por që edhe sulmet e tanishme mbi vetë pjesëtarët e nacionalitetit të tyre, bëhen me motive po të njëjta, pra për të dhënë imazh të keq Kosovës, dhe njeherësh për t`u paraqitur viktima, për të pasuar pastaj me privilegje dhe kërkesa të shumta”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat