Kush do të jetë kandidat për kryeministër nga opozita?!

Politika

Kush do të jetë kandidat për kryeministër nga opozita?!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 prill 2017 Në ora: 11:48
Foto ilustrim

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ditë më parë ka deklaruar se kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të jetë nga opozita.

“Opozita ka për ta drejtuar kryeministrinë e ardhshme. Edhe nëse mbahen nesër zgjedhjet, e që shtyhen jam i bindur se vetëm sa ka për t’u fuqizuar opozita. Kjo sepse dispononi te qytetarët është duke ndryshuar. Njerëzit janë të pakënaqur, janë të zhgënjyer. Asnjë premtim i tyre nuk është realizuar. Njerëzit e kanë kuptuar se mashtrimi nuk ndez”, ka thënë Limaj.

Si duket  Limaj është thellë i bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat aktualisht qeverisin me vendin të shkojnë në opozitë.

Megjithatë ende nuk është konfirmuar se kush mund të jetë kandidati kryesor për kryeministër nga partitë opozitare. Kurse nalistët politik vlerësojnë se kjo opozitë lë shumë për të dëshiruar, pasi sipas tyre pozita por dhe opozita nuk meritojnë votat e qytetarëve.

Secila parti ta ketë kandidatin e saj

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi ka thënë për “ Bota Sot” se të gjitha subjektet politike ose koalicionet do të kenë kandidatët përkatës për kryeministër, e po ashtu edhe opozita.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë kandidatin e sajë për kreun e qeverisë së ardhshme. Do ta mirëprisnim mbështetjen edhe të subjekteve tjera opozitare për këtë”, ka thënë deputeti Selimi.

Ndërsa, anëtari i AAK-së Anton Berisha ka thënë, për “ Bota Sot”  se për momentin, për opozitën gjëja më e rëndësishme është të organizohet mirë, të ketë një platformë të qartë dhe të besueshme me të cilën ajo do të arrij të fitoj zgjedhjet.

“ Ne duhet  të bëjmë një listë të kandidatëve kredibile ndërsa çështja e kandidaturave për qeverinë duke përfshirë edhe kryeministrin të shqyrtohet në një fazë tjetër”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, nga Aleanca Kosova e Re, tashmë është bërë e ditur se kandidat për kryeministër do të jetë lideri i saj, Behgjet Pacolli.

“Do të jem kandidat për kryeministër. AKR është faktorizuar dhe shpresoj se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar i kanë parë mundësitë e secilit, do t’i analizojnë me kujdes qytetarët çdo pretim që vjen prej partive.  T’i marrë pak parasysh premtimet prej të kaluarës dhe të shohë se çka është realizuar, ku është fondi për punësim, ku është premtimi për 150 mijë vende pune, ku është premtimi i tjetrës parti për 250 mijë vende pune. Prandaj si rezultat i këtyre premtimeve, qytetari duhet ta dijë se nuk ka pasur rritje ekonomike, nuk ka pasur zbutje të papunësisë, përkundrazi, është rritur numri i varfërisë në Kosovë, papunësia është rritur, zhvillimi ekonomik ka ngecur”, kishte thënë Behgjet Pacolli në intervistën e dhënë ditë më parë për “Bota sot”.

Pozita dhe opozita nuk meritojnë votat e qytetarëve

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se  kjo opozitë lë për të dëshiruar, por gjasat janë minimale që të ketë kryeministrin, pasi sipas tij e vërteta është se kjo pozitë dhe opozitë nuk meritojnë votat e qytetarëve.

“Disa subjekte të vogla opozitare problem do ta kenë edhe kalimin e pragut zgjedhor, pra do të ketë të vështirë shumë ky subjekt ta kalojë pragun zgjedhor. Pra opozita po sikur pozita problem do ta kenë ta bindin qytetarin për të dal në zgjedhje.  Së pari duhet ta bindin elektoratin për të  dal në zgjedhje e pastaj le të mendojnë sa mund të fitojnë vota”, ka thënë Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat