Fuqia e shtetit ndaj Vuçiqit, Serbia e “pranon” se Kosova është shtet!

Politika

Fuqia e shtetit ndaj Vuçiqit, Serbia e “pranon” se Kosova është shtet!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 mars 2017 Në ora: 08:38
Kabineti qeveritar i Kosovës

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka anuluar vizitën e tij në Kosovë, të cilën e kishte paraparë më herët.

Ky anulim i vizitës së tij, ka ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila i kishte dhënë leje Vuçiqt që të qëndrojë në Kosovë vetëm tri orë dhe se Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që në delegacion të mos jenë ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq dhe ai i mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq të cilëve edhe më herët iu ishte ndaluar hyrja në shtetin e Kosovës.

“Nuk do të shkoj në Kosovë. Nuk ia vlen një presion i këtij lloji, as “cirku” që po bën Prishtina” ka thënë Vuçiqt, pas anulimit të vizitës.

Serbia është bindur se Kosova është shtet

Ky veprim nga ana e Kosovës, që t’i bëjë kushte kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq, për hyrjen në territorin e Kosovës, është pritur mirë nga shoqëria e Kosovës dhe sipas tyre duhet që kështu të bëjnë edhe zyrtarët tjerë.

“Bota sot” ka kontaktuar me Ministrinë e punëve të jashtme, për t’i pyetur nëse ata do bëjnë kushte të tilla gjithmonë para vizitave të zyrtarëve serbë, mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje.

Kurse Zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj thotë se për vizitat të tilla merret MPJ, mirëpo sipas tij Serbia e ka pranuar Kosovën si shtet, mirëpo ka mbetur ky fakt edhe publikisht.

“Në lidhje me vizitat duhet t’i drejtoheni MPJ-së. Ndërsa Serbia ka kohë që është e bindur se Kosova është shtet, problemin e kanë veç si dhe kur ta pranojnë këtë fakt publikisht” deklaroi Gecaj.

Dështimi i Vizitës së Vuçiq, dëshmi se Kosova është shtet

Kurse, sipas njohësve të zhvillimeve në vend, anulimi i vizitës së Vuçiqit në Kosovë, nënkuptohet se Kosova tashmë është shtet dhe ka një qeveri të saj, e cila përkujdeset për ligjshmërinë e atij shteti.

“Anulimi i vizitës së Vuçiqit në Kosovë mund të nënkuptohet si masë procedurale të një shteti të ri që quhet Kosovë, dhe në çdo vizitë  që  i bëhet asaj duhet të merret leje nga përfaqësuesit e këtij shteti. Vetë  fakti se iu ka refuzuar  vizita Kryeministrit serb në Kosovë, edhe qytetari ma i thjeshtë  e nënkupton se Kosova tani është shtet dhe se e ka qeverinë e saj e e cila përkujdeset për ligjshmërinë e atij shtetit” thotë eksperti i sigurisë, njëkohësisht njohës i zhvillimeve në vend, Hajrullah Tërnava.

Tërnava thotë se me vetë faktin që serbët duhet të kërkojnë leje të hyjnë në Kosovë, atëherë me këtë dëshmohet se  Kosova është shtet i pavarur.

 “Me vetë faktin që përfaqësuesit e Serbisë  kur dojnë ta vizitojnë  Kosovën, duhen të  kërkojnë leje për hyrje në Kosovë, e dëshmon se tani Kosova është  shtet i pavarur dhe e njohur nga 114 shtete të botës. Gjithnjë për çdo vizitë duhen të përdoren kriteret e fqinjësisë të mirë dhe sikur që edhe ata i parashohin kushtet ligjore për vizita të delegacioneve tona në shtetin e tyre, e njëjta procedurë duhet të vlejë edhe për ta në shtetin tonë. Me kalimin e kohës vetë Serbia do të bindet se Kosova tani është shtet dhe sa më parë  të bindet që Kosova është shtet, do ta kuptojë dhe do të bindet se duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës” pohon Tërnava.

Tensionet si pasoje e të kaluarës gjenocidiale të Serbisë ndaj Kosovës

Ndërsa, analisti Arber Gashi thotë se për të bërë një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ndryshuar politika shqiptare.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë kushtëzohen dhe ndikohen nga e kaluara gjenocidale e shtetit, akademisë dhe kishës serbe në trojet shqiptare. Për rrjedhojë, tensionet që përjetojmë tani në marrëdhëniet dypalëshe, nuk janë diçka e papritur dhe e pazakontë. Megjithatë, për ta mundësuar arritjen e një Marrëveshje Historike mes shqiptarëve autokton dhe fqinjëve që kanë luajtur rolin e agresorit dhe kanë kryer krime me përmasa gjenocidale, nevojitet një ndryshim kursi te vet politika shqiptare, e cila, sipas zakonit të pashkruar, vazhdon të mbetet e fragmentarizuar, e padefinuar dhe në shërbim të grupeve të dyshimta të interesit, të cilat, politizojnë duke i dhënë gjithmonë prioritet të veçantë interesave e zgjidhjeve lokale, si dhe duke i anashkaluar me vetëdije të plotë interesat jetësore të kombit shqiptar në tërësinë e tij” shprehet Gashi.

Ai pohon se vizitën e paralajmëruar dhe pastaj të anuluar të kryeministrit serb, nuk duhet shikuar nga këndvështrime tjera.

 “Prandaj, edhe vizitën e paralajmëruar dhe më pas të anuluar të kryeministrit serb, nuk duhet ta shohim nga këndvështrime tjera, sepse me këtë nuk do t’i shërbenim të vërtetës dhe zgjidhjes përfundimtare të mosmarrëveshjeve. Jemi dëshmitarë se, sa më shumë që politikanët shqipfolës mbështesin fragmentarizimin e pozicionit të shqiptarëve si komb, aq më të pranueshëm bëhen për serbët, sllavomaqedonët, grekët dhe fqinjët tjerë” shprehet Gashi.

Kundër vizitës të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiqit, ishin bërë edhe protesta në vende të ndryshme të Kosovës. Rruga që është nga Prishtina për në komunat veriore të Kosovës, ishte bllokuar, kanë qenë banorët e Vushtrrisë dhe Mitrovicës ata që kishin dalë, duke bllokuar kështu edhe delegacionin serb i cili ishte paraparë të vinte në Kosovë për fushatë zgjedhore.

Protesta kishte edhe në Rahovec, qytetarët kishin dalë me sloganin “Mos bëni fushatë këtu në Kosovë”, duke ndaluar ardhjen e serbëve.

Protestat anuluan vizitën e Vuçiq

Sipas analistit, Faton Mehmeti, këto protesta kanë rezultuar në anulimin e vizitës së Vuçiqit.

“Anulimi i vizitës së Vuçiqit më tepër ka ardhur si pasojë e protestave gjithandej vendit, pasi qeveria veç ia lejoj ardhjen. Në shumicën e herave urdhëri i institucioneve të Republikës së Kosovës nuk është përfill dhe zyrtarët serb kanë ardhur edhe pa pytur. Mirëpo, Vuçici inatosur me kushtet e vendosura nga autoritet e Republikës së Kosovës edhe për poena politike, anuloi vizitën për të dëshmuar para serbëve se nuk i njeh dhe respekton urdhërat e institucioneve tona” thekson Mehmeti.

Ai pohon që shteti i Kosovës, duhet të jetë më konkret me raportet me Serbinë dhe vizitat e zyrtarëve serbë.

“Shteti i Kosovës duhet të jetë me konciz në raportet me Serbinë dhe vizitat e zyrtarëve serbë, të cilat shpesh ato vizita i kanë kthyer në mitingje nacionaliste duke nxitur serbe që mos të njohin dhe respektojnë institucionet dhe shtetin e Kosovës. Nëse zgjidhet president, Vuçici do të vjen në Kosovë për të iu thënë serbëve " që nuk jeni vetëm: dhe institucionet tona duhet të jenë vigjilentë dhe mos të lejojnë asnjë  vizitë  që cenon sovranitetin dhe rrezikojnë paqen dhe sigurinë në vendin tone, qoftë për shqiptarët apo edhe vetë serbët” shprehet Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat