Pacolli Kryeministër, në koalicion me LDK-në?

Politika

Pacolli Kryeministër, në koalicion me LDK-në?

Nga: Gresa Bajraktari Më: 29 mars 2017 Në ora: 17:37
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, gjatë intervistës me gazetaren e gazetës "Bota sot", Gresa Bajraktari/ Foto "Bota sot"

Bota sot: Nëse mbahen zgjedhje parlamentare, a do të kandidoni për Kryeministër të Kosovës?

Behgjet Pacolli: Do të jem kandidat për kryeministër. AKR është faktorizuar dhe shpresoj se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar i kanë parë mundësitë e secilit, do t’i analizojnë me kujdes qytetarët çdo pretim që vjen prej partive.  T’i marrë pak parasysh premtimet prej të kaluarës dhe të shohë se çka është realizuar, ku është fondi për punësim, ku është premtimi për 150 mijë vende pune, ku është premtimi i tjetrës parti për 250 mijë vende pune. Prandaj si rezultat i këtyre premtimeve, qytetari duhet ta dijë se nuk ka pasur rritje ekonomike, nuk ka pasur zbutje të papunësisë, përkundrazi, është rritur numri i varfërisë në Kosovë, papunësia është rritur, zhvillimi ekonomik ka ngecur. Sot jam në gjendje t’ua numëroj investimet e reja që janë bërë, edhe ato investime kanë ndodhur  me shumë mund. Ju them që fondacioni im ka sjellë tani disa kamionë me shtretër për spitale dhe ka dy javë që ata kamionë mbahen në terminale doganore dhe kam një dëshmi të besueshme se doganat  e Kosovës po bashkëpunojnë me pronarë të terminaleve dhe janë duke neglizhuar punën e vet për të zhdoganuar mallin dhe duke i lënë kamionët me javë aty, që të paguajnë ata taksë ditore dhe ajo taksë hyrje ekstra për pronarët e terminaleve dhe kjo doganierëve po iu pëlqen. Dhe, nuk dua të mendoj se doganierët nuk janë pjesë e këtij krimi.

Image
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli / Foto "Bota sot"

Bota sot: Ka pasur zëra se mund të keni koalicion me LDK-në. A ju ka ofruar LDK-ja, ndonjë mundësi bashkëpunimi për zgjedhjet lokale?

Behgjet Pacolli: Jo vetëm ka zëra por ka pasur takime të nivelit të lartë, po edhe me partitë tjera dhe AKR është duke analizuar këtë situatë, është e hapur për koalicione, por, do të zgjedhë partnerët e vet me të cilët do të bëjë ndonjë koalicion eventual. Por , deri sot nuk ka ndodhur asgjë, mirëpo për të ndodhur ka një parakusht. Ky parakusht është që programi jonë duhet të jetë pjesë e programit qeveritar, nëse partneri ynë ka diçka për të plotësuar, plotëson, por programi duhet të jetë pjesë e programit qeveritarë, pasi është i vetmi që garanton rritje ekonomike 10 përqind, që garanton punësim gradual çdo ditë, çdo vit, që garanton një administratë publike efikase dhe jo pasive si tani, dhe një program që do të reduktojë të hyrat nga doganat dhe këto të hyra do të shtohen nga veprimtaritë ekonomike.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat