Albulena Haxhiu: Serbë ka edhe në vende tjera në Evropë por atje nuk hapen qendra votimi

Politika

Albulena Haxhiu: Serbë ka edhe në vende tjera në Evropë por atje nuk hapen qendra votimi

Më: 18 mars 2017 Në ora: 15:46
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se arsyetimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë në emër të dyshtetësisë, është i pavërtetë dhe i paqenë.

“Shtetas serbë jetojnë edhe në Gjermani, Austri, Kroaci, Slloveni, etj, por Serbia nuk po hapë vendvotime në asnjërin nga këto shtete, ndërsa ka vendosur të hapë 90 vendvotime në Kosovë. Këtu po shmanget qëllimisht fakti i mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, si dhe shkelja flagrante e sovranitetit shtetëror dhe institucional të vendit”, ka thënë Haxhiu.

“Më shumë se sa t’i ketë votat e serbëve që jetojnë në Kosovë, Serbia me këto zgjedhje do ta rikonfirmojë praninë e saj në Kosovë, dhe njëkohësisht në praktikë ta jetësojë qëndrimin e saj se Kosova është pjesë e Serbisë. Prandaj, Qeveria dhe institucionet tjera shtetërore duhet t'i ndalojnë dhe pamundësojnë këto zgjedhje, ngase nënshtrimi i tyre po e legjitimon praninë e Serbisë në Kosovë”, ka shtuar më tej ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat