Zgjedhje të jashtëzakonshme, KQZ tregon a është gati për organizimin

Politika

Zgjedhje të jashtëzakonshme, KQZ tregon a është gati për organizimin

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 5 mars 2017 Në ora: 14:05
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka konfirmuar gazetës “Bota sot” se Komisioni Qendror Zgjedhor shpreh përkushtimin për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore.

Situata e krijuar në Kosovë si pasojë e mospajtimit rreth çështjes së demarkacionit dhe akuzat partnerëve të koalicionit qeverisës, kanë bërë që të shtohen zërat për zgjedhje të jashtëzakonshme në vend.

Përpos partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, për zgjedhje të përgjithshme është deklaruar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Po ashtu, edhe shumë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tash e sa kohë janë deklaruar për prishje të koalicionit më PDK-në dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

KQZ e gatshme për zgjedhje

E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, thotë se është i gatshëm për të organizuar zgjedhjet, kurdo që një gjë e tillë i kërkohet.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka konfirmuar gazetës “Bota sot” se Komisioni Qendror Zgjedhor shpreh përkushtimin për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe më parë e ka bërë të njohur qëndrimin se e ka për detyrë të organizojë zgjedhjet kurdo që një gjë e tillë kërkohet. Prandaj, sikurse edhe më herët, KQZ shpreh përkushtimin për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Elezi.

Mungon e alternativa bindëse për ndryshime

Duke folur për këtë çështje, politologu Albinot Maloku, ka thënë se shkuarja e vendit në zgjedhje nuk është çështje, e cila nuk është rekomanduar prej kohësh dhe kjo çështje ka filluar të mbahet në njëfarë forme edhe si peng e garniturës aktuale qeverisëse.

“Konform kësaj, shkuarja në zgjedhje nuk paraqet moment të jashtëzakonshëm politik për vendin. Ajo që e komplikon situatën është mos pasja e një alternative mjaftueshëm bindëse se diçka mund të ndryshojë nga mendësia politike që është krijuar në Kosovës, qoftë nga garniturat politike vendose e qoftë edhe nga këshilltarët e miqtë ndërkombëtar”, ka thënë Maloku.

Po ashtu, Maloku ka thënë për “Bota sot” se sido që të jetë, vazhdimi i avazit aktual politik duket hapur se është i dëmshëm e me pasoja afatgjata.

Maloku: Ti gjendet “ilaçi” manipulimeve me vota

“Kur flasim për manipulim të zgjedhjeve, kjo gjë medoemos është duke e varrosur meritokracinë e demokracinë në Republikën e Kosovës. Nëse nuk i gjendet mirëfilli ilaçi do të vazhdojmë të lëngojmë edhe si shoqëri edhe si shtet. Se kush duhet ta zgjidhë këtë defekt? Konsideroj se një elitë e kulturuar vendore e duke mos u mbështetur edhe aq fort në këshillat nga jashtë do të mund të ngjallte shpresë. Tek e fundit kush e do Kosovën më shumë se populli i saj!”, ka theksuar ai.

Por, ndryshe është shprehur analisti Albrim Badallaj, sipas së cilit Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje vetëm për shkak të mos kalimit të Demarkacionit, por për shkak të mosfunksionimit të koalicionit.

Për këtë të fundit, ai ka thënë se është jo i natyrshëm.

“Me mungesat e shumta të deputetëve nëpër seanca,  Kuvendi është rikthyer në 2014, asokohe kur mazhoranca nuk kishte shumicën në Kuvend dhe kjo po përsëritet. Mos kalimi i Demarkacionit nuk është për shkak të mosunitetit të mazhorancës, por për shkak të ndjeshmërisë së procesit dhe kundërthënieve në lidhje me të, gjë që i ka bërë që deputet e shumicës të jenë të polarizuar në këtë drejtim. Kosova ka nevojë për një freski në krye të Qeverisë dhe këtë mund t'a prodhojnë vetëm zgjedhjet e reja”, ka thënë Badallaj.

Po ashtu, Badallaj ka thënë se për pakënaqësitë brenda mazhorancës, por edhe tek opozita, janë bashkësia ndërkombëtare ata që përcaktojnë agjendën e Kosovës, qoftë edhe për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Badallaj: Nëse dështon demarkacioni, fati i Qeverisë janë zgjedhjet

Sipas tij, nëse Demarkacioni nuk kalon në Kuvend, atëherë fati i kësaj qeverie do të jenë zgjedhjet e parakohshme , sepse siç ka thënë ai, kjo tregon mosunitetin dhe brishtësinë e koalicionit.

“Se a ka mundësi që zgjedhjet të manipulohen, është një çështje ku gjithmonë ekziston potenciali dhe tendencat për një gjë të tillë. Edhe pse raportet ndërkombëtare të organizatave vëzhguese të zgjedhjeve dalin pozitive dhe me parregullsi të pakta, sfida më e madhe është ajo jashtë qendrave të votimit si presioni dhe tregtimi i votave. Kjo prodhon zgjedhje jo të lira dhe rezultate të njëjta pothuajse tani e 10 vite për nga rezultati”, është shprehur Badallaj.

Tutje, ai ka theksuar se edhe nga zgjedhjet e reja nuk pritet që të ketë një ndërrim të pushtetit, pos ndërrim të partnerëve të koalicionit, duke i afruar në qeverisje partitë e "krahit të luftës" si AAK-NISMA dhe potencialisht edhe AKR.

“Nga ana tjetër do të vazhdojmë të kemi një opozitë "problematike" si VV dhe një Listë Serbe që tenton t'i bllokojë çdoherë çështjet e mëdha që janë në interes të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Badallaj.

Ndryshe, Kosova gjatë mesit të këtij viti do të mbajë edhe zgjedhjet e reja komunale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat