Krimet serbe të mos lihen në dorë të bisedimeve, të bëhet padi kundër Serbisë

Politika

Krimet serbe të mos lihen në dorë të bisedimeve, të bëhet padi kundër Serbisë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 4 mars 2017 Në ora: 08:40
Masakra në Kosovë, 1999

“Megjithatë, në rastin e Kosovës, përkundër faktit se janë vrarë dhjetëra mijëra civilë, si dhe janë depërtuar me dhunë gati 1 milion shqiptarë të Kosovës, është sot gati e pamundur të dokumentohet se ka pas gjenocid. Tani kanë kaluar shumë vite dhe ka një klimë tjetër politike në rajon, para kësaj klime politike është drejtësia ajo që zmbrapset”, është shprehur Mentor Tahiri  

Përfaqësuesit e institucioneve ende nuk po marrin guximin që të padisin Serbinë për gjenocidin e ushtruar në Kosovë, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme, të cilën Kosova po e merr nga vendet mike të saj.

Së fundmi, përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, David Pressman ka shprehur edhe njëherë përkrahjen e Amerikës për Kosovën.  Ai ka thënë, se Kosova po zhvillohet çdo ditë e më shumë si shoqëri multietnike dhe forcë shtesë në Rajon, duke theksuar përkrahjen e SHBA-së që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.  Por, as kjo deklaratë inkurajuese e një shteti të madh mik, siç janë SHBA-të , e as të tjerat të mëhershmet,  duket se nuk i kanë dhënë mbështetje institucioneve të Kosovës,  që të kërkojnë llogari edhe në mënyrë zyrtare llogari për krimet e luftës dhe gjenocidin e ushtruar nga Serbia në luftën e fundit.  Zyra për informim e Presidencën nuk është përgjigjur për gazetën “Bota sot”, në pyetjen nëse po bëhet gati ndonjë padi e Kosovës ndaj Serbisë për krime të luftës.

Mbështetja e Amerikës për Kosovën

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se padia për gjenocid është një e drejtë,  që buron nga e drejta ndërkombëtare, të cilën nuk mund ta ndalë askush.   “Ka qenë një dilemë e madhe në shoqërinë tonë se mos SHBA –ja,  pas marrjes së pushtetit nga ana z. Trump, do të ndryshojë qëndrimin.  Deklaratat e sekretarit të shtetit, të Ministrit të Mbrojtjes, si dhe të z. D.Pressman në KS të OKB -së, kanë  treguar se SHBA –të,  janë në vijën e trazuar dhe se do të ketë edhe zhvillim të metejshëm. Mendoj, se padia për gjenocid është një e drejtë që buron nga e drejta ndërkombëtare. Atë nuk mund ta ndali askush”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.  Në këtë drejtim, Kelmendi e ka quajtur shumë domethënëse kërkesën e SHBA-së në KS të OKB –së,  për pranimin e Kosovës si anëtare e OKB-së.  “Në kuadër të saj theksohet detyrimisht përgjegjësia e shtetit që ka shkaktuar dhe terror, gjenocide. Mbi atë, dënohet shteti për atë vepër penale dhe përcaktohen masat reparative në formë të mjeteve financiare. Shteti dënohet edhe për dëmin material dhe edhe për dëmin moral.  Kuptohet se gjithë kohën sa SHBA –ja,  është në anën e Republikës së Kosovës do të vijnë edhe njohjet dhe shumë më lehtë do të kemi të integrohemi në mekanizmat ndërkombëtare. Është shumë domethënëse kërkesa e SHBA -së në KS të OKB –së,  për pranimin e Kosovës si anëtare e OKB-së. Kjo na detyron të punojmë më shumë dhe me ndërgjegje, pa ekuivoke”, ka thënë Kelmendi.

Të mos anashkalohet padia ndaj Serbisë

Kurse, sipas politologut Mentor Tahiri, asnjëherë institucionet e Kosovës, përfshirë edhe këto pas pavarësimit të vendit, nuk janë marrë seriozisht me çështjen e dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë.  “Madje edhe vetë mënyra se si janë proceduar këto raste në Tribunalin Ndërkombëtarë në Hagë, lë përshtypjen se bëhet fjalë për krime të izoluara nga njësite të ndryshme të armatosura serbe dhe jo për një fushatë të përgatitur dhe të zbatuar si një tërësi nga ana e shtetit, e cila kishte për qëllim zhdukjen biologjike të prezencës shqiptare në Kosovë. Ky joseriozitet i institucioneve të Kosovës, tregon mbase vetë natyrën e bërjes politike sot në Kosovë dhe se si kjo politikë ka rezultuar tutje me krijimin e një shoqërie e cila në kaosin e përgjithshëm të degradimit të vlerave, nuk ka energji të kërkojë drejtësi”, ka thënë Tahiri për “Bota sot”.   Më tej, ai ka shpjeguar se, deri tani ka vetëm një rast në rajon,  ku është ngritur padi nga ana një shteti kundër një shteti tjetër, ky është rasti i Bosnjë-Hercegovinës e cila ka paditur Serbinë për gjenocid.   “Megjithatë, në rastin e Kosovës, përkundër faktit se janë vrarë dhjetëra mijëra civilë, si dhe janë depërtuar me dhunë gati 1 milion shqiptarë të Kosovës, është sot gati e pamundur të dokumentohet se ka pas gjenocid. Tani kanë kaluar shumë vite dhe ka një klimë tjetër politike në rajon, para kësaj klime politike është drejtësia ajo që zmbrapset”, është shprehur ai.  Andaj, sipas politologut Tahiri, duhet të fillohet me punë konkrete në këtë drejtim dhe jo të ketë retorikë në shërbim të popullaritetit politik të dikujt apo për të treguar patriotizëm.  “Duhet krijuar hapësirë për profesionistë, të cilët nuk do të vihen në shërbim të politikës ditore. Këta profesionistë duhet të bazohen në të dhënat e deritanishme dhe studimet individuale ngase të tilla ka, dhe të mos mbingarkohen me ngjyra politike e etnike, por thjeshtë të punohet në drejtim të dokumentimit të gjenocidit. Kurse fare në fund, si përmbyllje e këtij procesi është pasimi i këtyre fakteve në një kampanjë në nivel ndërkombëtarë, ashtu që termi “gjenocid” të jetë i pranueshëm ndërkombëtarisht sa herë të bëhet fjalë për  krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka nënvizuar ai.

Krimet serbe, të mos lihen në dorë të bisedimeve

Kurse, sipas analistit Islam Krasniqi, Kosova nuk ka bërë asgjë për ta paditur Serbinë për gjenocidin e ushtruar. “Republika e Kosovës është dashur që të mbështetet në SHBA-të dhe të marrë guximin që të kërkoj ndëshkimin e krimeve serbe, që kanë kryer në Kosovë, duke e shfrytëzuar miqësinë dhe përkrahjen  e   Amerikës, sepse Kosova është projekt i tyre, e cila na ka përkrahur dhe ndihmuar në çdo hap në shtet ndërtimin tonë, përkrahje e cila nuk na mungon as sot. Kosova në këtë drejtim nuk ka bërë asgjë, ajo pret që gjithçka të zgjidhet në Bruksel, ku një ditë kjo elitë politike mund edhe ti amnistojë të gjitha krimet e luftës, më një akt pajtimi,të cilin e ka filluar Presidenti, sepse lufta këta politikanë nuk i ka prekur në asht, por vetëm i ka pasuruar ata.  Atë veprim që institucionet tona nuk e bën, e bëri Serbia me shpifje, ku na erdhi dhuratë Gjykata Speciale, z. Ramush Haradinaj mbahet në Francë, ku na shndërruan nga viktima në të akuzuar”, ka deklaruar ai.  Sipas Islamit, institucionet e Kosovës, nuk po dinë t`a shfrytëzojnë ndihmën e SHBA-së.   “Edhe një herë Amerika tregoi se e mbështet Kosovën, përmes përfaqësuesit  të SHBA-së,  në Këshillin e Sigurimit, David Pres Sman, i cili tha së Kosova po zhvillohet çdo ditë e më shumë si shoqëri multietnike dhe forcë shtesë në Rajon, duke theksuar përkrahjen e SHBA-së , që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, mirëpo institucionet tona s`po dinë ta shfrytëzojnë ndihmën e miqve tanë, sepse po kanë frikë së po ju humb simpatia në popull, dhe ndoshta edhe frikohen sê mund ti humbin votat e minoritetit serb, i cili ju ka shërbyer për qëllime personale!”, ka thënë ai.  Për më tepër, Kryeministri i vendit Isa Mustafa, ka deklaruar se në formatin e ri të dialogut me Serbinë, kësaj të fundit do t`i kërkohet edhe llogaria për ushtrimin e gjenocidit në Kosovë.

Kosova të formojë ekipin ligjor

Ndërsa, avokati Ardian Gjoshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk ka dyshim, që përkrahja historike dhe konsistente e administratës Amerikane ndaj Kosovës paraqet një garancion të fuqishëm politik, qoftë në aspektin e pavarësisë qoftë në aspektin e subjektivitetit ndërkombëtar. “Megjithatë, paditë në GJND dhe kërkesat për reparacion, do të duhej të jenë puro ligjore, të bazuara në fakte dhe prova të artikuluara; meqenëse pushtetet janë të ndara dhe GJND, e thirrur për këto konteste duhet bazuar në materialin provues që dërgohet nga pala paditëse”, është shprehur Gjoshi.  Fatkeqësisht, në këtë fazë, sipas Gjoshit, Kosova vetëm mund të grumbullojë provat dhe faktet, t’i mbajë mirë të siguruara në fashikulla, sepse depozitimi i një padie në GJND do të mund haste në pengesa procedurale; siç është mos-antarësimi në OKB dhe/apo mungesa e të qenurit pjesë e statutit të saj.  “Për më tepër, ndonëse Serbia është pjesë e Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, ajo e ka nëshkruar këtë konventë me rezervë, duke përjashtuar nenin IX, i cili nen do të paraqiste bazë që kërkesa e Kosovës të ishte ligjore përveç legjitime. Pra, për të pasur mundësi të aplikohet kompentenca obligative dhe të dëgjohet rasti në GJND, do të duhej që edhe pala paditëse edhe ajo e paditur të pajtohen për një mundësi të tillë. Fatkeqësisht, Serbia historikisht dhe - jo vetëm ndaj Kosovës – ka tentuar t’i bishtënoj përgjegjësisë për gjenocidet e kryera”, ka theksuar ai. Pavarësisht kësaj, sipas avokatit Gjoshi, Kosova duhet të formojë urgjentisht ekipin e ekspertëve ligjor, i cili do të duhej të mbledhte gjithë materialin provues dhe të përgatisë padi kundër Serbisë, për shkak të veprës penale kundër të drejtës ndërkombëtare – gjenocidit, ashtu siç me të drejtë ka vepruar Bosnjë-Hercegovina dhe Kroacia.

“Përndryshe, Serbia me GJND-në ka përvoja të hidhura, meqë është pikërisht kjo e fundit, që ka dhënë mendim këshilldhënës s’e shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Përfundimisht, konsideroj s’e, Serbia me veprimet e saj mizore ndaj popullit të Kosovës, ka konsumuar skajshmërisht elementet e gjenocidit sipas të drejtës ndërkombëtare.  Përgjegjësia e saj është direkte dhe s’e herët ose vonë, nuk do të mund t’i ikë drejtësisë, - meqë veprat penale kundër të drejtës ndërkombëtare - nuk i nënshtrohen vjetërsimit”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat