Kusht për liberalizim, qytetarët kundër Demarkacionit

Politika

Kusht për liberalizim, qytetarët kundër Demarkacionit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 mars 2017 Në ora: 15:43
Sipas partive opozitare ky rezultat i sondazhit tregon se qytetarët mbrojnë interesat dhe territorin e Kosovës

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi, pothuajse është duke bërë 2 vite diskutimi, ndërsa një zgjidhje është dhënë nga Komisoni për matjen e territorit, që thotë se Kosova nuk humbë tokë nga kjo marrëveshje.

Kundër këtij vendimi të Komisonit dhe kundër kësaj marrëveshjeje është shprehur opozita dhe një pjesë e deputetëve të pozitës. Sipas tyre, kjo marrëveshje e dëmton Kosovën, prandaj duhet ndryshuar versioni i saj.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, është vendosur edhe si kusht për liberalizim vizash, sipas BE-së duhet ratifikuar demarkacioni në mënyrë që vizat të liberalizohen.

Qytetarët kundër demarkacionit

Mirëpo, qytetarët e Kosovës nuk janë duke pranuar një kusht të tillë. Përmes një sondazhi të bërë nga portali Bota sot, përmes së cilit ata kanë pasur mundësi të votojnë nëse dëshirojnë ratifikimin e demarkacionit në mënyrë që të liberalizohen vizat, 77.3% prej tyre kanë thënë se nuk dëshirojnë, ndërsa pjesa tjetër prej 22.7% kanë votuar në opsionin se duhet ratifikuar demarkacioni që vizat të bëhen.

Ndërsa, sipas partive opozitare ky rezultat i sondazhit tregon se qytetarët mbrojnë interesat dhe territorin e Kosovës.

Edhe opozita kundër

Deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, thotë se qytetarët dhe qeveritarët ndjekin traditën e paraardhësve të tyre.

“Do të thoja se të dyja palët, si qytetarët ashtu edhe qeveritarët po e ndjekin traditën e paraardhësve të tyre. Gjithmonë shqiptarët e zakonshëm me sakrifica të mëdha i kanë mbrojtur interesat dhe territorin e Kosovës, ndërsa qeveritarët më shumë janë shqetësuar për të mbrojtur postet dhe interesat e tyre të ngushta se sa ato të vendit!” shprehet Sherifi.

Sipas tij, e vërteta është në anën e njerëzve të zakonshëm.

“Mirëpo, historia gjithashtu na mëson se e vërteta ka qenë në anën e njerëzve të zakonshëm dhe jo në anën e qeveritarëve!” pohon Sherifi.

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendsoje, Rexhep Selimi, thotë se nuk njeh qytetarë të Kosovës që japin tokë për një pasaportë më të mirë.

“Nuk njoh qytetarë të Kosovës që janë të gatshëm të japin tokë për një pasaportë më të mirë. Qytetarët e meritojnë dhe duan që vendi i tyre të jep i paprekshëm por edhe të lëvizin lirshëm. Pramdaj vilido somdazh do ta demantojë pushtetin” thekson Selimi.

Sipas Selimit, pushteti vepron agresivisht kundër vullnetit të votuesve.

“Në të njëjtën kohë pushteti po vepron agresivisht kundër vullnetit edhe të votuesve të tyre. Pushteti tashmë në mënyrë antishtetërore po vepron më mbrojtje të interesave të të tjerëve në dëm të interesit të qytetarëve të vendit. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një pushtet të tillë çfarë e kanë sot” shton Selimi.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se demarkacioni nuk ka qenë asnjëherë kusht për liberalizim.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, shprehet se liberalizimi është dashur të bëhet moti dhe nuk ka nevojë për shpikje të kushteve.

“Demarkacioni, nuk ka qenë kusht për asnjërin vend në regjion dhe nuk ka pse të jetë kusht për Kosovën,  aq më  pak insistimi i qeverisë  për një  vijë  kufitare që në  mënyre evidente është në dëm të integritetit territorial të Kosovës. Cilatdo qofshi para apo prapavijat e këtij insistimi, me rëndësi është që ky variant të mos aprovohet dhe Kosova të mos dëmtohet” pohon Berisha.

Sipas tij, qytetarët mbahen pandershmëritë nga Evropa.

“Procesi i liberalizimit të vizave është dashur të ndodh moti dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve të Kosovës është  pandershmeri e Evropës në raport me shqiptarët. Ata nuk kanë pse të shpikin kushte suigeneris por të trajtojnë qytetarët e Kosovës në parimin e barazisë  se popujve në Evropë” thotë Berisha.

Të vendoset me referendum

Edhe sipas analistit, Rexhep Shahu, të paguhet liberalizimi me demarkacion është e papranueshme.

Sipas Shahut, nxitimi i politikanëve që vetë kanë viza për demarkacioni nuk përputhet me interesin qytetar.

“Të paguash liberalizimin e vizave me demarkacionin është e papranueshme, edhe sipas qytetareve. Ngutja e politikanëve që vetë kanë viza për demarkacionin po duket se nuk përputhet me interesin qytetar. Politikanët e dinë me mirë se qytetaret vetë interesin e qytetarëve në Kosovë pasi politikanët e Kosovës duan të plotësojnë bastet që kanë me bashkësinë ndërkombëtare duke lëshuar territor” shprehet Shahu.

Ai pohon se demarkacioni duhet të vendoset në një komision ndërkombëtar kufijsh, apo nëse jo qeveria duhet të bëjë referendum dhe të vendosin qytetarët.

“Qeveria dëshiron  me çdo kusht demarkacionin që ajo të marrë ndonjë dekorate në bashkësinë evropiane dhe të etiketohet atje si qeveri luajale që bashkëpunon me Serbinë. Unë besoj se demarkacionin duhet të vendoset vetëm nga një komision ndërkombëtar kufijsh siç ka qënë gjithmonë për kufijtë  shqiptare dhe nuk duhet të ngutet qeveria kundër vullnetit të qytetarëve. Qeveria duhet të bëjë  në  fund referendum dhe nuk ka tager të vendos vetë” deklaron Shahu.

“Bota sot” ka provuar të marrë qëndrime edhe prej deputetëve të pozitës se si e komentojnë ata këtë qëndrim të qytetarëve kundër demarkacionit dhe cila do të mund të ishte zgjidhja, mirëpo nuk janë përgjigjur.

Marrëveshja e Demarkacionit është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat